Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pennine: Po negociojmë për ndarjen e Velçës

Pennine Petroleum Corporation, në një njoftim zyrtar të datës 14 dhjetor ka njoftuar se ka marrë një draft të parë të marrëveshjes së ndarjes së prodhimit nga Albpetrol për ekspolorimin, zhvillimin dhe prodhimin e naftës mbi tokë në Bllokun e Velçës në Shqipëri.

Po sipas njoftimit, Pennine u konfirmua në 2 dhjetor 2015 nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë si ofertuesi i suksesshëm për Bllokun e Velçës.

Por, burime zyrtare nga Albpetrol thanë për Monitor se ka pasur dy aplikime për zonën e lirë të Velçës dhe nga këto aplikime ai i Pennine ka qenë më i miri, por nuk kanë nisur ende negociatat për kontratën, apo për një marrëveshje kërkimi.

Sipas burimeve, nuk është marrë ende ndonjë hap konkret. Ndonëse kompania plotëson kushtet për tu marrë në konsideratë nuk kanë nisur ende negociatat.

Mësohet se Pennine ka kërkuar pak muaj më parë, kur ka shprehur interesin, një marrëveshje tip, por nuk ka asnjë draft të personalizuar për kompaninë në fjalë.

Në faqen e vet zyrtare, Albpetron njofton se “Shoqëria Albpetrol sh.a është duke zhvilluar procedurën për Hapjen e Negociatave për Lidhjen e Marrëveshjeve për Kërkimin e Hidrokarbureve në Bllokun e Velçës. Kjo është zona e lirë më e vogël e identifikuar nga shteti shqiptar për kërkim. Në të kaluarën Albpetrol sh.a ka shpuar dy puse në këtë zonë, por të dy rezultuan pa sukses.

Pas publikimit të zonave të lira nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë, për këtë zonë kërkimore shfaqën interes dy kompani ndërkombëtare, por vetëm njëra prej kompanive ka arritur të kalojë fazën e parë të procesit. Propozimi i saj është miratuar nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë, e cila i ka kërkuar Albpetrol sh.a që të vijojë me procedurat përkatëse. Albpetrol sh.a është duke shqyrtuar propozimin e kompanisë dhe shumë shpejt do të nisë negociatat. Kjo është hera e parë që një kompani shfaq interes për këte bllok”.

Blloku Kërkimor i Velçës përfshin një terren tokësor me sipërfaqe prej rreth 620 kilometër katrorë. Ai shtrihet në juglindje të Vlorës dhe është identifikuar prej kohësh si një zonë potenciale naftëmbajtëse.

Revista Monitor, 16.12.2015