Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Reforma në energji, pikë kthese

Fjala e ministrit Gjiknuri në aktivitetin e mbajtur në Sarandë “Të Pastrojmë më tej Shqipërinë”

Përshëndetje,

Unë ju flas këtu si një protagonist i një reforme jashtëzakonisht të rëndësishme, një reformë e udhëhequr nga Qeveria, nga Kryeministri i Shqipërisë. Jam këtu si dëshmitar i asaj çka ka ndodhur në dy vjet dhe që tani fillojmë kuptojmë çfarë kemi bërë në një kohë kaq të shkurtër. Morëm një sektor energjetik që ishte duke u rrokullisur në një humnerë dhe nuk dihej se ku do të shkonte. Rrezikonte të tërhiqte me vete edhe vet Shqipërinë, për shkak të krizës dhe destabilitetit financiar që shkaktonte.

Ku jemi sot, për dy vjet? Në këtë sektor kemi shënuar një pikë kthese për të kontribuar në zhvillimin e ekonomisë. Kjo është shumë e nevojshme pasi energjetika është një nga ato elementë thelbësorë të shtetit, shumë e nevojshme për zhvillimin e vendit. Mjafton tu kujtoj se në vitin 2013, Buxheti i Shtetit garantonte para që normalisht duhet të shkonin diku tjetër. Ishin 200 milion USD që shkonin për mbështetjen e sektorit energjetik, jo për të bërë punë e investime por thjesht për të mbyllur gropën e vjedhjeve dhe abuzimeve.

Sot që flasim, ekspozimi i Buxhetit të Shtetit nuk është më shumë se sa 5 miliard lekë, të cilat tanimë shkojnë vetëm për investime. Ishin 200 milion USD që iknin nga shkollat, nga spitalet, e që prapë i paguanin taksapaguesit pasi Buxheti i Shtetit është i të gjithë neve. Nganjëherë, dëgjoj edhe ndonjë që thotë, po mirë çfarë rëndësie ka sepse e mbante Buxheti, nuk e mbanin qytetarët!? Po mirë mo, i kujt është Buxheti? Ai është kontribut i gjithë qytetarëve shqiptarë. Sektori energjetik është krijuar dhe duhet të jetë ashtu sikurse funksionon kudo në botë, të mbajë veten dhe të gjenerojë të ardhura nisur nga avantazhet krahasuese që ka Shqipëria në burimet e saja natyrore.

Përkundrazi, për shkak të ruletës politike, pazareve me energjinë, tregtimin e saj për vota e ku faturën ja linin qytetarëve, fatkeqësisht u ndodhëm përpara një krize jashtëzakonisht të madhe. Kjo ka qenë një reformë shumë e guximshme, edhe me kosto politike por që u mirëprit nga qytetarët. Mbi të gjitha, ka qenë një reformë që siguronte barazinë pasi u thoshtë qytetarëve “të gjithë jemi të barabartë para ligjit, të gjithë duhet ta paguajnë energjinë sepse këto para nuk mund ti merren vetëm një pjese të mirë të popullatës që është e rregullt”.  Nuk mundet që një pjesë e rregullt të paguajë edhe për vjedhjen dhe abuzimin, për shkak se dikush dizenjoi një sistem të tillë politik, që energjinë e trajtonte si mall elektoral.

Ja ku po i shohim rezultatet. Nuk po them se janë bërë mrekullira, por gjërat po ndihen për shkak të kësaj performance të mirë dhe kursimit të parave. Kemi ndihmuar vendin dyfish: nga njëra anë kemi shpëtuar ato para të nevojshme që qytetarët paguajnë me taksat e tyre për të shkuar në drejtime të tjera, siç duhet të jenë shkollat, spitalet apo të mbyllet gropa e borxheve për rrugët që e dini mirë si ishte 700 milion USD; nga ana tjetër, paratë e shtuara dhe aksioni i madh qytetar që mbështeti reformën kaq të rëndësishme në energji ka bërë të mundur investimet.

Ju jeni dëshmitar, sidomos në zonën e Jugut, këto dy vite janë bërë investimet më serioze në sektorin energjetik. Shumë shpejt, në Janar, ne do të inaugurojmë Unazën Energjetike të Jugut, një unazë e cila përfundimisht përmirëson dukshëm furnizimin me energji elektrike në këtë zonë. Jugu ka patur një disavantazh që nga koha kur u dizenjua sistemi ynë elektro-energjetik në vitet 60’-70’, që nuk ka patur një furnizim të qëndrueshëm. Vetëm investimet që kemi bërë këto dy vite me linjën 110 kV dhe që do bëjmë më tej do bëjnë të mundur që të gjitha zonat e jugut të keni një furnizim shumë më të mirë.

Kjo punë nuk do të përfundojë me kaq. Për shkak të investimeve të shtuara, në Sarandë kemi filluar të ngremë linjën 20 kV, pra të përmirësohet cilësia e furnizimit me linja bashkëkohore. Linjë që do ta shtrijmë në Ksamil, do ta bëjmë nga Orikumi në gjithë pjesën e bregdetit. Janë siguruar financimet që deri në vitin 2017 dhe ky është objektivi ynë shumë i qartë, bregdeti shqiptar të ketë furnizimin që meriton e që do jetë bazë e zhvillimit edhe për turizmin.

Nuk na vjen mirë që në sezone turistike, për shkak të ngarkesave, sistemi elektroenergjetik nuk mban nisur nga linjat e amortizuara. Praktikisht, kemi siguruar fondet, kemi 10 milion euro nga Koperacioni Italian dhe janë 10 milion euro të tjera nga vet kompania me të cilat ne do të përfundojmë edhe gjithë pjesën e bregdetit. Shumë shpejt, në Shkurt fillon ndërtimi i dy nënstacioneve shumë të fuqishme, një në Orikum dhe një në Himarë, dhe që është pjesë komplomentare e gjithë jugut. Këto do të bëjnë që i gjithë bregdeti jonian, siç u përmend dhe më parë, një potencial i jashtëzakonshëm nga të gjitha drejtimet dhe një zonë me shumë tradita që vlen të vizitohet, të ketë infrastrukturën energjetike që meriton.

Unë e ktheva pak në lokale bisedën për ta ndjerë më tepër pasi është shumë më mirë kur u flet qytetarëve direkt. Duhet të kuptojmë qartë dhe t’ia shpjegojmë njerëzve se çfarë është bërë. Gjërat shikohen me sy lehtësisht, dhe kjo nuk ka ardhur se ka ndodhur mrekulli. Në fakt mund të quhej e pabesueshme që përpara dy vitesh të bëheshin këto gjëra. Kjo ka ardhur nga mirëadministrimi, nga vullneti i çeliktë për ti shkuar disa gjërave deri në fund, për tu përballur me reformat dhe për ta kthyer sektorin nga një gropë financiare thithëse në një kontribues të vërtetë për interesat e publikut. Këto investime shkojnë drejt interesave të publikut.

Patjetër këto rezultate kanë ardhur për shkak të aksionit të madh dhe bashkimit të të gjithë qytetarëve me kontributet e tyre që të përmirësojmë furnizimin edhe në shumë zona ta tjera të Shqipërisë. Na kanë ndihmuar që të bëjmë të mundur edhe një objektiv tjetër që ja kemi vënë vetes, e kemi deklaruar dhe do ta realizojmë vitin tjetër, që të heqim përfundimisht faturimin afrofe. Pra, deri në mesin e vitit 2016 do ti pajisim të gjithë konsumatorët me matësa, në mënyrë që asnjëri të mos faturohet më afrofe dhe ky është një objektiv i realizueshëm. Do ta shikoni që kjo do të bëhet.

Nga ana tjetër, mund të them që kemi bërë edhe për dimensionin social. Megjithëse, energjia ka dhimbjet e saj dhe shpesh herë jemi akuzuar sikur qenkemi çnjerëzor, nga ata njerëz që në fakt ishin çnjerëzor me pjesën më të madhe të popullatës që paguante dhe qe tolerante për ata që i kishte mbështetës politik. Në fakt, dimensioni social ka qenë në themel të punës sonë. Së pari, me ristrukturimin e tarifave pavarësisht atij mitit që u krijua që gjoja do të rritej në mënyrë galopante tarifa e energjisë për familjarët. Nuk ndodhi aspak kështu. Çmimi shkoi më poshtë se sa mesatarja dhe dhënat e fundit të INSTAT e tregojnë këtë, që tarifat e energjisë kanë ardhur duke u ulur nisur nga struktura e konsumit.

Nga ana tjetër, mbi 200 mijë familje kanë marrë mbështetje e kompensim financiar për shkak të kësaj reforme tarifore. Do të thotë që shteti, nuk e ka lënë mënjanë dimensionin social. Pse të mos përmendim edhe reduktimin e shumë kamatëvonesave, edhe të atyre që ish qeverisja pretendonte se i kishte falur por që fatkeqësisht ekzistonin në sistemet e OSHEE dhe qytetarët përballeshin me to.

Po të marrësh vlerën e reduktuar të këtyre kamatëvonesave shkon në mbi 65-70 milion USD. Ky është dimensioni social që ne nuk duam ta harrojmë dhe ky është një shpërblim jo thjesht për të bërë një qokë politike, as për tu bërë populist, pasi është kollaj të bëhesh populist me shërbimet elementare të njerëzve. Është bërë për tu thënë njerëzve se kush është pjesë e sistemit, kush formalizohet dhe kush paguan, meriton të shpërblehet. Kjo masë e fundit për një pjesë të familjeve në nevojë po bëhet realitet dita ditës.

Së fundi, dua të them se këto reforma strukturore janë si ato themelet e godinës. Mbase efektet e tyre nuk ndihen menjëherë, megjithëse të gjitha këto investime që thashë, në fund të fundit synojnë të shkojnë tek konsumatori i fundit, synojnë të shkojnë tek popullata, duke krijuar platformën e nevojshme edhe për sektorët e tjerë, pasi ekonomia kështu duhet të zhvillohet. Aty ku ka një infrastrukturë të qëndrueshme, ku energjia është e rëndësishme edhe njerëzit do ta gjejnë veten.

Të gjitha këto reforma na kanë dhënë kosto por nga ana tjetër janë të domosdoshme për të ngritur ngrehinën e të ardhmes. Qeveritë nuk mund të mendojnë se janë vetëm sot për sot, por të mendojmë edhe për brezat. Ashtu sikurse çdo familje e kujdesshme mendon edhe për fëmijët dhe gjërat i bën me radhë. Reformat strukturore janë si themelet e kësaj godine. Kjo godinë nuk na përket vetëm ne, i përket edhe brezave të ardhshëm, i shërben edhe partive politike cilatdo qofshin ato.

Me rëndësi është gjë ne gjërat ti bëjmë me radhë dhe të mos i politizojmë. Të bëhemi bashkë për këto elementë të rëndësishëm strukturorë për të ardhmen e vendit. Edhe reforma në energji, reforma territoriale, reforma në pensione apo edhe të tjera si këto, janë gurët e themelit për të ardhmen që duam të ndërtojmë.

Ruleta elektorale që kaluam prej vitesh dhe e provuam nuk na çon asgjëkundi, thjesht të mpin mendjen, të intoksikon për momentin sepse kujton se je mirë por realisht nuk i ke lënë asgjë as brezave që vijnë, mbi të gjitha as fëmijëve të tu, sepse nuk po flas për brezat e mëvonshëm.

Po të shikoni, opozita ka filluar një fushatë shpifjesh dhe propagande sepse nuk i ka mbetur gjë tjetër. Ata bëjnë shpifje, ne punojmë. Kjo është fatkeqësisht normale në politikën tonë bizantine. Dua tu them se kjo është konfirmimi i suksesit. Pse? Dua tu jap shembullin e historisë botërore, mund ta keni lexuar rastin e Gandit të Indisë.

Ai ka një definicion për etapat e suksesit. Ajo që po ndodh nuk është ndonjë çudi sepse në etapat e suksesit ai i koncepton të tilla. Në fillim thoshte të përqeshin, kur ti vjen me një ide të madhe e do të bësh diçka. Faza e dytë është se të luftojmë dhe në fund thotë ti fiton. Në fakt, kjo po ndodh edhe me ne. Në fillim na përqeshën për gjithë këto reforma serioze, tani është faza që po na luftojnë por në fund ne do të fitojmë sepse kemi mbështetjen e qytetarëve. Ata e kuptojnë se e ardhmja e tyre është më e sigurtë me njerëz që bëjnë reforma dhe që thonë të vërtetën e jo intoksikojnë popullin me gënjeshtra.

Faleminderit.

energjia.al  14.12.2015