Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bilfinger në pritje të qeverisë

Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur nëse do ta mbyllë apo do ta rivitalizojë termocentralin “Kosova A”.

Edhe në mbledhjen e fundit të Qeverisë kryeministri Mustafa ka thënë nuk e ka ende idenë se si do të veprohet, pasi që pas mbylljes së këtij Termocentrali nuk do të arrihet të sigurohet që ekonomia dhe qytetarët të kenë energji të mjaftueshme dhe t’i përballojmë nevojat për energji.

“Ne do të sigurojmë që ekonomia e ardhshme, qytetarët, të kenë energji të mjaftueshme dhe t’i përballojmë nevojat për energji. Pastaj do të shohim brenda Qeverisë se si do ta kapërcejmë këtë periudhën e vakuumit energjetik që mund të na shkaktohet në fund të vitit 2017 me mbylljen e termocentralit ‘Kosova A’ ose me gjetjen e një alternative të zhvillimit të pjesërishëm apo të tërësishëm të këtij kapaciteti energjetik për të cilin është folur edhe më përpara në Qeveri. Efektet janë tepër të rëndësishme sa i përket një burimi themelor të zhvillimit ekonomik në të ardhmen” ka thënë ai.

E në anën tjetër kompania gjermane “Bilfinger”, e cila ka shfaqur interesim për rivitalizimin e “Kosovës A” është në pritje të një vendimi.

Përfaqësues i “Bilfinger”-it, Avni Kurshumliu, ka thënë për “Zërin” se nga Qeveria e Kosovës ende nuk kanë dhënë informata konkrete në lidhje me ketë.

“Kanë kaluar dy vjet që ne vazhdimisht jemi munduar që pranë Qeverisë së Kosovës dhe faktorëve tjerë të vendosjes ta bëjmë prezantimin e këtij projekti, duke theksuar domosdoshmërinë e tij për Kosovën, duke pasur parasysh mungesën e madhe të energjisë në dhjetë vjetët e ardhshme, gjer në hyrjen në punë të termocentralit të ri. Edhe sa kohë do të pritet që Qeveria e Kosovës të vendosë për projektin tonë varet nga udhëheqësit e kompanisë, por në rast se kjo nuk ndodh para vitit 2017, kur është paraparë mbyllja e TCA-së, atëherë as që mund të ketë më rindërtim”, ka thënë ai.

Telegrafi,  01.12.2015