Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Në prokurori privatizimi i Shpërndarjes

Fjala e ministrit Gjiknuri në seancën parlamentare të datës 12 Nëntor 2015 ku u miratua projektligji mbi efiçencën e energjisë

Ironia më e madhe këtu për gropat është ai që bëri gropën më të madhe. Ai që bëri gropën me 1.2 miliard dollarë dhe përpiqet tani që gropën e tij t’ia faturojë të tjerëve. Është i verbuar si bishë, është i

verbuar nga sukseset e të tjerëve. Ti e ke atë, ti çmendesh, mendoje me veten tënde se do të arrije gjëra të mëdha por e le sektorin energjetik me 1.2 miliard dollarë. E le në një konflikt të hapur dhe mos gënje. Ti je zjarrvënës! dogje Shqipërinë në ’97, kështu e bëre edhe me CEZ-in! I vure flakën depove, hape depot me një arsye të caktuar. Ta kam thënë, ka njerëz që të analizojnë mirë ty. Ti je një njeri që kur e çon gjënë në fund, për të djegur provat dhe për të krijuar një kaos të madh, për ti lënë gropën tjetrit e djeg Shqipërinë. Të njëjtën gjë bëre edhe me CEZ-in ti.

Tani do të bëj zbërthimin e CEZ-it unë ty, aty ku je ti brenda. Po i them shqiptarëve, po deklaroj disa gjëra që shumë shpejt do të dorëzohen në prokurori. Kërkoj ndjesë që nuk e kam bërë më parë sepse kjo dosje duhet të shkonte. Ata që flasin për kulisa këtu, e kam thënë edhe njëherë, kanë bërë marrëveshje kulisash me CEZ-in që nga momenti i privatizimit e deri në marrëveshjen e fshehtë të vitit 2012, të bërë në Prill në zyrat e Sali Berishës, nën kujdesin e Zana Guxhollit dhe me firmën e Ridvan Bodes. Me çfarë të drejte ti zotëri na kërkoke llogari për marrëveshjen? Me çfarë të drejte e gjete ti, që në 2012 ta bësh ketë? Shkresa e konfirmon këtë, shkresat e dokumentet që vijnë nga çekët dhe që i ke fshehur ti në kryeministri.

Po çfarë është më e bukura? Në Ministrinë e Energjisë as dosjen e privatizimit nuk e ke lënë! Kështu i ke zhdukur dokumentet! Ne, në fund të fundit e bëmë një marrëveshje, nuk do të ndiqnim atë gropën tende në humnerë por morëm një vendim qeverie, vendim politik në konsultim me Bankën Botërore dhe FMN-në. Gjetëm një zgjidhje e cila është zgjidhja më e mirë dhe ta argumentoj edhe me shifra, po ti nuk do të dëgjosh nga ajo anë. Po ti? Çfarë thotë marrëveshja e vitit 2012?! Marrëveshja jote e kulisave ishte ne zyrat e tua. Në Prill mes teje, ja ta nxjerr unë si të drejtohet ky zotëria, se kështu i do ti me letra. Ja çfarë shkruhet: “E dashur zonja Guxholli. Po të shkruaj në referencë të grupit të punës që u kompozua nën kujdesin e z.Kryeministër Sali Berisha…”.

Arritët në këtë marrëveshje të fshehtë, jo minuta nuk ke, po s’ke as të drejtë ligjore dhe për këtë do të përgjigjesh. Nën kujdesin e Sali Berishës u krijua një grup, grupi përbëhej nga Ministri i Ekonomisë i asaj kohe i cili nuk morri pjesë, Z.Naço, dhe e ka të konfirmuar me shkrim. Nga njerëzit e tu, Guxholli, Bode dhe me në krye ty. Keni arritur një marrëveshje që i keni njohur çekëve, keni pranuar ti ulni çmimin e energjisë në 2.2 lekë nga 2.8 dhe ke rritur borxhin e keq.

E ke bërë këtë dhe e ke pranuar. Shih çfarë ke pranuar mor zotëri! Ke thënë këtu, shkresa e Ridvan Bodes, gjendja e vështirë e kompanisë CEZ për shkak të mos marrjes së vendimeve nga ana e ERE-s, pra vendimet që kontrolloje ti, për njohjen e borxhit të keq dhe për njohjen e humbjeve. Humbje që sipas auditit që kishte rënë dakord në marrëveshje, nuk është e vërtetë ajo shifra 32% pasi qe një mashtrim, të doli 37%. Për shkak se ngele keq në atë mashtrim, u detyrove ta kompensosh atë në kurriz të kompanive publike. Ja ku e ke!. Dhe ke thënë për shkak të mosmarrjes së vendimeve nga ERE dhe për të shmangur arbitrazhin ndërkombëtar, kostot e mëdha që mund të na shkaktohen nga mos mbajtja e premtimeve në marrëveshjen e privatizimit, do ta çojmë borxhin e keq 16.85%, kurse KESH-it 2.2 lekë. Ja ku e ke!

Pyetja shtrohet: ku e gjete bazën ligjore? Me çfarë të drejte? Se normalisht që ti vësh një ngarkesë dhe të falësh detyrime, të falësh gjoba, të ngarkosh kompanitë publike me barrë financiare, duhet të vish dhe ta bësh atë me ligj. Ti nuk ke bërë asgjë të tillë. Ti e kë bërë në kulisa dhe ajo është marrëveshje në kulisa, ia ke çuar ERE-s për ratifikim, pra për noterizim. Për këtë do përgjigjesh. Me çfarë të drejte ti në 2009 ndryshove 4 herë vendimet e Entit Rregullator të Energjisë, pasi ishin hapur ofertat për CEZ-in? Ke pasur edhe ndërmjetës. Se dalin bisedat, sa më shumë të gërmosh aq më shumë dalin lidhjet e tua. Në fillim, kur e çove në privatizim, e ke patur borxhin e keq 0%. Pastaj, me vendimin e Shtatorit 2008 e çove 4%. Pasi u hapën ofertat e çove 14%, në kundërshtim me çdo lloj procedure normale. Ke bërë një privatizim duke i lejuar vetes që në varësi të negociatave ti mund të ndërhysh për të ndryshuar borxhin e keq. Vetëm me këtë i ke shkaktuar shtetit, që në fillim 200 milion dollarë humbje. E ke bërë ti, me privatizimin.

Ata që akuzojnë, me atë paçavuren janë të porositur nga ty. E porosite KLSH-në ta bënte, ai ta uli pak vlerën, ti e çove në 600, ai tha 479, po asgjë më tepër se çke thënë ti s’ka bërë ai. Sa për ta ditur shqiptarët po sqaroj. Thonë jo nuk ka minuta, minutat janë aty, i janë vënë në dispozicion po nuk duan ta përmendin. Nuk ka problem, të gjitha dokumentacionet do të vihen në dispozicion.

Ne i bëmë negociatat në zyrat e Bashkimit Europian, ne i bëmë në Komunitetin e Energjisë me ndërmjetës ndërkombëtar, kurse ti je takuar në dy apo tre hotele dhe nuk ke lënë asnjë minutë, dhe nuk ke thënë asgjë. As edhe një akt ligjor që ty ta normon këtë lloj negociate.

Ti ke inkriminuar veten. Avokatja jote e shtetit, të ankohet ty për z.Mima. Ja si shkruan ajo: “I nderuar z.kryeministër. Përmes urdhrit tuaj, të 27.02.2013, avokatura e shtetit është caktuar si koordinatore e shtetit shqiptar në lidhje me mosmarrëveshje me CEZ. Më vjen keq të them që në shkresat tona të vazhdueshme për METE-n nuk gjejmë asnjë përgjigje. METE akoma, z.Mima, nuk ka kryer asnjë prej detyrave kryesore në lidhje me këtë proces. Konsulenti ndërkombëtar ka hartuar në dhjetor një raport…etj. Sikurse e dini, moskryerja e veprimeve siç thotë ligji, brenda 60 ditësh të zhvlerësimit dhe shpronësimit të aseteve përbën një dëm për shtetin shqiptar dhe një rëndim të pozitës së tij në arbitrazh.” E vazhdon pastaj me mos marrjen e inventarit. Se çfarë bëre ti?! Nuk bëre as një inventar. Ti kujton se ka arbitrazh ndërkombëtar ta marrë përsipër atë vajtjen tënde aty sikur po zapton ndonjë pronë. Këto pra janëa gjërat që ti nuk i bëre. Nuk bëre as audit dhe mbi të gjitha nuk ngrite as padi dhe gënjen shqiptarët gjithë ditën duke thënë u tërhoqe nga arbitrazhi.

Për këto gjëra do të përgjigjesh. Ndërkohë që ai zotëria që e ke aty mbrapa, nuk bënte veprimet që duhet të bënte, çfarë bënte?! Ato koncesionet, ditën e fundit në 16 Shtator?! Meqë thua për HEC-et, ka firmosur 30 koncesione. Pra bëheshin koncesionet për ti marrë ti me shokët e tu. Marrëveshja e CEZ-it është marrëveshja më e mirë e mundshme, pasi të gjitha ato para që ti akuzon, ato para janë këtu. Ja ku po i them publikut, CEZ-i pagoi 102 milion euro, ndërkohë vlera e aseteve ishte 170 milion euro. Nuk po i hyjmë edhe pjesës se si arrite ti të shesësh një vlerë asetesh prej 170 milion me 102 milion euro, po kjo është çështje tjetër. CEZ-it i është njohur vetëm një pjesë prej 87 milion, të cilat u pranuan që ishin kredi të marra dhe të ardhura në Shqipëri. Pjesa tjetër 170 milion euro asete u morën me 0 lekë. Vlera e aksioneve u njoh 0. Pra nuk ju njoh asnjë vlerë çekëve për shkak të auditit që ti e përmend.

Janë 500 milion euro të pa arkëtuara. Para që ishin aty dhe ishin të drejta të rimbursueshme, të arkëtueshme. Ndërkohë që detyrimet që ka nxjerrë kompania meqë i përmende, ndaj KESH-it dhe OST-së nuk janë më shumë se 205 milion euro. Pra, nga gjithë ky operacion financiar, prapë bilanci është pozitiv dhe sot që flasim, meqenëse ti mërzitesh pse ne mblodhëm para, janë grumbulluar 200 milion euro nga borxhet e prapambetura. Këto janë futur në interesin e sektorit energjetik, pra në kasën e publikut.
Këto janë numrat e vërtetë që ti na akuzon për dëme. Paratë janë këtu. Pse?! Sepse ti bëre harakirin. Po ka një njeri që e ka tregtuar se ka bërë harakirin me sektorin energjetik, me deklaratat e tij politike, me amnistira, me thirrjet që i bëje popullit mos të paguajnë se janë zgjedhjet, ai je ti. Apo të flasim për këtë ish-ministrin që flet herë pas here, që sa herë shkonin të ndërprisnin energjinë në Kukës, i nxirrte policinë dhe i thoshte, këta s’duhet të paguajnë se këta kanë kontribuar me hidrocentralin. Sa herë çonin njerëzit të ndërprisnin energjinë për institucione që nuk paguanin, shkoje i çoje policinë.

Ndërkohë çfarë bëre? Atë marrëveshjen e kulisave, atë vetëgjyqësinë financiare me të cilën the se institucionet publike nuk do të paguajnë paratë tek CEZ-i dhe ky i fundit nuk do paguajë KESH-in. Çfarë ndodhi se ka edhe një element korrupsioni? Nuk është vetëm papërgjegjshmëria dhe shpërdorimi i detyrës në atë kohë që ti zhvilloje negociatat në zyrën tënde, nën drejtimin e kujdestares Zana Guxholli dhe me ministrin Bode, i cili fatkeqësisht në atë rast firmosi dhe u bë ekzekutues i vendimit tënd. Çfarë ndodhi?

Gjashtë kompani u licencuan, ju dhanë kontrata për mbledhjen e borxheve. Tek ai vendimi qeverisë, që bëre atë vendimin e çuditshëm që the se institucionet publike nuk do të paguajnë vetëm kur t’iu japë Buxheti i Shtetit, do të likuidojnë CEZ-in. Kompanitë e tua, ato 6 kompani filluan të merrnin para publike. Këtu ishte forma e korrupsionit. Normal, CEZ- këto kompanitë e ndërmjetme do përdorte se ishte kompani shtetërore. E vetmja mënyrë për të justifikuar korrupsionin ishte përdorimi i palëve të treta. Palë të treta ishin njerëzit e tu.
Madje do të them edhe një gjë tjetër, por për këtë po kërkoj prova, shpresoj ti gjej. Ti në Tetor ke qenë mbikëqyrës i një negociate për shitjen e mundshme dhe kanë qenë njerëzit e tu të familjes të interesuar për të gjetur blerësin e mundshëm. Ka të dhëna edhe për këtë. Unë shpresoj ti gjej deri në fund, që le ti shkohet hetimit për këtë çështje. KLSH-në e diskretituat ju, e diskretitove ngaqë bën lapsus dhe këtu në majë të tribunës the ‘unë do pres sa të mbarojnë punë disa organe të tjera të pavarura’. Dekonspirove një operacion që po e kryente një organ “i pavarur” dhe që normalisht duhet të operojë në konfidencialitet. Çfarë bëri? E urdhërove ti. Pse e urdhërove ti? Se kam edhe prova të tjera. Ja ku është raporti i parë i Kontrollit të Lartë të Shtetit përpara se të dilnin akuzat e tua publike apo për të rihapur çështjen se këto akuza i ke bërë dhe herë të tjera, nuk janë ndonjë gjë e re.

Të lëvizi pak terreni politik, gjete momentin e volitshëm për të bërë diversion dhe e rihape. KLSH, në raporti paraprak nuk flet për dëme. Tani, ka qenë i qëllimtë që nuk duhet të na e nxirrnin problemin e dëmeve? Që një raport të quhet normal duhet të palëve t’iu vësh në dispozicion të gjitha pretendimet dhe ky raport është i pavlefshëm nga ana juridike. Çfarë bënë këta? Nuk nxorën asgjë, thanë vetëm ato procesverbalet. Le ti shohin ato procesverbale, se procesverbalet aty janë. Nxori pastaj konkluzionet e fundit dhe bëri kallëzim penal pasi u koordinua me ty, se nuk ka logjikë tjetër.

Ta kam thënë edhe njëherë tjetër, do ta them prapë. Në 2011, në rastin e ndryshimit të çmimit ke patur dijeni për kryerjen e një krimi. Ke thënë publikisht këtu dhe unë do ta përsëris, mohoje po të duash. The kam shkarkuar Bujar Nepravishtën, në fakt i ke kërkuar dorëheqjen sepse nuk ke mundësi ta shkarkosh. The që e ke bërë sepse dyshoje për uljen e çmimit që ju bë CEZ-it për KESH-in, pra blerjen e energjisë nga KESH-i.

Dyshoje pra se ai kishte kryer një akt korruptiv. Kështu ke thënë! Pra, ishte njeriu jot i ngushtë, ti pretendon se e shkarkove për mitmarrje. Kjo tregon se ose ti ke pasur dijeni për një krim dhe e ke lejuar të ndodhë, ose ti siç thonë gojët e liga dhe e unë besoj sepse zakonisht pilotët e tu nuk të dalin nga reshti, e ke urdhëruar atë dhe pastaj i ke vënë faturën mbrapa duke i kërkuar dorëheqjen. Këto janë të vërtetat në lidhje me CEZ-in dhe CEZ-i është e gjitha martesa jote. Për arsye politike, për dhënien e aplikimit për statusin kandidat, thjesht për dorëzimin e aplikimit bëre martesën me CEZ-in. Martesa të shkoi keq. Ishit ju të dashuruar, jetonit ju në një shtëpi dhe në fund i vutë zjarrin. Tani i kërkon llogari kësaj qeverie që me ligj parlamenti, me vendim politik gjeti zgjidhje por në fund të fundit ne jemi votuar që të marrim vendimet tona dhe jo për të ndjekur rrugën tënde absurde. Për shkak të kësaj zgjidhje, ja ku jemi sot. Ja situata me borxhet e këqija. 200 milion euro të arkëtuara, të marra nga borxhet e këqija.

Vazhdojmë me bilancin financiar të sektorit energjetik. Ja viti 2013 kur vure partizanin tënd, që e çove edhe pa inventar aty. Meqe citon BDO-në përse nuk e citon edhe për këtë periudhë kur e administrove ti dhe thotë ishin minus 27 miliard lekë. Ja ku jemi sot, bilanci energjetik financiar është plus 3 miliard lekë në 2015.

Humbjet zotrore i le 45%, me harakirin tënd, që i thoje njerëzve mos paguani se kemi zgjedhjet. Kryetari i ERE-s merrte drejtorin e kompanisë dhe i thoshte “mos ndërprisni energjinë tani, se ka merak kryeministri, se kemi zgjedhjet lokale në 2011. Mos ndërprisni energjinë se jemi në një situatë të vështirë”. Si të mos krijoheshin borxhe? Çfarë janë borxhet? Borxhet janë mospagim. Ja situata humbjeve 45% e le ti, 31% janë tani. Kjo arritje në një kohë rekord, për dy vjet.

Po arkëtimet? Ja si i kishte vetëm 38.4 miliard lekë në fund të 2013-tës, meqenëse nuk po e llogarisim pjesën e çekëve. Arkëtimet këtë vit shkuan deri më tani në 65 miliard lekë.

28 miliard na akuzokeni që i kemi vjedhur? Ky është absurditeti i atyre që hartojnë të tilla raporte. 28 miliard lekë, pra 200 milion euro që ne i paskemi vjedhur janë mbledhur tashmë. Pra, ato që gjoja i paskemi falur atyre janë mbledhur dhe kanë vajtur në dobi të sektorit energjetik.

Shikoni cili ishte bilanci juaj tjetër. Duke futur humbjet teknike e jo teknike, ashtu sikurse edhe borxhin e keq, për çdo 100 dollarë të hedhur energji, në vitin 2013 ju arkëtonit në sistem vetëm 36. Imagjinoni çfarë sistemi energjetik, ajo bisha mini superfuqia energjetike! Fuste 100 dollarë në sistem, mblidhte 36! Ja çfarë situate, sot jemi në kushtet kur kjo shifër ka shkuar në 60. Njihen 20 dhe në tarifë janë 80. Ka mbetur një pjesë që ne po e luftojmë përditë, atë risk po e mbajmë, nuk ja kemi ngarkuar konsumatorit, siç bëre ti me deklaratën rregullatore. E kemi mbajtur vet përsipër si shtet, në mënyrë që të luftojmë vjedhjen e energjisë dhe të mos ja ngarkojmë konsumatorit.

E ke vënë re? Nuk e përmend më çmimin e energjisë. Çfarë të ndodhi? Dikur the do ti nxjerr njerëzit sepse çmimi i energjisë do të rritet, jeta do të bëhet e papërballueshme. Shih si të ka vajtur çmimi i energjisë. Nga 9.7 lekë që ishte mesatari, ka vajtur 9.5 lekë. Pra është ulur çmimi mesatar i energjisë. Jo, se nuk e përmendi ai. Një gjë që nuk e përmendi ka shkuar mirë, se nuk ka mundësi. Ti jeton për të këqijat, si ka mundësi të mos vësh re një gjë që nuk shkon mirë.

Foli dikush tjetër këtu, tha OSHEE shpërdorim. Po të jap dy të dhëna të vitit 2015. Në 2013 ishte 270 milion dollarë minus. Vetëm nga përmirësimi i humbjeve, janë kursyer 54.5 milion euro që importoheshin energji. KESH-i nga mirëmenaxhimi dhe jo si menaxhimi jot që bëje herë përmbytje, herë shkaktoje kriza energjitike siguroi efekt pozitiv me 39 milion euro këtë vit.

Po efektet në buxhet? Këto janë të rëndësishme. Meqe flisni për gropa mos më dëgjoni mua se qenkam ministër dhe partiak. Me the jam unë në konflikt interesi me detyrën por në fakt ti je në konflikt interesi me Shqipërinë.

Shihe si e ekspozoje ti Buxhetin e Shtetit në 2013. Janë 21 miliard lekë të parave të shqiptarëve, të Buxhetit të Shtetit që përdoreshin për të mbuluar gropën e energjisë. Shih si ka vajtur rënia se duhet ta kuptosh. Kemi përdorur vetëm 6.7 miliard në 2014 dhe 6.7 miliard në 2015, këto kryesisht kredi për investime. Ti i kishe për blerje dhe për mbulimin e gropës të energjisë. Shih si ka ardhur ekspozimi duke u zvogëluar dhe prandaj FMN-ja tha që reforma në sektorin energjik është më e suksesshmja dhe po shërben si bazë e stabilitetit ekonomik-financiar. Ju nuk doni ti dëgjoni por këto janë të vërteta. Po kontributi fiskal në sistemin energjetik? Është 6.9 miliard lekë 2015, ndërkohë që në 2013 ishte vetëm 4 miliard. Këto janë faktet. Të kalojmë tek dëmshpërblimi i banorëve të Shkodrës se ju i latë rrugëve. Ja faturuat KESH-it edhe atë që ndodhi për shkak të Zotit se nuk kishte lidhje me digat, apo jo zonja nga Shkodra?! U kompensuan 2868 familje nga ne, energji që si kishin paguar Operatorit të Shpërndarjes, ju kompensua me vlerën që do të merrnin nga dëmshpërblimi. Dhe këto janë fakte.

Meqë fole për koncesionet. Nuk kemi asgjë kundër koncesioneve dhe ti e di shumë mirë që ne po vazhdojmë politikat tona, por politikat bazuar në një model ekonomik të qëndrueshëm për koncesionet. Se mund tu thoje njerëzve ti që ndërton hidrocentrale por pyetja shtrohet: kush e paguan atë faturë? E di dhe ta kam thënë, çdo njeri e di tashmë se fatura finale e koncesioneve të dhëna paguhet nga konsumatori final. Pse? Sepse blerja e energjisë bëhet nga operatori publik dhe duhet të paguhet nga publiku shqiptar. Ti degjenerove marrëdhënieve me Entin Rregullator të Energjisë dhe falimentove KESH-in për shkak të asaj marrëveshje në kulisa të drejtuar nga zyra jote, që do hetohet shumë shpejt nga prokuroria dhe meriton hetim të thellë.
Ja si i le ti në 2013, në 2014 ishin të akumuluara borxhet që gjetëm ne nga hidrocentralet. Vajti 8 miliard lekë borxh nga hidrocentralet. Borxh i pashlyer. Realiteti tregon se ky borxh tanimë është 0 lekë. Gënjen publikisht kur thua të kundërtën dhe hajde nxirre atë kush ta ka thënë, po ke të dhëna bëjë ballafaqim dhe nëqoftëse del gënjeshtar, megjithëse ti se ke problem atë, më mirë të mos vish në këtë sallë. Kush të ka thënë që kemi borxhe 8 miliard lekë ndaj HEC-eve private? Nuk është e vërtetë. Borxhet ndaj HEC-eve private janë zero. Janë shlyer për shkak të shtimit të pagesave, mirëmenaxhimit të sektorit, pra uljes së humbjeve, rritjes së arkëtimit, u plotësua i gjithë zinxhiri i pagesave të energjisë.

Shikojmë investimet meqe thua për gropë. Vërtet ka ndërprerje energjie por në kohën tënde ka patur shumë më tepër dhe e dinë të gjithë këtë, se ti ke qenë në kohën e gjeneratorëve. Pastaj në 2012 prapë riktheve prerjet masive të energjisë dhe sistemin e le pa asnjë investim, për shkak të martesës që të shkoi keq. Se mundove t’ia hedhësh, harrove që ti je bashkëpronar aty. Ju keni qenë partnerë, partnerët i merrnin vendimet bashkë. E krijuat sherrin bashkë, e bëtë marrëveshjen bashkë, e mbyllët sherrin prapë. E hapët sherrin, u divorcua çifti dhe na kërkoni edhe llogari pse nuk shkoi martesa mirë.

Shikoni investimet në sektor. Po marr vetëm vitin 2013. Investimet në total në sektor ishin 3.1 miliard lekë ndërsa në vitin 2014 arritën 9.2 miliard lekë. Në vitin 2015 plani i investimeve është 17.5 miliard lekë.

Të ndalemi tek investimet e Operatorit të Shpërndarjes. Atë që ti e le në gjendje skëterrë dhe pse po përmirësohet shërbimi dhe do të përmirësohet shërbimi energjetik natyrisht. Kishe 450 milion lekë në 2013; u rrit në 1.2 miliard lekë në 2014 dhe 7.2 miliard lekë është në 2015. Po bëhen shumë vepera, janë 188 mijë abonentë që preken nga këto investime. Tirana me 2.5 miliardë lekë investime; Durrësi me 862.3 milionë lekë të reja; Korça 42 milionë lekë; Vlora 64 milionë lekë; Elbasani; 98.9 milionë lekë; Fieri 410 milionë lekë dhe Shkodra 86.7 milionë lekë. Të gjitha këto, investime për shkak të mirëmenaxhimit dhe jo gropës që ekziston në kokën tënde. Po ta them edhe me abonentë nëse e do por ta sqarova se totali shkon në 188 mijë abonentë të ndarë në qarqe. Korporata Elektroenergjetike, për shkak të “cash flow” të shtuar dhe mirëmenaxhimit ka rritur ndjeshëm investimet. Investimet në vitin 2013 ishin 1.5 miliard lekë ndërsa aktualisht ato kanë arritur në 2.7 miliard lekë.

Të vazhdojmë me Operatorin e Sistemit të Transmetimit, pasi bllokove edhe projekte strategjike zotrote për interesa të vogla, aty ku ke marrë pension kur ishe i ri. Ishin 1.2 miliard lekë investime në 2013, janë 7.6 miliard lekë në 2015. Po bëj krahasimet me dy vitet. Po si erdhën këto para? Të duket çudi si erdhi “cash flow” i shtuar dhe pse ka mbështetje nga donatorët për shkak të zgjidhjes së asaj marrëveshjes që ti e anatemon. Sepse po mos arrihej marrëveshja ti ke pasur një qëllim ta kam thënë, që ne të vazhdonim në konflikt, Shqipëria të mos kishte më drita, që njerëzit të ishin në krizë dhe ti të justifikoheshe me një gjyq.

Ja paratë e siguruara nga donatorët, me mbështetjen e tyre u bë edhe marrëveshja e CEZ-it. Janë 273 milion euro kredi të buta, 23 milion euro të tjera grante. 300 milion euro të siguruara për shkak të marrëveshjes që ju e anatemoni. Ajo që ti e quan gropë në fakt është suksesi ynë. Atë që ti e anatemon aq fortë unë ndjehem krenar, se është bërë një punë e vështirë, një gropë që të gjithë e mendonin të pambyllshme për shkak të thellësisë së që ti krijove dhe për shkak të malinjitetit, për shkak të problematikës që ti le hapur, qeveria shqiptare morri një vendim të guximshëm. Gjeti një zgjidhje, atraktoi fonde, atraktoi institucionet financiare ndërkombëtare dhe për shkak të kësaj zgjidhje, e për shkak të mirëmenaxhimit të sektorit jemi duke negociuar edhe një paketë tjetër prej 200 milionësh që ti të mërzitesh edhe më shumë. Ajo është me BERZH-in dhe është paketa tjetër më e madhe për sektorin energjetik, do të jepet mbështetje për shkak se është kthyer besimi. Nuk është rastësi që unë po citoj që ti nuk do ta dëgjosh. Komisioneri Europian i Energjisë Cannete tha: “Sektori energjisë elektrike në Shqipëri ka bërë progres të theksuar. Ne e përgëzojmë atë”. Meqë përmend Bashkimin Europian, BE tha ‘kemi inkurajuar qeverinë shqiptare për gjetjen e një zgjidhje miqësore dhe kemi bashkëpunuar me qeverinë shqiptare për gjetjen e një zgjidhje miqësore”. Banka Botërore të ka thënë “reforma në sektorin energjetik është më e suksesshmja”. Të ka thënë se zgjidhja me CEZ qe zgjidhja më e drejtë dhe e ka përshëndetur atë.

Ndërkohë që ti gjithë ditën gënjen publikun kur thua heqjen e licensës e bëmë me miratimin e Bankës Botërore. Nuk ke asnjë dokument! Harron se fjalët publike mbahen mend dhe ka dokumente aty. Asnjë këshillë, madje deklarimet në dokumente tregojnë që të ka rekomanduar mos u nxito, mos bëj dalje të dhunshme. Bëj dalje të kontrolluar, me asistencën e institucioneve ndërkombëtare. Zgjodhe daljen e dhunshme për dy arsye: zgjedhjet po të afroheshin dhe psikologjia jote për ti vënë zjarrin përpara lënies së pushtetit për të djegur vendin e krimit dhe për të zhdukur gjurmët.

Sistemi energjetik është një sistem që po performon mirë. Ka dhe probleme patjetër, ka shumë probleme se janë të akumuluara me vite. Është një sistem që do mbi 1 miliard investime për tu rinovuar, sepse kemi një infrastrukturë shumë të vjetër. Por fakti është se ne po e mirëmenaxhojmë, ka një pagesë të shtuar të energjisë elektrike për shkak se shumica e qytetarëve e duan zbatimin e ligjit. Shumica kanë qenë pagues të rregullt dhe nuk e pëlqejnë praktikën që disa të mos paguajnë dhe të krijojnë gropë, sepse janë ata qytetarë që nëpërmjet taksave të tyre do ta paguajnë këtë energji. Kjo e ardhur e shtuar dhe ky mirëmenaxhim financiar i sektorit po jep investime të cilat ne po i shohim përditë.

Dua të them edhe disa gjëra për naftën meqë e përmende këtu. Po marr Albpetrolin për të cilin ti hedh ca shifra 100 milion dëme nga nafta. Mjafton të shikosh që në vitin 2013, fitimi i shoqërisë Albpetrol ishte 12 milion dollarë. Ndërkohë të ardhurat e Albeptrol në 2013 ishin sa gjysma e të ardhurave që sot ka siguruar Albpetroli. Dhe kontributi Albpetrolit në Buxhetin e Shtetit vitin e kaluar ka qenë 6 milion dollarë. Fitim i pastër, neto pra dividentë. Albpetroli i kishte 10 milion euro sektorit të energjisë elektrike sepse akumuloje ato borxhet e famshme që thamë sipas asaj marrëveshjes dhe futje ndonjë ndërmjetës, ata ndërmjetësit e borxheve, dhe ndaje llokmën me ta. Pra, jo vetëm që pagoi tashmë dividentë tek shteti, por lau edhe detyrimet që kishe krijuar ti ndaj Operatori të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ato para që ju thoni i paskemi falë ne me CEZ, para të cilat janë këtu. Paratë të gjitha janë këtu, paratë po mblidhen, po i shkojnë kompanive pak nga pak, sektori po rimëkëmbet. Çdo gjë tjetër është një mashtrim, një spekulim për të dehur njerëzit me shifra që njëherë thua 600, njëherë 1 miliard, njëherë 700 hajde merre vesh se çfarë shifre ke në kokë. Por, e vërteta është krejt ndryshe.

Tek pjesa energjisë ti duhet të pranosh dështimin tënd total. Dështim që me privatizimin, që e bëre në kurriz të shqiptarëve dhe nuk i dhe asgjë, përkundrazi i le një gropë të hapur. Si në atë ëndrrën tënde prej mini superfuqie energjetike dhe mos u sill pronari i këtij sektori. Nuk duhet të flasësh për këtë pjesë.
Kisha detyrë të të jepja përgjigje, po ky është realiteti jot Sali Berisha. Shumë shpejt do shkosh të japësh llogari për marrëveshjen me kulisa që ke bërë pa ligj, pa vendim qeverie dhe që i ke shkaktuar dëme KESH-it dhe OST-së.
Faleminderit,

Replika e dytë me deputetin e Partisë Demokratike Sali Berisha

Ti hedh shashka për DIA-n sërish. Ta kam përmendur edhe njëherë atë letrën që të ka çuar Avokatja e Shtetit. DIA-n e more vet përsipër në momentin që i përdhunove dhe i nxore ata nga zyra me vendimin e ERE-s. Se kështu është kur i bën gjërat me nxitim, kujton atë teorinë ta zaptoj njëherë pronën se pastaj do ta mbroj në gjyq. Ke marrë të gjitha detyrimet që ka CEZ Shpërndarja, përfshirë edhe gjyqin që ata hapën ndaj CEZ Shpërndarjes.

Ti e di shumë mirë që në momentin që ke marrë kompaninë me këto detyrime, kishe detyrë të gjeje zgjidhje edhe për DIA-n. Po mos ta kishim bërë këtë zgjidhje, ka një vendim të ndërmjetëm arbitrazhi, pra urdhër procedural, ku arsyeton vendimin e gabuar të Vjenës për DIA-n. Arsyeton vendimin e gabuar të qeverisë shqiptare, të Entit Regullator dhe thotë se kompetencat e administratorit janë të kufizuara, janë vetëm për mirëmbajtjen e aseteve sipas ligjit në fuqi. Thotë se nuk ka të drejta ta përfaqësojë pronarin, nuk ka të drejtën të përfaqësojë kompaninë pa marrë dakordësinë e bordit drejtues që në atë kohë ishin çekët.

Atëherë çfarë bënë çekët? Ja ngecën këtij dopjogjashtën, na hoqët ne thanë, mbajeni edhe këtë. Ka procesverbale, ata pranuan të bënin dalje të kontrolluar, pra të dilnin dhe të binin dakord për pjesën financiare që ishte shumë më e lartë se sa deklaron ky këtu që gënjen. Ky zgjodhi përzënien sepse donte siç e thashë të mbyllte pa inventar të digjte vendin ku kishte provat e krimit. Vendimi i Vjenës garantonte kompaninë e shpërndarjes duke i thënë ju nuk keni të drejtën të përfaqësoheni. Pra, do të thotë që DIA do të fitonte në tavolinë 135 euro ose shteti shqiptar kishte detyrimin të depozitonte 135 milion euro garanci.

Kjo ishte një goditje e menjëhershme ndërkohë që arbitrazhi do të vazhdonte me vite të tëra dhe sistemi do hante edhe një goditje tjetër. Ne morëm provat, proceduam penalisht atë zotërinë, për falsifikimet dhe mashtrimet që ka bërë me paratë e shqiptarëve. Sot që flasim, çështja DIA ta kam deklaruar se ka një marrëveshje mes OSHEE-së dhe përfaqësueses së DIA-s për ta mbyllur këtë çështje pa asnjë lek.

Po e them këtu, ti dhe disa të tjerë me lidhje nga bota e biznesit, jeni plotësisht të interesuar që DIA të marrë paratë ku nuk është çudi të kesh dhe ti ndonjë copë. Të kam bërë një pyetje. E ke takuar ndonjëherë Rebeka Gaskin në zyrë ti?! E ke takuar? E ke takuar, përgjigju. E ke takuar dhe ke bërë marrëveshje. Siç djali jot, kur kanë ardhur çekët në Shqipëri i ka takuar ai i pari çekët nëpërmjet një ndërmjetësi në Maqedoni. Të gjitha janë, do të dalin këto informacione. Tek martesa jote me çekët, mbles futet djali dhe aty. Ta dish. Do të vazhdoj me këtë histori, sepse sapo ka filluar.

energjia.al 18.11.2015