Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndotja e Gjanicës, naftë dhe ullinj

Inspektoriati i Mbrojtjes së Mjedisit në Fier, drejton gishtin për ndotjen e lumit Gjanicë, edhe nga fabrikat e vajit të ullirit. Sipas këtij insitucioni, uzina e përpunimit të naftës dhe mbetjet e ullirit, kanë ndotur të dielën ujërat e Gjanicës.

Ndotja e lumit Gjanicë në Fier është bërë nga uzina e përpunimit të naftës dhe fabrikat e vajit të ullirit. Inspektoriati i Mbrojtjes së Mjedisit shpjegon se fabrikat e prodhimit të vajit ullirit, ujërat i shkarkojnë në terren dhe nëpërmjet përrenjve derdhen në Gjanicë.

Agron Basholli:Janë fabrikat e vajit të ullirit që e kanë periudhën e punës në këto momente dhe një nga shkaktarët e nxirjes së ujit janë mbetjet e këtyre fabrikave. Por nuk përjashtohet edhe rasti i kompanive hidrokarbure që operojnë përgjatë shtratit të këtij lumi dhe që ne jemi duke i inspektuar.

Agron Basholli pohon se në pjesën hyrëse të lumit Gjanica në Fier ka disa fabrika që mbetjet i derdhin në Gjanicë, por nuk vërtetohet sa kohë që nuk mund të ndërhyhet në shtratin e lumit për kontroll për shkak të bllokimeve nga mbetjet e grumbulluara ndër vite, që kanë bllokuar tubacionet fundore.

Agron Basholli: Është e pamundur të kalosh dhe të kontrollosh të gjithë shkarkimet e operatorëve që punojnë dhe bëjnë shkarkime të tilla.

Pritet që këto ditë Inspektoriati i Mbrojtjes së Mjedisit të nisë kontrollet nga uzina e përpunimit të naftës dhe fabrikat e vajit të ullirit.

Ora News,  17.11.2015