Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pret kabllot, pa energji 18 mijë banorë

Mbi 18 mijë familje e biznese kanë mbetur mbrëmë pa energji elektrike në zonën e Kasharit në Tiranë për shkak të punimeve private të një individi, i cili ka dëmtuar kabllot e tri fidrave, duke lënë gjithë zonën në errësirë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e mesditës, por OSHEE ka vijuar punën deri vonë për të rikthyer energjinë elektrike për zonën, e cila veç familjeve të shumta, është e mbushur edhe me biznese të ndryshme. Sipas të dhënave nga OSHEE, ndërprerja e energjisë elektrike është bërë rreth orës 14:17 minuta, kur është konstatuar se një individ, duke punuar privatisht në zonën e Kasharit, pa marrë asnjë leje paraprake dhe pa kërkuar ndihmën e personave përgjegjës, ka dëmtuar kabllot e tre fidrave 20 kilovolt. Menjëherë pas këtij akti, forcat policore kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për këtë rast, ndërkohë që janë njoftuar edhe grupet e OSHEE-së për të riparuar problemin. Sipas të dhënave nga policia, pas konstatimit të problemit të shkaktuar, janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe materialet procedurale janë dërguar në prokurori për dëmtim të pronës publike. Nga ana tjetër, grupet e OSHEE-së të degës së Drejtorisë së Tiranës, pas njoftimit nga policia, janë vënë në lëvizje për rikthimin e energjisë elektrike pas dëmit të shkaktuar. Burimet zyrtare bënë me dije se nga verifikimet ka rezultuar se janë dëmtuar fidrat 16, 17 dhe 18, që dalin nga nënstacioni 110/20 KV në Kashar. Për shkak të këtij dëmi, gjatë gjithë ditës kanë mbetur pa energji elektrike pallatet në fushën Misto Mame, në zonën e Yzberisht, Unaza e Re dhe disa biznese të rëndësishme, mes tyre edhe “Top Media”. “Numri i abonentëve që kanë mbetur pa energji elektrike është 18 mijë e 702 veta. Lidhur me këtë problem, OSHEE ka bërë kallëzimin përkatës në Komisariatin Nr. 6, kurse policia ka nisur hetimet për ta dërguar autorin para përgjegjësisë ligjore”, deklaroi Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Kurse policia bëri me dije se ka identifikuar një të dyshuar, që sipas dëshmive të banorëve të zonës, i ka dëmtuar kabllot, teksa ka qenë duke kryer disa punime për ndërtimin e një shtëpie private. Policia tha se kërkimet për kapjen e të dyshuarit dhe sqarimin e rrethanave kanë vijuar deri në orët e vona të natës.

Gazeta Shqip, 13.11.2015