Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Progres raporti i BE për mjedisin

Bashkimi Europian promovon veprim të fortë klimatik, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të mjedisit. Ligjet europiane përmbajnë dispozita që adresojnë: ndryshimin klimatik, cilësinë e ujit dhe të ajrit, menaxhimin e mbetjeve, mbrojtjen e natyrës, ndotjen industriale, kimikatet, zhurmat dhe mbrojtjen qytetare.
Shqipëria është në një fazë fillestare të përgatitjes në këtë fushë. Evidentohet progres në mjedis dhe ndryshimin klimatik, megjithatë kontrolli industrial, monitorimi i emetimeve dhe menaxhimi i mbetjeve mbetet i dobët. Mbi të gjitha, burimet mbeten të limituara dhe një investim substancial është i nevojshëm.

Në vitin që vjen Shqipëria duhet në veçanti të:

• Krijojë planifikimin strategjik sistematik, për të zbatuar Kontributin e Përcaktuar Kombëtar, që pritet nga Marrëveshja Klimatike në Paris, në Dhjetor 2015.
• Monitorojë cilësinë e mjedisit dhe të rris kapacitetet administrative.

Strategjia ndërsektoriale për mjedisin nuk është përshtatur akoma. Nevojitet më tepër punë për të armonizuar legjislacionin horizontal mjedisor, në vecanti me Direktivën e Krimit Mjedisor. Konsultimi publik, aksesi në informacion dhe bashkëpunimi me organizatatat e shoqërisë civile është përmirësuar. Hapat fillestare të ndërmarra për të forcuar zbatimin e ligjit duhet të rriten.

Proçesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis ka përmirësim, por nevojitet të forcohet në mënyrë të konsiderueshme, veçanërisht në sektorët e minierave dhe hidrocentraleve.

Në lidhje me cilësinë e ajrit, strategjia kombëtare për cilësinë e ajrit dhe ligji për cilësinë e ajrit janë përshtatur, por kanë nevojë të forcohen. Ndarja e përgjegjësive ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe organeve të zbatimit është e qartë. Ndalimi i duhanit në mjedise të mbyllura, ka rezultuar efektiv.

Shqipëria e ka humbur afatin e Komunitetit të Energjisë, për të zbatuar Direktivën 1999 në përmbajtjen e Sulfurit në karburante. Shkeljet mbi standardet e njohura për cilësinë e ajrit vazhdojnë. Cilësia e ajrit në qytete mbetet shumë problematike.

Planifikimi, koordinimi dhe implementimi i politikave në menaxhimin e mbetjevekanë progresuar shumë pak dhe kapaciteti administrativ mbetet shumë i limituar. Zbatimi i legjislacionit në përputhje me acquis është miratuar në fushat eksportuese dhe tranzitimit të mbetjeve jo të rrezikshme të ndërtimit dhe përdorimit të llumit të ujërave të zeza. Ndarja e mbetjeve është shumë e limituar dhe riciklimi mbetet i rrallë. Shumica e mbetjeve vazhdojnë të hidhen në vendgrumbullime të pasigurta legale dhe ilegale, ose digjen. Mbetjet e rrezikshme spitalore janë një shqetësim i madh.

Në fushën e ujit, menaxhimi i ujit u transferua në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Ujit dhe u krijua Sekretariati Kombëtar i Këshillit të Ujit.

Rregullore të rëndësishme në shfrytëzimin e ujit, sipas Ligjit për Menaxhimin e Integruar të Ujit, janë miratuar. Në përgjithësi, cilësia e ujit larës në dete është përmirësuar, por mbetet i pakënaqshëm në lumenj. Ujërat e zeza të patrajtuara janë burimi kryesor i ndotjes. Duhet të zgjerohen më tej testet që Agjencia Kombëtare realizon për cilësinë e ujit larës, në më shumë pika monitorimi. Në mars, përfundoi impianti i trajtimit të ujërave të zeza në Velipojë, por ende nuk është funksional.

Në fushën e mbrojtjes së natyrës, në shkurt, parlamenti miratoi një amendament në tregtinë ndërkombëtare të llojeve të rrezikuara të florës dhe faunës. Qendra Kërkimore për Florën dhe Faunën tani duhet të konsultohet, para se leja e tregtisë të jepet. U krijua Agjencia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura dhe Agjencia për Bregdetin Shqiptar. Duhet të garantohet një mbrojtje efektive për zona të caktuara të mbrojtura. Investimet në hidrocentralet duhet të bëhen në përputhje me detyrimet e mbrojtjes së natyrës, në veçanti për zonat e mbrojtura dhe në zonat me vlera natyrore të larta, që të kryhen në përputhje me acquis, në veçanti me Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Direktivën Kuadër të Ujit dhe Direktivat e Zogjve dhe Habitateve.

Në fushën e kontrollit të ndotjes industriale dhe menaxhimin e rrezikut, ligji për transpozimin e direktivës së BE mbi kontrollin e rreziqeve të mëdha të aksidenteve ende nuk është miratuar. Masat parandaluese nuk janë zbatuar dhe gadishmëria në rast rreziku nuk është aplikuar. Vetë-monitorimi i emetimeve nuk është i besueshëm. Në tetor, u ngrit një grup pune për të inspektuar zbatimin e kritereve mjedisore, nga kompanitë e naftës.

Një ligj kuadër për menaxhimin e kimikateve nuk është miratuar ende. Një vendim rregullues i importit të gazrave të ozonit u ndryshua në përputhje me angazhimet e Shqipërisë në kuadrin e Protokollit të Montrealit.

Në lidhje me zhurmën mjedisore, një urdhër i përbashkët i Ministrave të Transportit dhe të Mjedisit është miratuar, i cili përcakton rregullat për mbrojtjen nga zhurma e avionëve. Ai transpozon vetëm pjesërisht direktivat e BE-së.

Sa i përket mbrojtjes civile, strategjia kombëtare 2014-2018 për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe mbrojtja civile nuk është miratuar ende. Përmbytjet në jug të vendit në muajin shkurt treguan nevojën që ka Shqipëria për të forcuar më tej kapacitetet e saj në këtë sektor.

Në lidhje me ndryshimin e klimës, Shqipëria duhet të zhvillojë një politikë gjithëpërfshirëse dhe strategji të qëndrueshme me kuadrin e BE-së 2030. Përpjekje të konsiderueshme janë të nevojshme për të integruar plotësisht cështjen e klimës në të gjitha politikat përkatëse sektoriale. Përgatitja e planit kombëtar për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike ka filluar. Kontributi i Përcaktuar Kombëtar, për Marrëveshjen Klimatike të Paris-it, është miratuar në shtator. Harmonizimi me rregulloren e mekanizmit monitorues të BE-së duhet të jetë një prioritet. AKM-ja ka forcuar kapacitetet e saj administrative në mënyrë të konsiderueshme.

Sistemi i monitorimit mjedisor është përmirësuar, por ka nevojë për më shumë financime. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit ka ndërmarrë hapat e parë për të forcuar zbatimin e ligjit. Zbatimi i paplotë i legjislacionit, në veçanti në sektorin e ujit dhe burimet logjistike të kufizuara kanë penguar funksionimin normal të inspektoratit.

Ekolëvizja,  12.11.2015