Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Raporti i BE, progres në energji

Komisioni Europian ka publikuar ditën e sotme Raportin e Progresit që mbulon zhvillimet e ndodhura në vitin 2014. Komisioni konstaton se Shqipëria ka shënuar progres sa i takon energjisë, specifikisht duke përshtatur legjislacionin e saj me atë të Bashkimit Evropian dhe përmirësimin e nivelit të arkëtimeve të faturave të energjisë.

Sa i takon tregut të brendshëm energjitik, raporti thotë se Ligji i ri për Sektorin Energjitik që u miratua në Prill përputhet me paketën e tretë rregullatore. Ndërkaq, edhe ligji i ri për sektorin e gazit është miratuar Shtatorin e vitit 2015.

“Enti Rregullator i Energjisë miratoi strukturën e re tarifore të energjisë për vitin 2015. Në vitin 2014, humbjet jo teknike (vjedhjet) u reduktuan në 44% të totalit të humbjeve në shpërndarje, krahasuar me 61% që ishin një vit më parë. Përqindja e mbledhjes së faturave u rrit në 92.6% në vitin 2014 krahasuar me 83% që ishte në vitin 2013. Në Shkurt, qeveria miratoi planin e rimëkëmbjes financiare të sektorit energjitik dhe planin e veprimeve për pesë vitet e ardhshme. Pavarësisht përpjekjeve për të pastruar borxhet e akumuluara përpara vitit 2014, ende borxhet e papaguara ndaj kompanive publike vazhdojnë të krijojnë vështirësi financiare edhe për operatorët privat në sektorin e energjisë”, pasqyron raporti i progresit.

Raporti ndalet edhe tek raporti me fqinjët dhe ndërlidhja e energjisë përmes sistemeve të interkonjeksionit.

“Sa i takon sigurisë së furnizimit, përgatitjet e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në vazhdim. Ato u vonuan paksa për shkak të zbulimit të një zone arkeologjike në terren. Puna për ndërtimin e linjës 110 kV të transmetimit në Jugun e Shqipërisë ka vazhduar. Ndërkaq, është kryer studimi i fizibilitetit dhe impakti mjedisor për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë”, thuhet në raport.

Më tej, dokumenti konstaton se në Janar, është firmosur një marrëveshje për anëtarësimin e OST-së në rrjetin evropian të sistemeve të transmetimit ENTSO-E.

“Shqipëria ka arritur të mbulojë 100% të kërkesës së saj për energji nga burimet ujore, edhe pse u prodhua 32% më pak energji në vitin 2014 krahasuar me vitin 2013 për shkak të një viti të keq hidrologjik. Puna për ndërtimin e gazsjellësit Trans-Adriatic ka filluar në muajin Korrik. Projekti për ndërtimin e një gazsjellësi degëzim Jonian-Adriatic Pipeline (IAP) u prezantua në një deklaratë të firmosur nga Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi dhe Kroacia. Shqipëria vazhdon përgatitjet për hartimin e një masterplani të gazit ndërsa TEC-i i Vlorës vazhdon të jetë jo funksional”, sqaron raporti.

Dokumenti i Brukselit shkruan se ligji për hidrokarburet është amenduar në Mars duke vendosur kërkesa të reja për një raportim sa më transparent. “Si rezultat i kontrollit të parë dhe verifikimeve të ushtruara në terren në muajin Maj, Shqipëria revokoi 23 licen ca të kompanive të tregtimit të Hidrokarbureve. Shqipëria vazhdon të plotësojë detyrimin për të mbajtur rezervat vendase që i korespondojnë 90 ditëve të importit”, thotë raporti.

Në raport kërkohet që tanimë fokusi të jetë tek përmirësimi i rimëkëmbjes financiare të kompanisë së gjenerimit të energjisë dhe për të siguruar qëndrueshmërinë ekonomike të sektorit energjetik duke reduktuar humbjet dhe përmirësuar edhe më tej nivelin e arkëtimeve të faturave.

Kërkohet gjithashtu që të miratohet dhe zbatohet strategjia kombëtare e energjisë dhe të implementohet ligji i sektorit energjitik miratuar Prillin e vitit 2015.

Komisioni kërkon edhe përqëndrimin tek efiçenca e energjisë dhe plani kombëytar për energjitë e rinovueshme.

Komisioni ngre shqetësimin për mospërmbushjen ende të kërkesave të Komunitetit të Energjisë për një plan veprimi për energjitë e rinovueshme. Ndërkaq, në Tetor thotë raporti, legjislacioni për sektorin e Hidrokarbureve u amendua dhe përfshinte prodhimin transportimin e tregtimin e bio-fuels dhe burimeve të tjera të rinovueshme.

Komisioni thotë se ende nuk është miratuar nga parlamenti ligji për efiçencën e energjisë në banesa ndërsa ende nuk është miratuar edhe plani i dytë kombëtar për efiçencën e energjisë.

energjia.al  11.11.2015