Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shteti kosovar, i painteresuar për gazin në Lipjan

Në fshatin Torinë të Lipjanit, banorët lokalë gjatë shpimeve për kërkim të ujit, kanë gjetur gaz. Ata kanë njoftuar organet kompetente shtetërore për këtë, duke shpresuar se kanë gjetur diçka të vlefshme, por qeveria sipas tyre shprehet e painteresuar. Megjithatë ata kanë kontaktuar një kompani ruse, e specializuar për hulumtime të gazit natyror.

Familjet Ilazi dhe Ajeti nga Torina e Lipjanit, pronat e të cilëve nuk kanë më shumë se 100 metra distancë mes vete, po besojnë se poshtë tokave të tyre ndodhet një materie e lëngshme, me vlerë të madhe.

Ata po besojnë se aty ka gaz natyror.

Dhe nëse gazi të cilin ata e kanë gjetur në 50 deri në 80 metra thellësi del të jetë në sasi të madhe, atëherë rritja ekonomike e Kosovës, do të mund të fillonte të ecte me shifra të tjera.

Megjithatë, entuziazmin e tyre, nuk e kanë edhe qeveritarët. Ata deri tani nuk është se janë interesuar shumë për këtë.

Emin Ilazi shprehet i bindur se aty ka gaz të pastër dhe për këtë thotë ta ketë njoftuar edhe Qeverinë. Ai në një bisedë për lajmi.net tha se mostrat janë marr, por ende nuk kanë marr përgjigje, për t’ua konfirmuar një gjë të tillë.

“Kemi fillu një pus për ujë të pijes, e kemi qu 82 metra pas tre ditë ka dalë gazi, por që tre ditë është duke pushu. Tri ditë ka qenë i dhezun. Kanë qenë me kqyr po kurgjo më shumë, i kanë marr mostrat por ende s’ka pasur kurgjo”.

Qeveria, siç thotë ai, është duke fjetur dhe nuk po interesohet aspak për pasuri të tilla.

“Ky është gaz i pastër, mirëpo sa është rezerva e tij ende nuk e dimë. Qeveria po flen sikurse qeky gazi jonë që po pushon tani”, tha më tej ai.

Nga ana tjetër, ka më shumë se një vit që Nexhat Ajetit i ka ndodhur i njëjti rast, ani pse përgjegjësit e këtyre çështjeve i kanë thënë se nuk ka gaz të mjaftueshëm. Por ai e dëshmoi edhe sot se edhe pas më shumë se një viti nga aty vazhdon të dalë gaz.
“Migja ka dasht me qel një bunar me mjete të moçme me “qekërrk” deri në 20 metra së paku. Por nuk ka pas ndonjë shenjë për ujë. Më pas kemi shku më shumë se 50 metra ku edhe ka pasur një shpërthim shumë të fort. Ne kemi dyshu që është gaz”, ka thënë Nexhat Ajeti.

Ai tha se ka qenë edhe kryetari i komunës së Lipjanit, e shumë të tjerë të cilët e kanë parë gjendjen por edhe sot siç thotë ai, gjendja mbetet e njëjtë sikurse para një viti dhe nuk është thënë asgjë definitive nga askush.

“Jemi duke pritur donatorë apo investitorë për të na ndihmuar dhe po ashtu kemi mbet keq pasi mixha ka filluar shtëpinë, duke mbetur peng qe një vit për shkak të kësaj. Na pe shohim çfarë Qeverie kem, ata janë duke luftuar vetëm për karrige dhe xhep të vetin”, vlerëson ai.

Por është dikush që si duket ka treguar interes për të hulumtuar rastin në Torinë të Lipjanit.

Ajeti tha se ka kontaktuar një kompani ruse “ST werbung” pronari i së cilës është shqiptaro-rus, dhe po i njëjti, siç tha Ilazi, merret me raste të ngjashme. Ky i fundit i ka premtuar se shumë shpejtë do ta ketë një përgjigje.

Telegrafi,  05.11.2015