Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ja kush fshihet pas akuzave të PD për CEZ

Deputeti socialist, Besnik Bare, ka akuzuar sot Partinë Demokratike dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, duke thënë se janë kthyer në zëdhënës të njëri-tjetrit. Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, deputeti Bare ka thënë se është detyrë e tyre të informojnë publikun me shifra dhe fakte që tregojnë të vërtetën. Sipas tij, në vitin 2013 ekonomia ka qenë në ditën më të zezë të saj, të tkurrur në nivelet e 0 përqindëshit.

Deklarata e plotë e deputetit Besnik Bare:

Që Partia Demokratike dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit janë kthyer në zëdhënës të njeri-tjetrit, këtë e kanë marrë vesh të gjithë. Skema është shumë e qartë: Partia Demokratike akuzon, KLSH merr akuzat e PD dhe i kthen në raporte, dhe në fund PD merr këto raporte dhe i paraqet si të vërteta. Por gjithsesi, pavarësisht se Partia Demokratike duket se e ka zgjedhur rrugën e saj, është detyrimi ynë që të informojmë publikun me shifra dhe fakte që tregojnë të vërtetën. Në shtator të vitit 2013, e gjetëm ekonominë në ditën më të zezë të saj, të tkurrur në nivelet e 0 përqindëshit. Që në tremujorin tonë të parë të qeverisjes, ne arritëm të thyejmë trendin negativ dhe pas disa tremujorësh që shënonin rënie, kthyem trendin pozitiv të rritjes ekonomike, duke bërë që viti 2013 të mbyllej me 1.1% rritje.

Gjatë vitit 2014 ekonomia vazhdoi rrugën e saj të qëndrueshme të kthesës duke e ruajtur trendin e qëndrueshëm pozitiv çdo tremujor pas shtatorit 2013. Viti 2014, u mbyll me një rritje prej 2.2%. Rritja vazhdon inkurajuese edhe përgjatë 2015. Gjatë tremujorit të parë 2015, produkti ynë i brendshëm bruto u rrit me 2,7 % kundrejt tremujorit të parë të vitit 2014. Gjatë tremujorit të dytë 2015 u rrit me 2.5% krahasuar me të njëjtë periudhë të një viti më parë. Duke mbështetur plotësisht parashikimet tona, të konfirmuara edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë si FMN e BB për një rritje vjetore afër 3% për këtë vit. Për dy vite rresht, mazhoranca ka miratuar bashkë me buxhetin paketa fiskale të cilat kanë ardhur me masa lehtësuese dhe jo shtrënguese.

Në paketën e vitit 2014 u prezantuan 10 masa lehtësuese me efekt prej (9.75) miliardë lekë; Më shumë lekë për konsumin, më shumë lekë për investimet në xhepat e qytetarëve. Masa të cilat bënë që 97% e shqiptarëve të paguajnë më pak taksa dhe të merrnin deri një rrogë më shumë në vit nga heqja e taksës së sheshtë dhe vendosja e taksimit të ndershëm. Me futjen e taksimit të ndershëm, pra taksës progresive, sot çdo polic, mjek, infermier, mësues etj., merr nga 20 mijë lekë më shumë në muaj deri në 314 mijë lekë më shumë në vit, pra një rrogë më shumë në vit.

Në paketën e vitit 2015 u prezantuan 12 masa të reja lehtësuese me efekt (1.48) miliardë lekë; kryesisht për lehtësimin e prodhimit, sidomos në bujqësi. Si në asnjë vend tjetër në të gjithë Ballkanin dhe vendet e prekura nga kriza, në Shqipëri nuk është marrë asnjë masë shtrënguese për të ulur pagat dhe pensionet, përkundrazi sot çdo qytetar përfton nga 2 deri 40% pension më të lartë, si rrjedhojë e rritjes së kontributeve dhe reformës historike të pensioneve. Partia Demokratike akuzon për mos mbledhje të ardhurash nga tatimet dhe doganat. Por le të marrim të dhënat dhe të krahasojmë qeverinë tonë me qeverisjen e tyre. Viti për të cilin opozita akuzon, pra viti 2014, është 242.2 milionë Euro më shumë të mbledhur se sa viti më i mirë i Partisë Demokratike, gjate 8 viteve të tyre në qeveri. Pra faktet janë kokëfortë dhe tregojnë qartë se qeveria e re është shumë më efikase se qeveria e PD në mbledhjen e të ardhurave.

Të ardhurat totale në shtator rezultuan 0.13% më shumë se viti 2014 dhe 20.3% më shumë se viti 2013. Për 9-mujorin e vitit 2015 janë realizuar 279 miliardë lekë, ose 4.6% më shumë se vitin e kaluar dhe 34.6% më shumë se viti 2013. Në 9 mujor janë mbledhur 88 milionë Euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti me parë. Po në këtë 9 mujor janë mbledhur 242.2 milionë Euro më shumë sesa viti më i mirë historik i Partisë Demokratike.

Partia Demokratike akuzon për OSHEE, kur në fakt gjatë tetë viteve të tyre në qeverisje, humbjet në rrjet ishin 52%%, kryesisht si pasojë e të gjithë atyre që energjinë e harxhonin, por nuk e paguanin. Vetëm në 1 vit, qeveria e re i uli humbjet në 25% dhe sot për herë të parë OSHË është një kompani publike, e cila fitimet e saj i investon për të ofruar një shërbim më të mirë, gjë e cila kishte të paktën 10 vjet që nuk ndodhte.

Flasin për CEZ, kur ishte pikërisht Partia Demokratike ajo që në fillim e privatizoi kompaninë në mënyrë arbitrare, më pas e moli vit pas viti si të ishte lopë e në fund, kur nuk i kish ngelur gjë, e nxori nga vendi me policë duke i rrezikuar Shqipërisë një gjobë prej 802 milionë Euro. Kurse tani që kompania u rikthye në një aset kombëtar fitimprurës, tani që Shqipërisë i shpëtoi jo vetëm imazhi, por edhe paratë që rrezikonte të linte në arbitrazh, opozita gjen kurajo të akuzojë.

Çmimi i energjisë, nuk u rrit, por u ul. E tregojnë faturat që njerëzit kanë në dorë, përkundër gjithë baltës së turpit të atyre që kanë zgjedhur baltën për të bërë politikë, duke sulmuar një reformë jetike që ka për kryefjalë detyrimin ndaj fëmijëve tanë.

E gjetëm kompaninë me 52 % humbje nga vjedhjet e abuzimet dhe me thuajse zero investime. Ndërkohë humbjet në 9 mujorin e parë të 2015-s janë 31 %, ndërsa në shtator 25 %. Një shifër historike që asnjë nga partnerët ndërkombëtare të përfshirë në këtë reformë, nuk e besonte si të arritshme kur ne e parashikonim. Reduktimi i humbjeve ka sjellë që në vend se 53 milionë Euro të shkonin për të importuar energji, të shkojnë për të ripërtërirë rrjetin. Njerëzit me të drejtë ankohen për ndërprerje, për cilësi të ulet të energjisë, luhatje tensioni, etj, por njerëzit duhet ta dinë se ne kemi trashëguar një rrjet që në 80 % të tij është i epokës së elektrifikimit.

200.654 abonentë familjarë kanë përfituar 40 milionë Euro nga 80 % ulje të kamatë vonesave, ndërkohë që skema të tjera lehtësuese vazhdojnë të ofrohen edhe sot. Sot qytetarët nuk kanë nevojë të lëvizin jashtë shtetit apo të vijnë në Tiranë për të kryer hemodializën, pasi ky shërbim do të shtrihet në Korçë, Lezhë dhe Vlorë. Vit pas viti po rritet me qindra numri i pacientëve që kanë akses në këtë shërbim dhe vetëm për 8 mujorin e këtij viti kanë përftuar 885 pacientë.

Sigurisht që kjo mazhorancë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim të japë prova dhe fakte që kundërshtojnë raportin e KLSH, por në ndërkohë, është detyrimi ynë që të hedhim poshtë pretendimet e Partisë Demokratike, të cilat nuk janë asgjë më shumë se sa shpifja e tyre e radhës. Ata që e zhyten vendin në borxhe dhe papunësi për tetë vite me radhë, nuk e kanë sot të drejtën për të akuzuar, pasi fillimisht atyre u takon të përgjigjen për zullumet e tyre.

Sot News,  05.11.2015