Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konsulli i nderit, evazion me karburantet

Në skandalin e karburanteve, ku biznesmenët mashtruan shtetin, duke i marrë rreth 5 milionë dollarë nga mospagimi i taksave dhe mosdeklarimi i të ardhurave, është përfshirë edhe konsulli shqiptar i nderit në Turqi. Nga burimet policore mësohet se bëhet fjalë për shtetasin Ibrahim Aktoz, ish-drejtor i ALPET, i cili është shpallur në kërkim. Që prej disa vitesh, ai është konsulli ynë i nderit në Turqi. Më tej mësohet se prokuroria ka nxjerrë urdhër-arresti ndërkombëtar për ish-pronarin e kompanisë së karburanteve “Alpet” shtetasin turk, Ekrem Ozmetel. Kurse dje në Tiranë janë lënë në burg nga gjykata Aurel Prendi dhe Fiqiri Hoxha, dy përfaqësuesit shqiptarë të karburanteve.

Konsulli i nderit

Në skandalin e hidrokarbureve rezulton i përfshirë edhe diplomati shqiptar në Turqi, pranë vilajetit Anda, Ibrahim Aktoz, i cili deri pak kohë më parë ishte drejtor i Përgjithshëm i “Alpet”. Ibrahim Aktoz ish-drejtor i ALPET, aktualisht në kërkim, mësohet se për shumë vite dhe aktualisht është konsulli ynë i nderit në Turqi. Ndërkaq, mësohet se Aktoz e ka lënë Shqipërinë prej 3 muajsh, kohë në të cilën është larguar për në Turqi. Vetë ambasada shqiptare në Turqi konfirmon për mediat se Aktoz është konsull nderi i Shqipërisë në Turqi prej vitit 2011. Ibrahim Aktoz ka qenë drejtori i përgjithshëm i kompanisë së karburanteve “Alpet”, e cila është mbyllur. Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës thotë se Aktoz në bashkëpunim me të tjerët krijuan disa kompani të tjera, ku përfshihen “Balkan Petroleum Albania” dhe “Balkan Petroleum International”, për të bërë shitblerje fiktive të aseteve. Të njëjtën skemë, këta persona e përdorën dhe me kompaninë e krijuar rishtazi “Fullpet”, ku si administrator rezulton Ekrem Ozmetel. Ndërkaq, në vitin 2013 Ibrahim Aktoz i ka shitur Ozmetelit 20 për qind të aksioneve.

Burgu në Tiranë

Ditën e djeshme, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” dy biznesmenët e hidrokarbureve, pasi dyshohen se kanë kryer 3 vepra penale. Ata akuzohen për “Fshehje të të ardhurave”, “Mospagim taksash dhe tatimesh” dhe për akuzën e “pastrimit të parave” në bashkëpunim. Kështu, togat e zeza të Tiranës vendosën dje që Aurel Preni dhe Fiqiri Hoxha, i cilët u kapën para pak ditësh në kuadër të operacionit “Karburanti” do të qëndrojnë në burg deri në një vendim tjetër. Sipas akuzës, dy biznesmenët në bashkëpunim me 3 persona të tjerë, të shpallur në kërkim nga dhjetori i 2012-s deri në prill të 2014-s, nuk deklaruan faturat tatimore të shitblerjeve, kanë përpiluar fatura fiktive e shkelje të tjera ligjore që kapin shifrën e miliona lekëve.

Skandali i karburanteve

Interpol ka shtuar në listën e personave në kërkim biznesmenin turk, Ekrem Ozmetel, ortak i konsullit, si dhe ortakun tjetër shqiptar, Fabian Goçin. Ndërkaq, në Tiranë u arrestua Aurel Preni, pronari shqiptar i kompanisë së hidrokarbureve “Fullpet” dhe Fiqiri Hoxha. Prokuroria thotë se në dy vite, përfshi 2012-2014, këta shtetas nuk deklaronin shitblerjen reale të karburantit, nuk paguanin sigurimet shoqërore të punonjësve, si dhe fshihnin të ardhurat për t’iu shmangur tatim-fitimit. Në kompaninë “Fullpet”, mbi të cilën u kryen hetimet, Preni rezulton aksioner në vlerën e 100 për qind dhe Ekrem Ozmetel është administrator i kësaj firme deri në maj të vitit 2018. Nga hetimet rezulton se nuk janë deklaruar pagesat për vitin 2012 ndaj furnitorit sh.a “Genklaus” për blerje karburantesh dhe shitjen e tyre. Ka diferenca të konsiderueshme në deklarimin e të ardhurave me kasë për vitin 2013 krahasuar me deklarimin e tij në Sistemin Informatik tatimor për qarkullimin e mallrave. Nuk ka pasqyruar sakte komisionet e shitjes për shërbimin e kryer duke ulur të ardhurat e deklaruara. Janë lënë pa deklaruar fatura tatimore të shitjes dhe të blerjes duke mos deklaruar realisht sasitë e karburanteve dhe komisionet e shitjes. Prokuroria thotë se janë pasqyruar si blerje fatura tatimore që nuk i përkasin subjektit dhe janë deklaruar në blerje vlera kreditore në një kohë që mungojnë faturat apo kopje e noterizuar e tyre. Një tjetër akuzë është se kjo shoqëri nuk ka deklaruar dhe dorëzuar pranë organeve tatimore pasqyrat financiare dhe Formularin e Deklarimit dhe Pagesës për “Tatimin mbi fitimin për vitin 2013.

Gazeta Shqip, 04.11.2015