Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE: Investime në Shëngjin dhe Lezhë

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri shoqëruar nga administratori i OSHEE-së Z.Adrian Çela inspektuan investimet që po kryhen në zonën e Shëngjinit. Kompania e shpërndarjes ka filluar të ndërhyjë në rikonstruksionin e kabinave aktuale dhe ndërtimin e tre të rejave. Kapaciteti i kabinave do të rritet me 8 herë ndërsa po shtrihet edhe linja me kabllo ABC që garantojnë një cilësi më të lartë të furnizimit.

Vetëm në këtë fazë, zonën e Shëngjinit investimi kap vlerën e 100 mijë euro ndërsa synon jo vetëm rritjen e sigurisë teknike por edhe përmirësimin e cilësisë së furnizimit dhe uljen e humbjeve teknike.

OSHEE po investon edhe në Ishullin e Lezhës ku po punohet për ndërrimin e linjës së unazës, zonë ku vazhdimisht ka patur probleme me furnizimin.

Ministri Gjiknuri deklaroi se arkëtimet e shtuara për shkak të përgjigjes pozitive të të gjithë konsumatorëve shqiptar do të përkthehen në investime. Sipas tij, rrjetit shqiptar i kanë munguar investimet prej kohësh por kompania ka një program konkret të mbështetur nga qeveria për të shtrirë investimet në të gjithë zonat ku ka konsum të madh të energjisë dhe ku energjia paguhet.

“Kemi një proces tashmë të miratuar 4 vjeçar investimesh të cilat do ta ngrenë sistemin energjetik shqiptar dhe do ta sjellin besoj në krye të disa vjetëve në parametra bashkëkohorë, me një furnizim shumë më të mirë, por edhe një reduktim drastik të humbjeve, krahas rezultateve shumë të larta që janë arritur këto dy vite. Paratë që paguhen po shkojnë në dobi të qytetarëve nëpërmjet investimeve dhe një shërbimi më të mirë me energji elektrike”, nënvizoi Z.Gjiknuri.

OSHEE do të investojë në fazën e dytë edhe për sistemimin e nënstacionit të Lezhës që njihet për problematikën e përmbytjeve të vazhdueshme.

“Kemi filluar nga sistemimi i kabinave që janë ndërtuar që në fund të viteve ’60 dhe nuk është vënë më dorë. Së shpejti fillojmë edhe fazën e dytë të investimeve për sistemimin e nënstacionit të qytetit të Lezhës, që është një nënstacion që sa herë bie shi përmbytet pasi është nën nivelin e detit. Situatë që e bën të pashmangshme stakimin e detyruar të energjisë deri në largimin e ujit. Jemi të vendosur që me investimet e fazës së dytë ti japim zgjidhje këtij problemi”, u shpreh administratori i OSHEE-së Z.Çela.

Ministri Gjiknuri dhe administratori i OSHEE-së inspektuan edhe punën që po kryhet për ndërtimin e një linje të re të dedikuar të energjisë për hidrovorin çka pritet të reduktojë në maksimum efektin e përmbytjeve në këto zona.

energjia.al  03.11.2015