Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Centrali i parë me panele diellore në Kosovë

E mërkura ishte ditë e veçantë për fshatin Gjurgjevik i Madh të Klinës. Aty, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), KEDS, ZRRE dhe kompania sllovene Rudis kanë lëshuar në punë centralin e parë elektrik që prodhon energji nga panelet solare.

Janë disa rënde me panele të vendosura në një lëndinë buzë malit, të cilat filluan prodhimin që nisi të plasohej në rrjetin distributiv. Pajme të tilla shihen në vendet e zhvilluara.

Investim i bërë nga Rudis dhe me mbështetje të KEDS-it, sidomos rreth përshtatjes së rrjetit ka një kapacitet prej 102 kilovatësh me synim të trefishimit të kapaciteteve në periudhën e afërt kohore.

“Ky investim i jashtëm është një lajm i mirë për Kosovën. Tregon gjithashtu përkushtimin tonë që të kemi energji elektrike alternative. Është bërë shumë punë para se të arrihet deri tek kjo ditë nga të gjithë akterët e kyçur, si MZHE, KEDS, ZRRE dhe Rudis. U gjetën të gjitha akordet dhe erdhi edhe koha kur po lëshohet në punë”, tha Drejtori Gjeneral i KEDS-it, George Karagutoff.

“Secili investim i këtij lloji është ndihmesë për energjetikën në përgjithësi. Investimi në kapacitetet lokale, na bën më të pavarur dhe kjo është një gjë e mirë për vendin”, shtoi ai.

Mbështetës i madh i projekteve të tilla është edhe MZHE.

“Pos projektit madhor të TC Kosova e Re, MZHE është fokusuar edhe në dy nënsektorë të rëndësishëm: energjinë e renovueshme dhe eficiencën. Në këtë aspekt është synim yni që deri në vitin 2020 të kemi 25 për qind të prodhimit energjetik nga energjia e renovueshme. Pjesë e sajë është edhe ky park solar. Kjo pamje shihet rrallë në rajonin tonë. I përgëzoj të gjithë ata që ishin pjesë e projektit”, tha Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci. “Ne do të jemi përkrahës të mëdhenj të iniciativave të tilla”, shtoi ministri Stavileci.

Investitorët kanë gjetur një frymë miqësore në Kosovë. “Jemi të lumtur me inaugurimin e këtij projekti. Falënderoj të gjithë ata që na ndihmuan, veçanërisht KEDS-in që ishte vazhdimisht përkrah nevojave tona. Ky projekt do të zgjerohet dhe tregon përkushtimin tonë që të investojmë në Kosovë”, tha Dejan Bash, drejtor i projekteve në Rudis.

Ndërsa, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), që ka përcaktuar tarifat edhe për energji solare, paralajmëroi investime të tjera në sektorin e energjisë alternative.

“Ky projekt duhet përshëndetur. Por, nuk do të mbetemi me kaq. Investime të tilla do të bëhen edhe në të ardhmen”, tha Enver Halimi, kryesues i Bordit të ZRRE-së.

Telegrafi,  23.10.2015