Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE, investime në rrjetin e Tiranës

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri dhe administratori i Përgjithshëm i OSHEE-së Z. Adrian Çela inspektuan sot një zonë të qytetit të Tiranës në të cilën nisi investimi për ndërtimin e rrjetit të ri të shpërndarjes.

Investimi në njësinë e inspektuar arrin në vlerën rreth 550 mijë dollarë, shtrihet nga Selita deri në zonën pranë shkollës “Vasil Shanto” dhe më tej deri në rrugën e Kavajës duke përmirësuar cilësinë e furnizimit për rreth 15 mijë konsumatorë. Kjo zonë ka një konsum të lartë të energjisë dhe për shkak të rrjetit të amortizuar vuan nga defektet e shumta, sidomos në sezonin e dimrit. Punimet nisin në shtator dhe afati i përfundimit të tyre është tre muaj.

Ministri Gjiknuri deklaroi se këto investime janë në përputhje me vizionin e qeverisë që rikthimi i ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike, rritja e arkëtimeve, të shoqërohen me përmirësim të cilësisë së furnizimit.

“Investimet këtë vit po vazhdojnë në të gjithë Shqipërinë dhe është një fond gati prej 5 miliard lekësh, pra afërsisht 50 milion dollarë, të cilat po investohen nga korporata për përmirësimin e infrastrukturës energjetike përsa i përket shpërndarjes. Mesazhi është shumë i thjeshtë, shumë i qartë dhe besoj i kuptueshëm për të gjithë qytetarët. Kontributi i tyre, pagesat që janë shtuar, ulja e humbjeve po përkthehet ne investime dhe sjell siguri më të madhe për sistemin tonë energjetik, tarifa më të qëndrueshme të energjisë elektrike dhe e bën vendin më të sigurtë nga pikëpamja energjetike. Këto politika po përkthehen gjithmonë në dobi të qytetarëve”, u shpreh Ministri.

Ndërkaq, administratori i OSHEE-së Z.Çela deklaroi se kompania po i kushton vëmendje edhe zonave që janë të rregullta me pagesat e energjisë por kërkojnë një cilësi më të mirë furnizimi duke shmangur defektet.

“Investimet vetëm për Tiranën qytet, për këtë vit parashikohen të arrijnë në 240 milion lekë. Ato synojnë vendosjen e një rrjeti të ri, dhe kthimin e  linjave 6/10 kV në 20kV, me linja moderne dhe cilësore, kabina, transformatorë të rinj. Aktualisht po ndërtohet edhe në zonat rreth Rruga Ura – Shkozë, Don Bosko, Siri Kodra. Pritet të nisë këto ditë një tjetër investim i rëndësishëm, ku pas 10 vitesh, Qytetit Studenti do ti vendosen transformatorë të rinj, si dhe pajisje moderne për kabinat. Pa përmendur investimin e 200 milion lekë të reja investim që u bë në nënstacionin e mbas hoteli Tiranës, si dhe investimet që janë në pjesën tjetër rurale të qytetit. Kompania nuk ka objektiv të saj vetëm uljen e humbjeve jo teknike apo mënjanimin e vjedhjeve, por ka edhe atë të ofrimit të shërbimit të furnizimit cilësor të qytetarëve dhe të atyre që paguajnë korrekt energjinë elektrike ”, theksoi Z.Çela.

energjia.al  23.09.2015