Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Avokati i OSHEE: Meta nuk përmendet

Zbardhet brendia e mesazhit që avokati i palës shqiptare, Tim Schreiber, i kompanisë “Clifford Chance”, i ka dërguar Avokaturës së Shtetit, pas disa akuzave të bëra në media dhe nga Partia Demokratike për implikimin e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, në marrëveshjen CEZ-DIA.

“Referuar e-mailit tuaj datë 27 gusht 2015, në kundërshtim me çka disa gazetarë janë përpjekur të spekulojnë, OSHEE-ja në dosjen e depozituar në arbitrazh kundër DIA ltd (Ishujt Virgin Britanik) nuk e ka përmendur zotin Meta si një përfitues transfertash të parave apo praktika të tjera korruptive, në lidhje me marrëveshjen e mbledhjes së borxhit mes OSHEE dhe DIA”, shkruan në e-mailin e tij Tim Schreiber.

Zyra e shtypit e kryeministrit më datën 3 shtator, publikoi një deklaratë ku hodhi poshtë pretendimet e medias dhe të Partisë Demokratike për implikim të Metës në çështjen CEZ-it. Ndërkohë, nga dëshmia e ish-kreut të “CEZ Albania”, Hejcek, e publikuar në media, vërtetohet se personi që e ka prezantuar atë me Kastriot Ismailajn, ka qenë ish-ambasadori i Shqipërisë në Pragë, Qazim Tepshi. Ish-ambasadori Tepshi, Ismailaj dhe vetë Hejcek, kanë takuar Bujar Nepravishtën, kryetarin e atëhershëm të Entit Rregullator të Energjisë dhe këshilltarin e tij, Ahmeti, për të vendosur për të gjithë procedurat.

Ish-kryeministri Sali Berisha pretendoi në seancën e djeshme parlamentare se kryetari aktual i Kuvendit, Ilir Meta, ka influencuar në zgjedhjen e kompanisë për mbledhjen e borxheve, duke iu referuar dëshmisë së Hejcek. Në dëshminë e dhënë nga Josef Hejcek rezulton se ka qenë ish-ambasadori i Shqipërisë në Pragë, zoti Qazim Tepshi, i cili e ka prezantuar me Kastriot Ismailajn.

“Qeveria shqiptare propozoi që të gjeja dikë që të kishte njohuri me botën e biznesit shqiptar. Zoti Tepshi, që ishte në atë kohë ambasador aktiv në Pragë, pas diskutimeve me ministrin e Punëve të jashtme (Ilir Meta) performoi në rolin e tij si këshilltar i qeverisë shqiptare në marrëveshjet me operacionet ndërkombëtare të CEZ në Pragë.

Ai rekomandoi zotin Kastriot Ismailaj si një mbledhës borxhesh të jashtme dhe e prezantoi atë si një aleat të ministrit të Jashtëm dhe të kryeministrit Sali Berisha. Kjo mund të ketë ndodhur në vjeshtën e vitit 2009”, pretendon Hejcek në deklarimin e tij. Qazim Tepshi ka qenë ambasador në Pragë gjatë qeverisjes së Berishës dhe më parë ka qenë deputet i Parlamentit të Shqipërisë.

Gazeta Shekulli, 08.09.2015