Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shpërthejnë eksportet dhe nafta drejt Kosovës

Eksportet e lëndëve djegëse e energjisë dyfishohen. Kosova ka kaluar në partnerin e dytë për eksporte, pas Italisë, me 9.1% të totalit…

Pas një ngërçi të viteve të fundit, eksportet drejt Kosovës kanë lulëzuar në pjesën e parë të këtij viti, sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT.

Në periudhën janar-korrik 2015, u eksportuan drejt Kosovës produkte me vlerë 13.7 miliardë lekë, me një rritje prej 47% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Me këtë rritje, Kosova ka kaluar në partnerin e dytë tregtare të Shqipërisë, me 9.1% të totalit, ndërsa vazhdon të kryesojë Italia, me 48.3% të totalit. Një vit më parë ishte Spanja, që mbante kurorën e vendit të dytë.

Kosova është vendi i vetëm me të cilin ne kemi suficit tregtar. Importet për të njëjtën periudhë ishin 3.3 miliardë lekë, pothuajse e njëjta vlerë sa 7 mujori i vitit të mëparshëm.

Produkti më i eksportuar drejt Kosovës është ai i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë, me 47.4% të totalit, i ndjekur nga materiale ndërtimi dhe metale, me gati 29% të totalit.

Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritja ka ardhur nga grupi i “mineraleve, lëndëve djegsë dhe energjisë”, që është dyfishuar në krahasim me janar-korrik 2014, sipas të dhënave të INSTAT. Importuesit e naftës pohojnë se ata eksportojnë në Kosovë e Maqedoni, ndërsa dhe nafta e vendit, që shënoi një rritje të ndjeshme të prodhimit në muajt e parë të vendit, ka pasur si desitinacion edhe Kosovën.

Rritje me 45%, në 1.4 miliardë lekë, kanë shënuar dhe shitjet e produkteve ushqimore shqiptare në tregjet e Kosovës, megjithatë pesha e tyre mbetet e ulët, duke përbërë 10% të totalit.

Revista Monitor,  03.09.2015