Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministria shpall zonat ku ndalohet aktiviteti minerar

Deklaratë e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri rreth V.K.M për përcaktimin e zonave të rrezikshme minerare

Jam sot para jush për t’i njoftuar opinionit publik vendimin më të fundit të Këshillit të Ministrave për miratimin e zonave të rrezikshme minerare dhe programit të ri 3 vjeçar të aktivitetit minerar në vend.

Vendimi rishikon dhe përcakton 62 zonat e rrezikshme minerare, kryesisht në Bulqizë dhe Batër, në të cilat do të jetë e ndaluar dhënia e lejeve dhe ushtrimi i aktivitetit minerar. Konkretisht, në rajonin krommbajtës të Bulqizës, do të ndalohet ushtrimi i aktivitetit minerar në një pjesë të Zonës D e cila konsiderohet me rrezikshmëri për jetën.

Përcaktimi i zonave të rrezikshme do rrisë sigurinë për jetën e minatorëve. Do të revokohen tërësisht lejet kur zonat tyre të shfrytëzimit janë vendosur në pjesën më të madhe mbi zonën e rrezikshme. Gjithashtu, do revokohen pjesërisht lejet kur zonat e tyre të shfrytëzimit janë vendosur një pjesë mbi zonën e rrezikshme.

Në total, janë rreth 18 leje shfrytëzimi të cilat do të revokohen duke patur si objektiv kryesor rritjen e sigurisë në punë dhe ndalimin e aktivitetit në pjesën e rrezikshme.

Në koordinim me Policinë e Shtetit dhe Inspektoratin e Punës do të bëhet monitorimi i këtyre zonave të rrezikshme që të ndalohet çdo aktivitet ilegal që cënon jetën e qytetarëve.

Dua të kthehem pak tek gjendja në të cilën e trashëguam sektorin minerar. Në vitin 2005 rezultonin rreth 430 leje minerare aktive.  Para dy vitesh, kur ne erdhëm në drejtim të vendit, gjetëm rreth 800 leje minerare të lëshuara, jashtë çdo lloj kontrolli shtetëror.

Qeverisja e Partisë Demokratike u tregua e papërgjegjshme në trajtimin e kësaj industrie, duke dyfishuar dhe parcelizuar në mënyrë kriminale zonat minerare.

Pavarësisht se në industrinë minerare në të gjithë botën ndodhin aksidente, ky shfrytëzim barbar në 8 vitet e qeverisjes së djathtë përkeqësoi situatën duke marrë jetën e dhjetëra minatorëve. Cënoi themelet e sigurisë në punë, mbolli konflikte të cilat e kthyen kryesisht Bulqizën në “Far West”-in shqiptar, çka rëndoi edhe më keq bilancin e viktimave brenda e jashtë minierave.

Hapi i parë që ndërmorëm ishte rikthimi i kontrolleve periodike në miniera. Filluam procesin e kontrollit individual për secilin subjekt, jo vetëm në aspektin e plotësimit të kritereve të sigurisë në punë por edhe sa i takon zbatimit të detyrimeve ndaj Buxhetit të Shtetit.

Revokuam mbi 200 leje minerare të cilat nuk respektonin kriteret e sigurisë dhe nuk shlyenin detyrimet që kishin ndaj shtetit ndërsa janë në procedurë heqjeje edhe 32 të tjera. Janë pezulluar pjesërisht në aktivitetin e tyre qindra subjekte të tjera deri në plotësimin e kushteve të sigurisë.

Përmes ndërhyrjeve ligjore i dhamë zgjidhje problemit të konfliktit mbi rrugët e kalimit, ashtu sikurse eliminuam fenomenin e mbivendosjeve duke revokuar 20 leje minerare. Ndaluam shfrytëzimin e sterileve. Të gjithë i mbani mend dy vite më parë pamjet e grave dhe fëmijëve rreth grumbujve të mineraleve.

Vumë nën kontroll ndryshimet e herë pas hershme të kufijve në zonat minerare duke u vënë fre zgjerimeve të pakontrolluara. Kemi sanksionuar me ligj rehabilitimin progresiv mjedisor duke detyruar subjektet të ngrijnë fondin për rikthimin e mjedisit në gjendjen e para shfrytëzimit minerar.

Janë mbyllur 119 galeri të braktisura dhe për vitin 2015 janë planifikuar të mbyllën 64 galeri të tjera.

Ndryshe nga qeverisja e mëparshme që i la në mëshirën e fatit, kjo qeveri mbajti premtimet. Ulja me 5 vjet e moshës së daljes në pension apo dyfishimi i pensioneve për 3840 minatorë, sot është një realitet.

Fatkeqësisht, edhe gjatë këtyre dy viteve ka patur viktima në aktivitetin minerar. Jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për të vënë rregull në këtë sektor të nxjerrë plotësisht jashtë binarëve.

Ju e dini se konjuktura aspak e favorshme e çmimeve të mineraleve në tregun botëror ka bërë që të ulet kërkesa edhe për mineralet shqiptare. Gjithsesi, paralelisht me forcimin e masave të sigurisë në punë, po punojmë intensivisht për zhvillimin e sektorit në tërësi dhe industrisë përpunuese në veçanti.

Është bërë e mundur fillimi i punës dhe janë investuar mbi 6 milion USD për hapjen e pusit të thellësisë në Bulqizë që do i zgjasë jetëgjatësinë minierës.

Vazhdon puna për hapjen e traverbankut të Qaf buallit dhe traverbankut të Klosit, që shërben për shkarkimin e të gjitha ujërave të vendburime të Bulqizës. Janë investuar mbi 3 milion USD të tjera në impiantin e seleksionimit të kromit në Klos, Uzinën e Ferrokromit Burrel dhe  Uzinën e Ferrokromit Elbasan.

Është rritur me 35% sasia e ferrokromit të prodhuar, krahasuar me vitin e parë të qeverisjes.

Pritet që të ketë investime në sektorin e bakrit në minierat e Perlatit dhe Spaçit. Gjithashtu priten investime në minierën e bakrit në Rehovë dhe në atë të hekurnikelit në Myc, Mamez, Kukës. Këtë vjeshtë do të vihet në punë fabrika e pasurimit të kromit në Kalimash, ku janë investuar rreth 7 milion dollarë.

Nisur nga situata e trashëguar, rivendosja e ligjshmërisë në sektorin minerar është një proces i vështirë por qeveria është plotësisht e vendosur për ti shkuar deri në fund.

Përmes masave të marra dhe atyre që do të ndërmerren në vazhdim, shpreh bindjen se po ecim në rrugën e duhur për rritjen e sigurisë, shtimin e investimeve, rritjen e eksporteve dhe zhvillimin e industrisë përpunuese.

Rikthimi i sektorit minerar në binarët e ligjit do të thotë siguri më e madhe për minatorët dhe përfitime më të mëdha për Buxhetin e Shtetit.

Faleminderit!

energjia.al  02.09.2015