Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ulet numri i ndërprerjeve dhe koha e riparimit

Ulet numri i ndërprerjeve të energjisë dhe koha e riparimit të defekteve në zonat turistike të Vlorës dhe Sarandës, megjithëse shënohet një konsum rekord i energjisë krahasuar me tre vitet e shkuara. Kjo u bë e ditur dje, në Himarë nga administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, i cili deklaroi se “Kemi arritur të ulim ndjeshëm jo vetëm numrin e ndërprerjeve të energjisë duke krahasuar vitin 2013 me 2014, por është ulur ndjeshëm dhe koha e riparimit të defekteve”. “Nëse krahasojmë periudhën qershor-korrik në tre vitet e fundit, këtë vit është ulur me më shumë se dy herë kjo kohë e riparimit të defektit”, deklaroi Çela, i cili gjendej në Bashkinë e Himarës për të inspektuar riparimin e defekteve të ditëve të fundit. Situatën e krijuar, Çela e justifikoi edhe me rritjen e konsumit të energjisë. “Është fakt se këtë vit kemi pasur një rritje të ngarkesës së rrjetit elektrik. Mjafton të bëjmë krahasimin e shifrave nga vjet për të njëjtën  periudhë”, tha Çela. Nga ana tjetër, në sajë të gatishmërisë që OSHEE shpalli që në fillim të muajit të shkuar, duke mobilizuar që nga zona e Vlorës deri në Sarandë 254 punëtorë u bë e mundur gatishmëria për eliminimin e avarive në një kohë sa më të shpejtë në Vlorë, Orikum, Dhërmi, Himarë, Qeparo dhe deri në Sarandë. “Duhet ta kuptoni se rrjeti elektrik është i rënduar në zonat bregdetare. Nuk ka një sistem energjetik në këto zona, por ka vetëm tela elektrifikimi që janë bërë që në vitet ’70. Vetëm në sajë të një mirëmenaxhimi të sistemit kemi mundur të ulim sadopak ngarkesën”, përshkroi situatën Çela. Në shtator e në vazhdim, u shpreh administratori, OSHEE ka planifikuar të ndërhyjë me një plan investimesh për të përmirësuar situatën për sezonin e ardhshëm deri në zgjidhjen përfundimtare që do të marrë në vitin 2017. Në zonën Vlorë-Sarandë, në muajin korrik 2013, numri i ndërprerjeve nga defektet ishte 358, ndërsa në korrik 2014 janë regjistruar 438 raste, por në muajin korrik 2015, sipas OSHEE-së, janë regjistruar vetëm 165 ndërprerje të energjisë elektrike. Për herë të parë në këtë zonë, informoi Çela, do të kalojë linja 110 kV, pasi në Himarë nuk ka linjë 110 kV. Para 3-4 javësh u inaugurua nisja e punimeve për linjën 110 kV e Unazës së Jugut ku po investon Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në bashkëpunim me KfW. Brenda muajit tetor parashikohet që segmenti të përfundojë. Gjithashtu, në shtator nisin punimet për ndërtimin e 2 nënstacioneve, një në Himarë dhe tjetri në Orikum. “OSHEE do t’i përgjigjet situatës me 2 faza investimesh: është një nënstacion me vlerë 286 mln lekë në Dhërmi, në nivelet 35-20 kV, me sistemin e shpërndarjes nga Himara me linjën e tensionit të mesëm që shkon rreth 35 km nga Himara në drejtim të Palasës me vlerë 480 mln lekë të reja. Shto këtu edhe 2.4 miliardë lekë të reja që do të investohen në shtator për rikuperimin e linjës së tensionit të mesëm 95 km, tensionit të ulët Vlorë-Sarandë 70 km dhe ndërtimin e 90 kabinave të reja. Ky është plani i masave që fillon në muajin shtator dhe do të përfundojë brenda qershorit të vitit 2016”, premtoi Çela. Faza e dytë, shtoi administratori janë investimet më afatgjata, është bashkëpunimi me Kooperacionin Italian ku është firmosur kontrata para 3 javësh. “Ne kemi planifikuar që brenda 2017-s të përfundojë ndërtimi i linjës së tensionit të ulët 20 kV për pjesën e Himarës. Me këto investime themi se në vitin 2016 situata në këtë zonë bregdetare Vlorë-Sarandë do të përmirësohet ndjeshëm, por brenda 2017-s do të jetë e zgjidhur e gjithë problematika në këtë zonë turistike. Unë i garantoj qytetarët se sezonin e ardhshëm do të jetë një tjetër pasqyrë e situatës, nuk do të jetë më problem ngarkesa e rrjetit dhe në 2017, falë investimeve që do të nisin nga muaji shtator i këtij viti kjo problematikë do të jetë zgjidhur përfundimisht”, tha Çela. Për sa u takon likuiditeteve, Çela u shpreh se bregdeti ka reflektuar rritje të arkëtimeve gjatë kësaj periudhe. “Në zonën turistike që nis nga Velipoja në Sarandë janë rikuperuar mbi 150 milionë lekë të reja debi, ndërsa për sa i takon faturës korrente janë derdhur 384 milionë lekë të reja. Sot që flasim, që kur ka nisur aksioni për zonat bregdetare nga muaji prill, rreth 60 për qind e ish-debitorëve nuk janë më të tillë”, tha Çela.

Investimet në zonën e Bregut

Faza e parë e emergjencës do të realizohet gjatë periudhës shtator 2015 – qershor 2016 , me fondet e OSHEE-së, e cila do të përfshijë:

Ndërtimi i nënstacionit 35/20 kV me fuqi 2×5.6 MVA në Dhërmi me vlerë 286 milionë lekë.

Ndërtimi i linjës 35 kV Bunec – Himarë – Dhërmi me gjatësi 32 km e cila do të shërbejë si furnizim i dytë për nënstacionin e Himarës 35/10 kV dhe si furnizim kryesor për nënstacionin e ri të Dhërmiut me vlerë 448 milionë lekë.

Ndërtimi i linjave TM- 95 km, kabinave TM/TU-90 copë dhe linjave TU- 75 km në vlerën rreth 2.4 miliardë lekë në zonat Himarë, Qeparo, Ilias, Vuno, Dhërmi, Palasë dhe Sarandë.

Faza e dytë do të realizohet me ndihmën e donatorëve të huaj (KFW dhe Kooperacionit Italian) dhe do të përfshijë investimet nga KFW – 17.5 milionë euro:

Ndërtimi i linjës 110 kV Babicë – Sarandë me gjatësi 105 km në vlerë 10.5 milionë euro

Ndërtimi i dy nënstacioneve 110/35/20 kV me fuqi 2×25/31.5 MVA, përkatësisht në Himarë dhe Orikum me vlerë 7 milionë euro.

Nga Kooperacioni Italian – 6 milionë euro. Në rrjetin shpërndarës Orikum – Radhimë.

Gazeta Shqip,  21.08.2015