Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta në botë në 47 USD/fuçi

Nafta referencë europiane, Brent, arriti sot në bursa në 46.89 dollarë për fuçi, duke shënuar një rënie prej 0.6 përqind dhe duke iu afruar nivelit më të ulët të 6 viteve prej 45.19 dollarë, që u prek në janar 2015.

Nafta bruto amerikane u lehtësua me 0.5%, pas një rënieje prej më shumë se 4% të mërkurën, duke qenë shumë pak mbi nivelin më të ulët të 6 viteve e gjysmë prej 40.40 dollarë për fuçi. Ajo qëndroi në 40.61 dollarë, me një pikë thyerje poshtë 40 dollarë, që nëse arrihet mund të shkaktojë një valë të re shitjeje.

Dobësimi i ekonomisë kineze, niveli i lartë i rezervave dhe oferta e madhe janë arsyet kryesore që po e mbajnë të ulët çmimin e naftës në tregjet ndërkombëtare

Në Shqipëri pritet ulje në shtator.

Aktualisht nafta në tregun e brendshëm tregtohet në nivelin e 180-188 lekë për litër, me një mesatare prej rreth 185 lekë për litër, afër niveleve rekord të arritura në janar 2014, kur nafta në bursa ishte afër 120 dollarëve për fuçi, duke ngjallur reagime të shumta në opinionin publik.

Në raport me fillimin e këtij viti, ku nafta në bursa zbriti në 45 dollarë për fuçi, nafta në vend është rritur me 18%.
Aktorët e tregut pohojnë se disa arsye të tjera që mbajnë çmimin e lartë janë kosto e rezervave të detyrueshme 90 ditore, informaliteti i lartë në një treg që nuk është shumë funksional (ka shumë hyrje e dalje të kompanive nga tregu), taksa e qarkullimit prej 10 lekë për litër nga 1 janari 2015 dhe dollari më i shtrenjtë (në janar 2014 ishte 103 lekë, sot është rreth 127 lekë). Ndërsa në kahun tjetër, nafta në bursa është gjysma e asaj që ishte në janar 2014.

Megjithatë ata pohojnë se një ulje e çmimeve të naftës pritet në muajin shtator.

Revista Monitor,  19.08.2015