Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE: PD hedh baltë mbi reformën energjitike

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike lidhur me disa tenderë abuzivë për trajnimin e punonjësve. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, OSHEE sqaron se trajnimi i punonjëse të kompanisë është bërë me VKM dhe se buxheti i kompanisë është konsultuar dhe dakordësuar edhe në konsultim me Bankën Botërore në kuadër të procesit të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike. OSHEE i ka cilësuar akuzat e PD si të pabaza dhe përpjekje për të njollosur punën për rimëkëmbjen e sistemit, duke shtuar se në kohën kur qeveriste PD fondet për trajnim punonjësve ishin 5 herë më të mëdha.

Reagimi i OSHEE

Nuk përbën më çudi për askënd fakti se Partia Demokratike, e dëshpëruar nga suksesi i reformës në sektorin energjetik, kërkon të njollosë e përbaltë gjithçka.

Është fakt për këdo se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike po konsolidon çdo muaj e më tepër kulturën e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike. Rritja e arkëtimeve dhe ulja e humbjeve kanë krijuar mundësinë për të kryer investimet e munguara prej dhjetëra vitesh në rrjetin e amortizuar e të kalbur anë e mbanë vendit. Kompania po zgjerohet me degë dhe staf, po shtrin model të ri të Shërbimit ndaj Klientit dhe shumë shpejt do të prezantojë procedurën online të trajtimit të kërkesë/ankesës. E vetëdijshme se ka ende shumë punë për të bërë me qëllim garantimin e një shërbimi sa më të sigurt dhe cilësor për qytetarët.

Situata problematike e trashëguar në marrëdhënien mes kompanisë dhe qytetarëve e bën edhe më të domosdoshme kthimin e vëmendjes tek cilësia e burimeve njerëzore që përbëjnë një aset të domosdoshëm.

Me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, pas një mungesë tre vjeçare, OSHEE ka miratuar në Buxhetin e vitit 2015 programin për trajnimin e 5500 punonjësve saj. Buxheti i kompanisë është konsultuar dhe dakordësuar edhe në konsultim me Bankën Botërore në kuadër të procesit të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike. Shifra 72 milion lek është caktuar pas analizës që i është bërë tarifave të tregut të këtij shërbimi, duke ftuar të gjithë aktorët kryesorë. Nuk duhet harruar se në kohën kur Partia Demokratike drejtonte vendin, kompania shpenzoi në vitet 2010-2012, jo pak por 375 milionë lek, pa përmendur këtu miliarda të tjera me konsultat. Siç shihet qartë, janë pesë herë më shumë para të shpenzuara për trajnime në kohën kur qeveriste Partia Demokratike. Trajnime këto, të miratuara nga Enti Rregullator i Energjisë dhe të paguara nga paratë e qytetarëve shqiptarë.

Trajnimet që OSHEE ka planifikuar synojnë të krijojnë një kompani efiçente, duke siguruar që eprori dhe punonjësi, në mënyrë të përbashkët të përcaktojnë standardet e performancës dhe objektivat specifike për periudhën e ardhshme të vlerësimit. Do të realizohen 15 396 trajnime për disa muaj, në trajnim do të marrin pjesë duke filluar nga menaxherët më të lartë, deri tek specialisti i Kujdeset ndaj Klientit.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike shpreh keqardhje për Partinë Demokratike e cila, ndonëse e di se procedura e këtij tenderi do të hapet më datë 20 Gusht, pretendon se njeh edhe fituesin. Duke hedhur poshtë këto akuza të qëllimshme e të pabaza, OSHEE garanton opinionin publik se ka ndjekur dhe do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të patur një garë transparente, ndryshe nga sa ndodhte në kohën kur kompaninë e drejtonte forca politike e cila sot akuzon.

Gazeta Shqip,  18.08.2015