Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ligji për Trepçën, vitin tjetër

Qeveria e Kosovës nuk do ta procedojë këtë vit strategjinë dhe projektligjin për gjigantin metalurgjik Trepça në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht se në janar të këtij viti është premtuar se brenda pesë muajve deputetët do ta kenë para vetës për ta shqyrtuar.

Deputetët e pozitës po e presin strategjinë dhe projektligjit për Trepçën, ashtu siç kishte premtuar Qeveria. Por, opozita e quan lojë politike mos procedimin e strategjisë dhe projektligjit për Trepçën në Kuvend nga ana e Qeverisë.

Megjithatë, zëdhënësi i Qeverisë Arban Abrashi në një përgjigje elektronike për KosovaPress-in, tha se janë në fazën e konsultimeve rreth orientimit të strategjik të Trepçës.

Mirëpo, gjithçka rreth Trepçës do të vendoset vitin e ardhshëm, kur edhe do t’i kenë strategjinë, ligjin dhe koston financiare.

“Kabineti i Kryeministrit tanimë ka pasur disa takime konsultative me disa kompani kanadeze dhe gjermane, të specializuara për fushën e industrisë minerare. Pra, jemi në fazën e konsultimeve, rreth orientimit strategjik të Trepçës, do të thotë duke analizuar orientimet sipas përvojave me të mira, patjetër se procesi do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të nënkuptoj involvimin edhe të publikut, pasi që Trepça është aset kombëtar. Sidoqoftë, pas kompletimit të Bordit të AKP-së, procesi do të zhvillohet edhe më shpejtë, por gjithçka është brenda afateve kohore. Ne presim që gjatë vitit të ardhshëm të kemi planin strategjik, koston financiare dhe ligjin”, tha Abrashi.

Ndërsa, deputetët janë në pritje të strategjisë dhe projektligjit që rregullon statusin e gjigantit metalurgjik Trepça.

Anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik nga Partia Demokratike e Kosovës, Besim Beqaj beson se Qeveria është duke hartuar strategjinë dhe projektligjin për Trepçën, sepse Kuvendi është në pritje të këtij projektligji për ta rregulluar statusin e gjigantit metalurgjik.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili është anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Blerim Grainca thotë për KosovaPress së janë në pritje të projektligjit për Trepçën të cilin Qeveria në fillim të këtij viti ka premtuar të dërgoj në Kuvend brenda pesë muajve.

Ai thotë se Trepça nuk do të jetë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet në Bruksel.

Edhe deputeti Beqaj thotë se askush nuk mund të merr guximin që të flas për pasurinë e popullit të Kosovës në Bruksel.

Sipas tij, mund të flasin për lehtësim të jetës se qytetarëve, për forma të cilat do ta bëjnë jetën me të mirë ekonomikisht, por jo të diskutojnë për pasuritë që janë pasuri të qytetarëve të Kosovës.

Në anën tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili është anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Pal Lekaj ka akuzuar Qeverinë se po bënë lojë puro politike duke premtuar që për pesë muaj do të sjell në Kuvend strategjinë dhe projektligjin për Trepçën, por që nuk duket askund në horizont.

Qeveria në janar të këtij viti pati proceduar në Kuvend plotësim ndryshimin e ligjit për ndërmarrjet publike, ku parashihej transformimi i Trepçës në ndërmarrje publike, por që ishin tërhequr nenet me të cilat Trepça bëhej ndërmarrje publike, duke premtuar se statusin e këtij gjiganti metalurgjik do ta rregullojnë me strategji dhe ligj të veçantë.

Madje, edhe në protestat e janarit të partive opozitare dhe qytetarëve, përveç shkarkimin e ish-ministrit serb, Aleksandër Jabllanoviq për fyerjet që u bëri nënave gjakovare, kërkesë tjetër kishin edhe sjelljen e ligjit të veçantë për Trepçën, çka Qeveria premtoi që këtë do ta bëjë brenda pesë muajve.

Telegrafi, 11.07.2015