Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nevoja e BE-së për energjinë e rinovueshme

Eksporti kryesor i Shqipërisë drejt Gjermanisë janë grupmallrat minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në përqindje, zëri i eksporteve drejt Gjermanisë arrin në një vlerë prej 3.8%, apo e përkthyer në shifra, 3 miliard e 791 milion lekë. Pjesën më të madhe në këtë grup e zë energjia elektrike dhe pastaj mineralet, pasi nafta e nxjerrë në vendin tonë eksportohet në vlerën e 80% në Itali, ndërsa pjesë tjetër përpunohet brenda vendit. Në fakt, energjia e prodhuar nga vendi ynë, është e pastër dhe rrjedh nga burime të rinovueshme që në rastin konkret, janë burime hidrike.

Bashkimi Europian nga ana tjetër, ka vendosur një direktivë për të gjitha vendet anëtare që, brenda vitit 2020 duhet të kenë arritur tre objektiva: rritjen e kursimit të energjisë me 20% nëpërmjet përdorimit të materialeve të eficiencës energjetike, uljen e konsumit me 20% dhe rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme me 20%. Ky fakt justifikon edhe vlerën e lartë të eksportit energjetik të Shqipërisë jo vetëm me Gjermaninë, por edhe me vende të tjera të BE-së. Në zbatimin e këtyre objektivave, Gjermania ka hequr dorë nga prodhimi i energjisë nëpërmjet centraleve bërthamore.

Për të mbuluar nevojat e konsumit, ky shtet është lider në prodhimin e energjisë eolike, duke mbuluar një sasi të kërkuar në rreth 10%. Por Gjermania është një vend që përdor edhe forma të tjera të prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme, si nga djegia e mbetjeve urbane dhe industriale, energjia diellore etj. Megjithatë, fakti që, eksporti energjetik i Shqipërisë ndaj këtij vendi është i lartë, tregon vullnetin e Gjermanisë, por edhe të vendeve të tjera të BE-së për energjinë e rinovueshme.

Për më tepër, banka gjermane KFW, është duke financuar ngritjen e rrjetit të transmetimit 110 kilovolt, apo siç njihet ndryshe, Unaza e Jugut me një vlerë investimi prej 38 milionë euro. Po kjo bankë ka financuar edhe linjën e interkoneksionit me Kosovën, duke i mundësuar një akses më të gjerë rajonal dhe europian Shqipërisë në tregun energjetik dhe që mundëson eksportin e energjisë shqiptare me kosto më të ulëta.

Scan TV, 08.07.2015