Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fjala e Gjiknurit në ceremoninë e TAP

Deklarata e Ministrit Gjiknuri në ceremoninë e nisjes së punimeve:

I nderuar z.Kryeministër,

I nderuar z. Bradshaw

Të nderuar ambasadorë,

Është një kënaqësi shumë e madhe për mua që jam pjesë e këtij momenti historik për Shqipërinë por edhe për shumë vende të tjera të cilat do të përfitojnë nga ky gazsjellës. Është moment historik pasi shumë njerëz e kanë vënë në dyshim mundësinë e ndërtimit të këtij gazsjellësi strategjik. Gazsjellësi ka konkuruar edhe me versione të tjera të rrugës së saj drejt Europës, por fatmirësisht, për arsye strategjike Shqipëria u zgjodh të jetë një nga rrugët tranzit. Kjo është një gjë shumë e madhe, që flet jo vetëm për sigurinë energjetike të këtij vendi, por për sigurinë e gjithë rajonit dhe më gjerë për vet Bashkimin Europian.

Gazsjellësi TAP është i një rëndësie jo vetëm për Bashkimin Evropian dhe rajonin por mbi të gjithë për Shqipërinë. Pse?! Sepse na jep mundësi që nesër të kemi një mundësi të re për një tjetër burim energjie, gjë që na ka munguar.

Do të jetë e rëndësishme për rajonin, pasi krijon mundësinë e lidhjes së këtij gazsjellësi me gazsjellës të tjerë. Shqipëria po punon intensivisht për gazsjellësin Ionian Adriatic Pipeline (IAP), ka mundësi dhe shpresoj që ky projekt, i vënë edhe në një vëmendje të Bashkimit Europian do të ketë në të ardhmen një lidhje ku do ta kthejë Shqipërinë në një nyje të rëndësishme rajonale të gazit.

Patjetër, Bashkimi Europian përfiton shumë pasi e konsideron sigurinë energjitike me shumë rëndësi. Ne do të mund të përfitojmë sot por edhe nesër si një vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, dua të garantoj investitorët se autoritet shqiptare do të bëjnë gjithçka është në dorën e tyre, siç e kemi demonstruar deri më tani, që projekti të shkojë në një mënyrë të qetë dhe të mos ketë asnjë pengesë burokratike. Do të donim bashkëpunimin e vazhdueshëm të TAP-it për përfshirjen e sa më shumë komponentëve shqiptarë edhe në fazën e ndërtimit dhe të implementimit të fazës tjetër të gazsjellësit. Besojmë se këto investime kanë një vlerë të madhe jo vetëm për kompanitë përfituese, por mbi të gjitha edhe për vet qytetarët shqiptarë.

Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të uroj suksesin maksimal, një punë të mbarë dhe të bekojmë këtë ngjarje historike e cila do të ndryshojë hartën energjetike të Shqipërisë dhe rajonit në tërësi.

Suksese edhe njëherë.

Faleminderit,

energjia.al  04.07.2015