Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Expoforumi, nxitje e projekteve me Kosovën

Expoforumi “Mënyrat e reja të financimit të projekteve strategjike Kosovë – Shqipëri”, mblodhi sot në Prishtinë, përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës, kompani nga vendi e diaspora si dhe donatorë, për të diskutuar objektivat strategjike të dy vendeve dhe mënyrat e financimin të projekteve të përbashkëta.

Në hapje të Expoforumit, të pranishmit kanë pasur rastin të vizitojnë minipanairin e prodhuesve vendor dhe nga diaspora si dhe shërbimet e kompanive publike, si një mundësi e mirë e promovimit të aktivitetit të tyre ekonomik dhe krijimin e kontakteve.

Ministrat e linjës nga Kosova dhe Shqipëria fillimisht kanë diskutuar mbi zhvillimet aktuale ekonomike, projektet e përbashkëta dhe mundësitë e financimeve, duke përfshirë donatorët dhe kapitalin privat. Më pas, përfaqësues të institucioneve nga të dy vendet kanë prezantuar  projektet  strategjike në sektorët e burimeve natyrore Kosovë-Shqipëri, me fokus, energjinë, minierat dhe transportin.

Në fjalën e tij, Ministri Gjiknuri theksoi se ka sektorë të ekonomisë që janë vërtet strategjike, por që patjetër do të kërkojnë institucione të qëndrueshme, një demokratizim, një mirëmenaxhim të këtyre kompanive publike dhe një mirëfunksionim të vet sistemit të drejtësisë dhe të ligjit në vendet tona.

“Pa të tilla është shumë vështirë të krijosh tregje kapitale ku publiku të ketë besim dhe të investojë pasuritë e tyre. Na ngelet detyrë ne politikanëve, njerëzit që na kanë votuar për të qeverisur vendin, që të bëjmë sa më shumë në lidhje me transparencën, konkurrencën, mbikëqyrjen e fortë financiare në ato tregje që duhen mbikëqyrur, sidomos tregu financiar dhe kjo patjetër do të sjellë një angazhim më të madh të publikut shqiptar në ato investime strategjike aq të nevojshme”, theksoi Gjiknuri.

Sipas tij, në sektorin energjetik potencialet janë të mëdha. “Ne si qeveri jemi fokusuar pikërisht në ato që unë thashë kush do të jenë funksionet bazë të shtetit, krijimi i tregut. Ne nëpërmjet reformës strukturore që po bëjmë në tregun e energjisë elektrike, po mundohemi të krijojmë një treg të qëndrueshëm, jashtë monopoleve shtetërore, fillim të liberalizimit. Ato masa që kemi marrë me qeverinë e Kosovës për krijimin e tregut të përbashkët, është pikërisht zgjerimi i kësaj hapësire, të krijojmë një treg shumë aktiv mes Kosovës dhe Shqipërisë, që të jetë një hapësirë e nevojshme, e përbashkët duke ofruar mundësitë komplementare që kanë të dyja vendet”, nënvizoi Z.Gjiknuri.

Duke ju referuar burimeve të reja të gjenerimit të energjisë dhe alternimit të tyre mes Shqipërisë dhe Kosovës, Z.Gjiknuri theksoi se dy vendet po bashkëpunojnë për ndërtimin e një aseti të përbashkët afër kufirit Shqipëri – Kosovë për thëngjillin që ndodhet në Dukagjin.

“Ka investitorë të interesuar. Së fundi ka investitorë konkretë të cilët janë të interesuar. Unë kam instruktuar kompaninë publike KESH, por e di që edhe KEK-u ka marrë instruksionet e tij për bashkëpunime, për të bërë një studim para fizibiliteti, pra në mënyrë që edhe investitori të ketë orientime konkrete ku mund të hedhë kapitalin e tij. Kjo është një gjë që ne e kemi marrë përsipër sepse e ka parë hapësirën mbarëshqiptare si një mundësi të përbashkët dhe pse jo këto burime ti vëmë në dispozicion të sigurisë energjetike të të dyja vendeve tona”, këmbënguli Z.Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri u ndal më tej te investimet potenciale në turizëm ku Shqipëria ofron potenciale të shumta ashtu sikurse edhe hapësirat e reja për krijimin e zonave të lira ekonomike të cilat mund të thithin shumë mirë edhe kapitalin e nevojshëm nga diaspora shqiptare.

Ministri i Diasporës së Kosovës Valon Murati tha se e sheh diasporën si shqiptare. “Ministria jonë këtë qasje e ka patur në të gjitha mekanizmat që i kemi krijuar në rrjetet e bizneseve ku marrin pjesë shqiptarët nga të gjitha trevat. Synimi i të dyja qeverive është për të krijuar një treg të përbashkët dhe kjo është pozitive pasi diaspora shqiptare tërhiqet më shumë për të ardhur me investime në një treg të përbashkët e të madh”, theksoi Murati.

Expoforumi është një bashkëorganizim i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Diasporës, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë të Republikës së Kosovës si dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Republikës së Shqipërisë dhe Konfindutrisë. Ndërkaq, mbështetet nga Ambasada e Finlandës në Prishtinë dhe DEED (Përfshirja e Diasporës në Zhvillim Ekonomik).

energjia.al  30.09.2015