Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kurbin, centrali i parë me erë

Jepet autorizimi për ndërtimin e aerogjeneratorit që do të kushtojë 54 milionë euro…

Një central elektrik me erë që kushton 54 milionë euro do të ndërtohet në Kurbin deri në fillim të vitit 2016. Projekti i paraqitur nga shoqëria “Era Milot”, pasi kishte marrë autorizimin nga ministri i Energjisë, Damian Gjuknuri, kaloi në Këshillin e Ministrave, ku sapo i është hapur drita jeshile për nisjen e punimeve. Ndërtimi i centralit elektrik eolik, sipas hartës së projektit, do të bëhet në Komunën e Fushë Kuqes, Rrethi i Kurbiniy, Qarku i Lezhës. Shoqëria ka paraqitur studimin e plotë të fizibilitetit teknik, ekonomik, financiar dhe mjedisor e social, bazuar në të dhëna të zonës për zbatimin e projektit. Sipas planit të biznesit të projektit, Operatori i Sistemit të Transmetimit ka miratuar pikën e lidhjes me rrjetin e transmetimit, që do të jetë në linjën ajrore 110 kV Fushë-Kuqe – Laçi 1. Sipas burimeve nga Ministria e Energjisë, pritet që ndërtimi të fillojë brenda një muaji, sepse shoqëria ka marrë ndërkohë lejet dhe autorizimet mjedisore nga institucionet përgjegjëse. Gjithashtu, shoqëria ka paraqitur dokumentacionin që provon të drejtat e pronësisë mbi tokën që do të përdoret për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë. Ministria e Energjisë dhe Industrisë autorizon shoqërinë për ndërtimin e centralit elektrik eolik në përputhje me karakteristikat e projektuara: Fuqi të instaluar, 36 MWp; Prodhimtari të pritshme totale të energjisë elektrike prej 104.400 MWh/vit; Numri total i kullave eolike është 12 copë; Kapaciteti i një turbine gjeneruese (aerogjeneratori) është 3 MW; Lartësia e kullës eolike është 92.5 m; Tipi i turbinës gjeneruese, SIEMENS; Diametri i rotorit 113 m; Numri i orëve të punës në një vit rreth 3.000 orë pune. Nga studimi i zonës rezulton se shpejtësia mesatare vjetore e erës është 6.8 m/s. Sipas projektit, jetëgjatësia e pritshme e parkut eolik është 20 – 30 vjet, prandaj edhe autorizimi është lëshuar me afat 25 vjet. Ndërtimi, sipas vendimit të qeverisë, do të përfundojë brenda 8 muajve nga data e fillimit. Sipas vendimit, subjekti do t’i paguajë çdo vit Ministrisë Energjisë një “royalty” të barabartë me 2% të sasisë së energjisë vjetore të prodhuar nga centrali eolik ose vlerën në lekë të kësaj sasie energjie. Për arsye sigurie, shoqërisë i rezervohet një zonë buferike me një rreze prej 50 metrash nga kufiri i centralit. Një central i tillë u projektua të ndërtohej para disa vitesh në Gadishullin e Karaburunit, por më pas u anulua për shkak se aty ishte zonë e mbrojtur natyrore. Ka pasur edhe iniciativa të tjera për prodhimin e energjisë rinovueshme, por në asnjë rast nuk janë realizuar në praktikë. Ministria e Energjisë ka deklaruar vitin e kaluar se do të paraqesë një paketë për të nxitur prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Hazeta Shqip,  21.06.2015