Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë, rregullator për çmimet e karburanteve

Përfaqësuesit e naftëtarëve kanë kërkuar që ligji ekzistues për produktet e naftës dhe karburantet, të pasqyrojë disa ndryshime që për operatorët e tregut të derivateve konsiderohen me rëndësi të lartë.

Në mbledhjen e së mërkurës të Kuvendit të Shoqatës së Ndërmarrjeve që merren me hidrokarbure (SHQNDGL), u kërkua themelimi i një rregullatori shtetëror që kontrollon çmimet e shitjes, si dhe dhënien fund të monopolit të arkave fiskale në treg.

Ata kërkuan formimin e një autoriteti për rregullimin e çmimeve të naftës, me vendim të ministrit, si dhe themelimin e bordit të rregullatorit, shkruan Zeri.

Sipas propozimit, rregullatori duhet të përcaktojë çmimet çdo të diel dhe të shërbente për 7 ditë të javës që vijojnë. Kjo praktikë është në fuqi edhe në vende të tjera të rajonit.

Naftëtarët u ankuan njëzëri për gjobitjen nga Administrata Tatimore e Kosovës për shkak mosfiskalizimit. Ata u ankuan se edhe më tutje vetëm një operator është i licencuar për furnizim me arka fiskale.

Ramadan Maloku nga kompania “Racional” u shpreh se përderisa ekziston monopol për pajisje me arka dhe, sipas tij, fiskalizimi i kompanive në këto kushte është i padrejtë.

“Kërkoj që të formohet një komision që të përfundojmë këto probleme, sepse ne gjobitemi çdo ditë. Përderisa Gekosi ka monopol në shitjen e arkave fiskale, kompania ime nuk do të fiskalizohet”, tha Maloku.

Kuvendi i Shoqatës kërkoi nga të gjithë anëtarët të japin sugjerime dhe vërejtje lidhur me propozimin për ndryshimin e Projektligjit me produkte të naftës dhe karburanteve të ripërtëritshme dhe në fund të gjithë anëtarët votuan pro ndryshimit të tij.

Jakup Gashi, përfaqësues i Shoqatës, prezantoi propozimet për ndryshimin e ligjit para anëtarëve të saj dhe përfaqësuesve nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

Ai kërkoi që ligji aktual t’i nënshtrohet një ndryshimi sa u takon lejeve dhe licencave, të cilat aktualisht parashikohen në një afat 5-vjeçar.

Revista Monitor,  12.06.2015