Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

A do të ndërtohet TEC “Kosova e Re”?

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, tashmë është një çështje e stërzgjatur, të cilës qytetarët edhe kanë filluar që të mos i besojnë se do të realizohet ndonjëherë. Për 10 vjet qeveritë e Kosovës, cilado që ka qenë në pushtet, e ka promovuar këtë si një projekt të një rëndësie të lartë të vendit. Por përveç ndryshimit të emrit, deri vonë nuk ishte bërë ndonjë progres i dukshëm.

Gjatë këtij viti, shihen disa zhvillime shpresëdhënëse se më në fund ky projekt do të mund të realizohet.

Tashmë është bërë e ditur kompania fituese e cila pritet të investojë në këtë projekt dhe sipas Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i cili udhëheq Komitetin Ndërministror për Kosovën e Re, janë bërë përparime të dukshme në realizimin e këtij projekti.

Shpesh në Kosovë, janë prezantuar kompani të ndryshme për të cilat me bujë është thënë se do të sjellin investime të mëdha. E njëjta po bëhet edhe për projektin Kosova e Re.

Cila është kompania e cila është shpallur fituese në këtë projekt?

Komiteti ndërministror për Kosovën e Re, ka shpallur fituese Kompaninë ContourGlobal. Sipas informatave në faqen zyrtare të kësaj kompanie thuhet se ajo është një kompani amerikane me qendër në NewYork, e cila ka projekte të energjisë në katër kontinente të botës.

Aty theksohet se kompania është themeluar në vitin 2005 nga drejtori i përgjithshëm aktual Joseph Brandt, së bashku me ReservoirCapitalGroup, një Fond Investues prej $ 7.3 miliardësh me seli në NewYork. Gjithashtu paraqitet një portofolio prej gjithsej 41 termocentraleve në mbarë botën, me një kapacitet prodhues prej 3,718 megavatësh, që përfshinë kapacitetet operacionale dhe ato që janë në ndërtim e sipër.

Ka projekte në shtete evropiane si Italia, Austria, Spanja, Irlanda, Rumania, Polonia dhe Bullgaria; duke vazhduar kështu edhe nga shumë shtete tjera jashtë kontinentit të Evropës, si Brazili, Peruja, Kolumbia, Senegali, Ruanda, Togo, Nigeria, Ukraina etj. Nga projektet në rajon, kjo kompani ka në pronësi dhe menaxhon me termocentralin MaristaEast në Bullgari, dhe sapo ka nënshkruar kontratën për të investuar në një hidrocentral në Armeni.

Duke u nisur nga përvoja e kaluar kur në kërkime të thjeshta në google investitorët na dilnin të kishin qendrat e tyre në disa shtëpi të vogla private, kompania ContourGlobal del se selinë e vet e ka në njërën nga ndërtesat më prominente të qendrës botërore financiare, NewYork.

Reagimet e deritashme të opinionit

Reagimet, deri tani, ndoshta me të drejtë kanë qenë të pakta. Të mësuar me premtime të vazhdueshme se do të vijnë kompani të mëdha që do të investojnë në Kosovë, qytetarët kosovarë përgjithësisht janë pa ndonjë entuziazëm të theksuar. Dështimi në privatizimin e PTK-së, është ende i freskët në kujtesën e tyre dhe ndoshta pritet që të shihet diçka konkrete para se t’i gëzohen ndonjë lajmi të mirë.

Zyrtarët qeveritarë edhe pse optimistë duken gjithashtu të kujdesshëm kësaj radhe. Në një intervistë të dhënë së fundmi ministri Stavileci shpjegoi se ku qëndrojnë me këtë projekt. Ai tha se gjatë këtij procesi kanë qenë të përfshira institucione të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare.

“E kam thënë edhe më parë se nuk ka alternativë përveç ndërtimit të Kosovës së Re, për të siguruar furnizim me energji. Jemi me fat që tani kemi një investitor serioz amerikan, kemi mbështetjen e institucioneve financiare si Banka Botërore, BERZH, e të tjerë dhe është bërë progres i dukshëm në negociata me kompaninë amerikane ContourGlobal”, ka theksuar Stavileci.

Çfarë termocentrali pritet të ndërtohet?

Plani për ndërtimin e Kosovës së Re, parasheh ndërtimin e një kapaciteti prej 600 MW, të ndarë në dy blloqe. Nëse negociatat përfundojnë në afatet e planifikuara, ndërtimi i këtij termocentrali pritet të fillojë nga fundi i vitit 2016 dhe të vihet në funksion në vitin 2020.

Gjatë fazës së ndërtimit priten të punësohen deri në 10 mijë punëtorë dhe parashihet një investim rreth 1.2 miliard euro.

Duke pasur parasysh që Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës janë pajtuar për mbylljen e Kosovës A, në fillim të vitit 2018, atëherë ndërtimi sa më i shpejtë i termocentralit Kosova e Re, bëhet më se i domosdoshëm.

Analisti i njohur për çështje ekonomike Ibrahim Rexhepi thotë se duke pasur parasysh gjendjen tejet serioze në energjetikë, atëherë, zgjidhja e problemit nuk ka alternativë tjetër pos ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”.

“Madje, duhet pranuar se edhe këtu ka vonesa. Për këtë termocentral ka dhjetë vite që flitet, por ai ende nuk ka hyrë në fazën përfundimtare – përkatësisht ende nuk ka marrë sinjalin përfundimtar për nisjen e punëve konkrete. Bile, edhe nëse ndërtimi i tij nisë sivjet, sërish duhet pritur 3-4 vjet përderisa të rrjedhin kilovatët e parë. Kjo do të thotë se çdo ditë vonesë rreth përmbylljes së tenderit, do të reflektojë me kosto shtesë për vite të tëra, që nuk do të vërehet vetëm përmes rritjes së shpenzimeve të kompanive, por edhe më shumë ndotje nga dy termocentralet e vjetra”, tha ai.

Lajm i mirë, më në fund

Zyrtarë të ContourGlobal më herët kanë deklaruar se termocentralet e tyre ndërtohen nga teknologjia dhe standardet më të përparuara bashkëkohore, të cilat do të sigurojnë të ketë gati 0 për qind ndotje të ambientit.

Termocentralet e ndërtuara deri më tash reduktojnë ndotjen në masën 99.5 për qind.

Edhe institucionet financiare si Banka Botërore dhe BERZH-i përkrahin këtë projekt dhe nevojën që të ndërtohen kapacitete të reja gjeneruese me standardet më të larta bashkëkohore, tash kur pritet të mbyllet “Kosova A”.

“Ndoshta, përfundimisht, po flasim për një lajm të mirë. Qytetari i Kosovës deri tash ka qenë kryesisht i zhgënjyer nga dështimet e deritanishme dhe nuk guxon t’u gëzohet lajmeve të mira pa i parë se po ndodhin”, thotë ekonomisti Rexhepi.

Telegrafi, 06.06.2015