Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH, shitje me çmim burse industrisë vendase

KESH ndryshon modelin e prodhimit të energjisë në funksion të rritjes së çmimit dhe të sasisë së tregtuar. Sipas njoftimit më të fundit nga korporata, KESH për herë të parë arriti të shesë energjinë në tregun privat vendas me çmim të barabartë me atë të bursës hungareze. Vetëm dy muaj më parë, KESH eksportoi me gjysmën e çmimit të bursës për shkak të emergjencës së krijuar nga reshjet e shumta. “Nisur nga situata e favorshme hidroenergjetike, më datë 15 prill 2015, KESH modeloi regjimin e prodhimit në mënyrë të tillë që niveli dhe prurjet aktuale të mund të shfrytëzoheshin në mënyrë racionale dhe të mënjanohej plotësisht ose pjesërisht nevoja për shkarkime të ujit pa prodhim energjie elektrike”, deklaroi KESH-i. Regjimet e modeluara të prodhimit mundësojnë teprica prodhimi energjie elektrike përtej plotësimit të nevojave të konsumatorëve tariforë dhe mbulimit të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes. Nga sa më sipër, KESH-i, më datë 15 prill 2015, hodhi në tregun e parregulluar për shitje një sasi energjie elektrike prej 40,320 MWh në profilin bandë (00:00-24:00) dhe arriti të kontraktojë të gjithë sasinë e energjisë elektrike të hedhur në treg përkundrejt çmimit mesatar prej 31.13 euro / MWh. Bëhet e ditur gjithashtu, se në datën e zhvillimit të procedurës së shitjes së energjisë elektrike, çmimi mesatar i bursës hungareze për profilin bandë ishte 32.02 euro / MWh apo vetëm 0.89 euro / MWh më shumë se çmimi mesatar me të cilin KESH kontraktoi tepricat e veta të energjisë në tregun vendas (tregu privat). Ndërkaq, edhe marrëveshja KESH – OSHEE ka filluar të japë efektet e para ekonomike. Pakti i arritur në muajin shkurt 2015 mes KESH dhe OSHEE për shitjen e tepricave të energjisë së KESH për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes kundrejt çmimit mesatar të Bursës Hungareze të periudhës, vetëm për muajt mars-prill 2015, kurseu 5,2 milionë euro (3,68 milionë euro më pak shpenzime për OSHEE dhe 1,47 milionë euro të ardhura shtesë për KESH), njofton Ministria e Energjetikës. Tepricat e energjisë iu shitën nga KESH shoqërisë OSHEE për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes kundrejt çmimit mesatar të Bursës Hungareze të periudhës kur kryhej lëvrimi i energjisë, 35,66 euro / MWh. Ndërsa, OSHEE bleu energji elektrike për mbulimin e humbjeve nga tregu i importit me çmimet mesatare 50,72 euro / MWh për dhjetëditëshin e parë të marsit dhe 52,13 euro / MWh për dhjetëditëshin e parë të prillit. Në këtë mënyrë, KESH i siguroi OSHEE-së energji me çmimin e bursës që është rreth 15 euro / MWh më i lirë se çmimi i arritur nga tenderët në Tiranë. Si rezultat i detyrimit kryesor që KESH ka si kompani publike, korporata është e detyruar të eksportojë energji elektrike përveçse në profilin e natës (orët 22:00-06:00) kohë kur konsumi i vendit është në nivelet më të ulëta dhe agregatet e HEC-eve të kaskadës së lumit Drin mund të ngarkohen maksimalisht për eksport të energjisë elektrike, për të shmangur derdhjen e ujit pa prodhim të energjisë elektrike dhe pa cenuar nevojat e klientëve tariforë. Edhe në këtë muaj, sipas OSHEE, në vazhdim të zbatimit të marrëveshjes me kompaninë publike KESH, fillimisht u realizua një korrespondencë me stafin përgjegjës të KESH për sigurimin e informacionit nëse ka teprica prodhimi të energjisë. Nga korrespondenca, komisioni u informua se mundësitë e furnizimit me energji elektrike për plotësimin e humbjeve nga ana e KESH janë në varësi të kushteve hidrike. Më pas, komisioni i blerjes vazhdoi procedurat e vlerësimit dhe të negocimit me tetë shoqëritë prodhuese dhe tregtare që paraqitën interes në procedurën e zhvilluar nga OSHEE. Totali i energjisë elektrike të ofruar dhe kërkuar për t’u blerë nga OSHEE për periudhën 1-30 prill 2015 është 165,600 MWh dhe e konvertuar në vlerë monetare 8,631,936.00 euro (pa TVSH).

Gazeta Shqip,  17.04.2015