Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Marinzë, banorët rikthehen në shtëpi

Një ditë pas panikut që përjetuan banorët e Marinzës në Fier, pasojat e shpërthimeve në puset e naftës ku punon kompania kanadeze “Bankers Petroleum” janë akoma prezente. Disa vatra gazi janë ende aktive pranë shtëpive të banorëve të këtij fshati. Disa prej 60 familjeve të evakuuara kaluan natën tek të afërmit e tyre, ndërsa një pjesë tjetër e banorëve në vendet e përcaktuara nga autoritetet lokale.

Frika për shpërthime të papritura është ende e pranishme tek banorët e Marinzës. Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar në shtëpitë e banorëve që jetojnë shumë pranë puseve ku Bankers Petroleum ushtron aktivitetin për nxjerrjen e naftës, ndërsa komisioni për verifikimin e dëmeve do të përllogarisë dëmshpërblimin që do të marrin banorët për dëmet në shtëpi dhe toka bujqësore.

Shpërthimi i ujërave nëntokësore që pushtuan banesat dhe çlirimi i gazrave detyroi autoritetet të evakuonin familjet nga rreziku i ndotjes së mjedisit. Gjithçka ndodhi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës kur në dy puse ku punonte kompania “Bankers” ndodhi një avari gjatë shpimit.

Situata e vështirë që përjetuan banorët e fshatit Marinzë do të ishte shmangur nëse kompania kanadeze “Bankers Petroleum” do të kishte respektuar urdhrin e Ministrisë së Mjedisit e cila kishte pezulluar aktivitetin e kompanisë prej 27 shkurtit të këtij viti. A1 Report zbuloi ekskluzivisht dokumentin me firmën e “Mjedisit”, ndërsa menjëherë pas këtij lajmi Prokuroria nisi hetimet në lidhje me aktivitetin e kompanisë.

Shqiptarja.com 02.04.2015