Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP, puna nis në filim të verës

Intervistë me z.Shkëlqim Bozgo, menaxheri i gazsjellësit TAP për Shqipërinë/ Shqipëria është vendi i parë, në të cilin TAP do të nisë punimet, në fillim të verës së këtij viti, me përmirësimin dhe ndërtimin e rrugëve të kalimit dhe urave. Në total, TAP do të ndërtojë dhe do të përmirësojë rreth 110 km rrugë, po ashtu do të rikonstruktojë 50 ura ekzistuese dhe do të ndërtojë 2 ura të reja. Menaxheri i gazsjellësit TAP për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo, pohon në një intervistë për revistën “Monitor”, se punimet e tubacionit do të prekin rreth 11,000 parcela. Kontratat e para me pronarët e tokave u nënshkruan në fillim të këtij muaji dhe procesi vazhdon progresin. Një numër shumë i lartë marrëveshjesh paraprake janë tashmë të firmosura prej pronarëve. Bozdo shpjegoi se, ndërtimi i rrugëve dhe urave është në fazat përfundimtare të tenderimit, i cili po kryhet sipas legjislacionit të BE për prokurimet. Investimi i pritshëm në infrastrukturën rrugore që nis këtë vit vlerësohet nga 40 deri në 70 milionë euro.

Në cilën fazë ndodhet Projekti TAP në Shqipëri?

Gazsjellësi Trans Adriatik është duke ecur me ritmin e duhur dhe vazhdon punën sipas planit për të qenë gati në vitin 2020, në momentin kur të fillojë prodhimi i gazit prej vendburimit Shah Deniz. Dëshiroj të përfitoj nga kjo mundësi për të shprehur falënderime për qeverinë shqiptare, për angazhimin e vendosur dhe bashkëpunimin e treguar. TAP gëzon mbështetje të plotë si nga komunitetet vendore përgjatë korridorit të tubacionit, ashtu edhe nga e gjithë shoqëria shqiptare. Ne e çmojmë shumë këtë marrëdhënie të ngushtë për ndërtimin me sukses të gazsjellësit dhe funksionimin e tij në terma afatgjatë.

Shqipëria është vendi i parë në të cilin TAP do të fillojë punimet në fillim të verës së këtij viti me përmirësimin dhe ndërtimin e rrugëve të kalimit dhe urave. Në total, TAP do të ndërtojë dhe do të përmirësojë rreth 110 km rrugë, po ashtu do të rikonstruktojë 50 ura ekzistuese dhe do të ndërtojë 2 ura të reja. Komuniteti përreth do të vazhdojë të përfitojë nga këto përmirësime infrastrukturore edhe pas përfundimit të ndërtimit të gazsjellësit.

TAP është duke punuar shumë me autoritetet shqiptare për të siguruar të gjitha lejet e nevojshme dhe të drejtat mbi parcelat e tokës, ku do të kryhen punimet, për të mundësuar ndërtimin në kohë të rrugëve dhe urave të sipërpërmendura, në mënyrë që punimet për tubacionin të nisin sipas planifikimit në vitin 2016.

Gjithashtu, me qëllim rritjen e përfitimeve vendore, në muajin janar 2015, TAP organizoi një takim mes kompanive të parakualifikuara për ndërtimin e tubacionit dhe rrjetin e biznese vendore. Aktiviteti u ndoq me shumë interes nga 110 kompani lokale.

TAP është i përkushtuar për të mbështetur zhvillimin e Master Planit për Gazin Shqiptar, në mënyrë që të kontribuojë në rritjen social-ekonomike të vendit, si dhe të vendosë Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të gazit.

Kur priten të fillojnë punimet për infrastrukturën mbështetëse të Projektit?

Sikurse është përmendur më sipër, në mënyrë që TAP të jetë gati në momentin kur sasitë e para të gazit do të arrijnë prej vendburimit Shah Deniz në vitin 2020, ne planifikojmë që t’i fillojmë punimet kryesore për shtrirjen e tubacionit në vitin 2016. Përpara se të nisë ndërtimi kryesor i gazsjellësit, TAP-it do t’i duhet të ndërtojë rrugët e kalimit dhe urat në Shqipëri, punime këto që do të nisin në fillim të verës së këtij viti.

Ne kemi informacion se, aktualisht, menaxhimi i TAP po has vështirësi në procesin e shpronësimeve. A është e vërtetë kjo dhe cilat janë problemet me të cilat ju jeni përballur deri më tani?

TAP_route_Albania_harta gjurmaProcesi i sigurimit të të drejtave mbi tokën po ecën sipas afateve dhe po kryhet në përputhje me standardet e performancës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). TAP është i angazhuar që kurdoherë që është e mundur, të arrijë marrëveshje me pronarët dhe përdoruesit e tokave që preken si dhe të paguajë kompensimet përkatëse përpara fillimit të punimeve të ndërtimit.

Pritet që në Shqipëri, punimet e tubacionit do të prekin rreth 11,000 parcela. Me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të drejta dhe në përputhje me standardet e sipërpërmendura që prej vitit 2013 e deri më tani, TAP ka qenë i angazhuar në mënyrë të rregullt me të gjithë pronarët e tokave dhe palët e tjera të interesuara, duke zhvilluar një sërë takimesh. Kontratat e para me pronarët e tokave u nënshkruan në fillim të këtij muaji dhe procesi vazhdon sipas afateve. Një numër shumë i lartë marrëveshjesh paraprake janë tashmë të firmosura prej pronarëve të tokave që preken nga projekti. Pas arritjes së marrëveshjeve paraprake vijohet më tej me një përditësim dhe përmirësim të të dhënave të kadastrës dhe procesit të censusit dhe inventarit të aseteve.

Sa milionë euro pritet të investohen këtë vit për ndërtimin e rrugëve të reja dhe shpenzime të tjera të projektit në Shqipëri?

Ndërtimi i rrugëve dhe urave është tashmë në fazat përfundimtare të tenderimit, i cili po kryhet sipas legjislacionit të BE-së për prokurimet. Investimi i pritshëm vlerësohet nga 40 deri në 70 milionë euro.

A do të kenë ndikim te Projekti ndryshimet politike të Greqisë?

Sikurse është pasqyruar edhe në median shqiptare, ministri grek për Rindërtimin Produktiv, Mjedis dhe Energji, z. Lafazanis, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij dhe të qeverisë greke ndaj projektit TAP. Ministri ka theksuar rëndësinë që i kushton qeveria greke faktit që projekti sjell vlera ndaj republikës helene dhe qytetarëve të saj. TAP e mirëpret mbështetjen konstruktive të qeverisë greke dhe çmon rëndësinë e të punuarit së bashku, jo vetëm për të ruajtur pozicionin strategjik të Greqisë në sektorin e energjisë, por edhe për t’u kushtuar vëmendje dhe burimeve të rëndësishme partnerëve lokalë.

Revista Monitor,  15.03.2015