Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vazhdon lufta kundër vjedhjes së energjisë

Policia e Shtetit dhe OSHEE po vijojnë aksionin në të gjithë vendin për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit për shtyp nga Drejtoria e Policisë, gjatë kësaj jave në shkallë vendi kanë vepruar 122 grupe të përbashkëta polici-OSHEE, të cilët kanë kryer kontrolle të përbashkëta në 6.136 raste.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 58 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 58 autorë, ndër ta 4 elektriçistë të OSHEE-së për shpërdorim detyre.

Në njoftimin për shtyp bëhet e ditur se, janë arrestuar në flagrancë 25 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike dhe janë shpallur në kërkim 21 persona, po ndiqen në gjendje të lirë 12 shtetas, ndër ta 4 elektriçistë për shpërdorim detyre.

Po gjatë kësaj jave janë ndërprerë 3.949 lidhje të abonentëve debitorë dhe 54 lidhje të paligjshme. Gjithashtu janë kontrolluar 299 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.

“Policia e Shtetit dhe OSHEE janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shqiptarja.com 01.03.2015