Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE fillon testimin e elektriçistëve

Në kuadër të reformimit të burimeve njerëzore në OSHEE-së, kompania nisi sot fazën e parë të testimit me shkrim të 200 kandidatëve – elektricistë (teknik i mesëm), për të gjithë vendin.

Ky grup është përzgjedhur nga faza e selektimit të 1500 aplikimeve, zhvilluar në muajin janar 2015.

Kandidatët kanë aplikuar përmes sistemit online në faqen web të shoqërisë si dhe i kanë dorëzuar me kërkesat pranë zyrës qëndrore.

Testimi u zhvillua në ambjentet e Qendrës nr.4 të Formimit Profesional, pranë gjimnazit “Besnik Sykja” në Tiranë, ku i pranishëm për të parë nga afër procesin ishte edhe administratori z.Adrian Çela.

“Siç kemi deklaruar edhe më parë, OSHEE nuk është në aksion vetëm për të mbledhur arkëtimet dhe për të luftuar me abuzuesit, por edhe për të ndryshuar rrënjësisht sistemin e menaxhimit dhe mentalitetin e punës te burimet njerëzore. Kompania po mbyll strukturën e re, e cila pritet të miratohet në mars, dhe në këtë kuadër, duke patur parasysh edhe boshllëqet që kemi me stafin aktual, kemi nisur në janar 2015 shpalljen e aplikimeve online për të punuar në OSHEE. Kësaj thirrje ju përgjigjen 1500 vetë, ndërsa sot, pas selektimit, kemi futur në testim 200 kandidatë për elektricistë. Ky proces do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ku nuk përjashtohet edhe testimi i punonjësve aktual. Në mars hyn në fuqi Kodi i ri i Etikës, i cili kurrë më parë nuk sanksionon qartë procedurat dhe normat e sjelljes së punonjësit të OSHEE ndaj abonentit. Gjithashtu, të gjitha qendrat e Kujedsit ndaj Klientit, do të strukturohen nga para, etj”, tha ndër të tjera, administratori, Adrian Çela.

Duke iu përgjigjur interesit të medias, Çela deklaroi se, OSHEE ka marrë masat për të evituar radhët në sportele, duke hapur mbi 50 qendra në dy muaj, me orare pune deri në mbrëmje, përfshi edhe në fundjavë. “Së fundmi, kemi lidhur marrëveshje me subjekte private për të mundësuar pagesën e faturës, pa qenë nevoja të shkohet në OSHEE apo në postë. Këto kanale të reja pagesash alternative mundësojnë lehtësimin e këtij procesi dhe shmangien e kohës së gjatë”.

Sipas administratorit, deri më tani janë lidhur 197 mijë aktëmarrëveshje mes abonentëve dhe OSHEE për pagesën e detyrimit me këste apo me uljen e kamatëvonesës me 80%, ku vetëm për muajin shkurt janë rreth 51 mijë aktëmarrëveshje.

“Po, jemi në dijeni që ka një fluks dhe prandaj theksova masat e marra me qendra të reja dhe orare të zgjatura. Afati nuk do të ndryshojë. Deri më 28 shkurt kanë mundësi të lidhin marrëveshje me OSHEE. Nuk do të ketë më një datë tjetër!”, u shpreh kreu i OSHEE.

Adrian Çela sqaroi edhe çështjen me banorët e Institutit Bujqësor në Kamzë, të cilët kanë zënë konviktet dhe kërkojnë nga OSHEE të furnizohen me energji, kur nuk e kanë paguar më parë faturën e konsumit. I gjashëm është edhe rasti i konvikteve në Univeristetin e Tiranës (Qyteti i Studentit), por ata i kanë paguar detyrimet dhe kompania i është përgjigjur me infrastrukturë dhe shërbimin e furnizimit.

oshee logoRasti i banorëve në konviktet e Institutit

Në këto ambiente jetojnë 537 familje, të ndara në 8 godina që janë furnizuar dhe vazhdojnë të furnizohen me energji elektrike nga Instituti Bujqësor Kamëz, sot Universiteti Bujqësor. Ky furnizim është bazuar në marrëveshjen me këtë institucion për shlyerjen e detyrimit ndaj OSHEE-së.

Deri më 31 dhjetor 2013, me vendim të Këshillit të Ministrave nr.198, dt 3 prill 2014, këtyre banorëve iu është bërë një shuarje e detyrimit për faturat e energjisë elektrike në vlerën 622 milionë lekë të reja.

Më 30 dhjetor të vitit 2014, me ndërmjetësimin dhe të prefektit të Tiranës u arrit një marrëveshje me familjet që të instaloheshin panele matje të konsumit të energjisë elektrike për secilën godinë, në mënyrë që pagesa për energjinë të bëhej në bazë të konsumit dhe jo aforfe si deri atëherë.

Edhe pas instalimit të sistemit të matjes dhe stabilizimit të furnizimit me energji elektrike nga ana e kompanisë, familjet nuk i kanë paguar asnjëherë faturat e energjisë së konsumuar tek Universiteti Bujqësor, i cili ka në administrim ish konviktet dhe si rrjedhojë ky institucion nuk ka derdhur detyrimet ndaj OSHEE-së për këto familje.

Në total detyrimi që 537 familje i kanë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nga 1 janari 2014 e në vazhdim është 142 milionë lekë të reja. Në këto kushte, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, është i detyruar në respektim të ligjit të bëjë ndërprerjen e energjisë elektrike deri në shlyerjen e detyrimeve për energjinë e konsumuar.

OSHEE, me këtë rast fton të gjithë abonentët e tjerë debitorë që kanë detyrime të prapambetura ndaj OSHEE, të bëhen pjesë e skemës lehtësuese të ofruar nga kompania duke i rikujtuar se afati i fundit është data 28 shkurt.

energjia.al 23.02.2015