Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta, gazi dhe diplomacia ekonomike

Analistët, duke komentuar ngjarjet e fundit, kanë ardhur në përfundimin se për aq kohë sa ekonomitë e vendeve industriale nuk mund të shkëputen nga “zakoni i lidhjes me naftën dhe gazin” qëndrueshmëria e ekonomisë botërore nuk mund të jetë e sigurt.

Fuqizimi i Rusisë, Iranit dhe Venezuelës, të konsideruara me të drejtë ose jo, si vende të pasura me energji, pozon njëfarë kërcënimi ndaj stabilitetit ndërkombëtar dhe Perëndimit, për shkak se çmimet e larta të naftës mund t’u japin këtyre vendeve jo vetëm më shumë të ardhura për të financuar veprimtaritë e tyre, por edhe kontroll më të madh mbi vendet që varen nga importet e tyre.

Ekziston gjithashtu rreziku që vendet kryesore importuese të naftës, të shqetësuara për të siguruar furnizime të energjisë thelbësore për rritjen e ekonomisë vendase, të fillojnë të konkurrojnë në mënyrë të dëmshme për të ndikuar në rajonet eksportuese të naftës; pra rreziku politik do të jetë gjithmonë i pranishëm për arsyen e thjeshtë se në shtetet e pasura me naftë nuk ka institucione të forta që t’i mbajë nën fre politikanët e tyre.

Rusia, për shembull, nuk mendon se mund të kërcënohet nga një kundërveprim masiv nëse ajo përdor gazin e saj natyror si një armë ekonomike dhe politike për të kufizuar zgjerimin e Perëndimit dhe të NATO-s në Lindje dhe për të ndikuar mbi politikën e shteteve të Gadishullit të Ballkanit, veçanërisht për çështjen e Kosovës; Rusia është furnizuesi më i rëndësishëm me gaz i Europës Perëndimore (me 60% të furnizimit total) dhe vendeve ballkanike (me gjysmën e totalit të eksporteve ruse të naftës dhe gazit në tregun ballkanik, që llogaritet në 59 milionë tonë naftë dhe 79 miliardë metër kub gaz), çka dëshmon se fuqia e saj në treg është pothuajse e pakundërshtueshme.

Prandaj, ekonomikisht dhe diplomatikisht, Rusia e sheh veten në një pozitë shumë të favorshme, sepse është në gjendje t’i ofrojë Kinës, Indisë, Japonisë, si dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian atë çka Amerika nuk ua ofron dot. Në këto vende, Rusia eksporton 30% të naftës dhe 44% të gazit, dhe ka rritur influencën e saj euroaziatike. Nafta, edhe pse është një burim i kufizuar, nxit sistemin global të transportit, veçanërisht në vendet në zhvillim, të cilët, në rast se do ta konsumonin atë në të njëjtin nivel me vendet e KE–së, atëherë konsumi botëror do të rritej me 150%.

Por dëshira për të ulur varësinë nga nafta ka komplikacionet dhe justifikimet e veta gjeopolitike, strategjike, ekonomike, sociale dhe kështu me radhë. Derisa ekonomitë e vendeve industriale të shkëputen nga ajo që Presidenti George W. Bush e quajti “zakoni i lidhjes sonë me naftën”, qëndrueshmëria e ekonomive të vendeve të industrializuara, pra qëndrueshmëria e ekonomisë botërore do të jetë e pasigurt”.

Në rrethanat e krijuara nga kriza botërore, në Gjenevë nga 19 deri më 21 nëntor, 2008 u mblodh Sesioni i 17–të i Komisionit Ekonomik për Europën i Kombeve të Bashkuara për “Aleancat Strategjike për Sigurinë e Energjisë”, i cili u përqendrua në problemet e mprehta që përfaqëson sot sektori i naftës dhe i gazit në botë, rreziqet e krijuara për shkak të krizës globale financiare, paqëndrueshmërisë së çmimeve të naftës dhe ndryshimeve të mprehta të kërkesës për naftë që e kanë sigurinë e furnizimit me energji një problem emergjent.

Në rritjen e kërkesës për energji në shkallë botërore deri në vitin 2030, peshën kryesore me 52% të konsumit të përgjithshëm të energjisë do ta zënë hidrokarburet, 27% qymyret, 15% energjitë e rinovueshme dhe 6% energjia nukleare. Prodhuesit kryesorë në tregun e energjisë sot janë: Lindja e Mesme, Rusia, Rajoni i Kaspikut, Kanadaja, Afrika dhe Venezuela, ndërsa konsumatorë janë: Amerika e Veriut, Europa, Kina, India, Brazili, të cilat së bashku konsumojnë 61.3% të naftës dhe 50.1% të gazit botëror; Irani renditet i dyti në botë për sa u përket rezervave të gazit dhe po ashtu i dyti në prodhimin e naftës në kuadër të OPEC–ut (që zë 40% të naftës në nivel botëror); të dhënat janë shqetësuese, sepse me ritmin aktual të rritjes së konsumit, rezervat llogariten: (i) 230 vjet për qymyrin; (ii) 70 vjet për gazin; (iii) 50 vjet për naftën. Gazi natyror ka rezerva të bollshme, por ai do të kërkojë investime të mëdha në pikëpamje të transportit dhe shoqërohet me rreziqe gjeopolitike të mëdha.

Meqenëse energjia po bëhet një problem gjithnjë e më i ndjeshëm, rëndësi të madhe ka njohja dhe vlerësimi i zhvillimeve botërore në fushën e naftës dhe gazit, sidomos pas asaj që ndodhi në vitin 1971, kur roli historik i naftës së prodhuar në SHBA mori fund, për shkak se kërkesa botërore e tejkaloi aftësinë prodhuese të SHBA dhe të pavarësisë energjetike të tyre. Që prej vitit 1971, epiqendra e rregullimit të çmimeve u zhvendos nga SHBA te disa kompani të mëdha prodhuese amerikane në Lindjen e Mesme dhe, më pas, u zhvendos te forcat e tregjeve të globalizuara, të cilat në ditët e sotme, nuk mund të kontrollohen as nga prodhuesit e mëdhenj dhe as nga ndonjë organizëm tjetër. Shfrytëzimi deri në ekstrem i fuqisë së përcaktimit të çmimeve në fillim të dhjetëvjeçarit të vitit 1970, i detyroi shumë vende prodhuese të naftës dhe, veçanërisht, ato të Lindjes së Mesme, t’i shtetëzonin kompanitë e naftës me qëllim që ta ushtronin direkt ndikimin e tyre politik në arenën ndërkombëtare.

Analistët e politikës e kanë bërë plotësisht të qartë se për aq kohë sa vendet e mëdha konsumatore do të jenë të detyruar të përdorin burime gazi nga vendet që nuk mbajnë marrëdhënie miqësore me ato, do të preken nga krizat. Rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit në botë janë nën kontrollin e monopoleve shtetërore në vende si Rusia, Irani, Arabia Saudite, Nigeria, Venezuela, etj., të cilët të ardhurat për buxhetet e tyre i sigurojnë nga shitja e naftës, që përbën pothuajse burimin kryesor të të ardhurave.

Rusia parashikon të zhvillojë transportin e gazit drejt Shqipërisë nga jugu i Serbisë, duke e përcjellë nga Bullgaria, ndërsa shoqëria “Lukoil” ka investuar me 1.5 miliardë US$ në bashkëpunim me shoqërinë gjermane “Siemens”, për ndërtimin e një naftësjellësi tjetër që do ta transportojë naftën bruto nga Rusia në Kroaci dhe direkt në Adriatik (çka shpjegon pretendimin e Presidentit Tadiç në Samitin e Sofjes se Serbia do të ishte një vend dispeçer). Në revistën “The Economist”, gazetari E. Lukas shkruante: “Kosova mbetet shembulli më i qartë i politikës ruse përça dhe sundo”.

Revista Monitor,  22.02.2015