Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tregtarët e karburanteve në Kosovë, të çoroditur

Krye në vete vendosin për çmimin, për sasinë e për cilësinë e produktit që ua shesin qytetarëve. Kështu duket situata në tregun e karburanteve në Kosovë ditëve të fundit kur edhe është ngritur çmimi i arit të zi derisa në gjithë botën çmimi i tij po bie.

Të hënën në mëngjes një litër naftë është shitur me 1.2 euro në Prishtinë ndërsa pritej që të binte në rreth 0.80 euro cent.

Ky treg sipas njohësve të ekonomisë po shkon në kundërshtim me trendet globale. Pavarësisht kësaj, naftëtarët i referohen bursës ndërkombëtare për ndryshimet e çmimit të karburanteve.

Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS” thotë se çmimi i naftës dhe i derivateve të saja në Kosovë kryesisht flet për një treg të pa organizuar, anarkik dhe me tendencë për krijimin e oligopoleve, përkatësisht të ndikimit të disa kompanive importuese , të cilat vet duan të krijojnë rregullat.

“Pra, në këtë rast, nuk vërehet ndikimi i kërkesës dhe i ofertës, përkatësisht ai i konsumatorit, si rregullator në treg”, thotë Rexhepi.

Për këtë arsye , përderisa çmimi i karburanteve bie në tërë botën (bursa) në Kosovë ngritet. Rexhepi pohon se ky ndryshim në çmim nuk reflekton zhvillimet në tregun ndërkombëtar, por interesat e monopoleve. “Ditëve të fundit ka një rritje të lehtë të çmimit të naftës së papërpunuar në bursa. Nga 49,50 dollarë sa kushtonte një barel në fund të janarit, në javën e tretë të shkurti u ngrit në 60,1 dollarë. Pra një ngritje shumë e lehtë, ndonëse mesatarja e çmimit në pesë vjetët e fundit sillej kah 100 dollarë për një barelë”, thotë Rexhepi.

Sipas tij, në Kosovë zhvillimet janë në kundërshtim me trendet globale. “Krejt kjo ndodhë për shkak se po keqpërdoret pozita monopoliste e kompanive, mungon kontrolli shtetëror, i cili nuk duhet të ndërhyj në çmim, por të vjelë fitimet e krijuara nga kjo ngritje e çmimit, si edhe të jetë shumë më pedante për ushtrimin e kontrollit në kufi- si për cilësi, sasi, çmimin furnizues, etj”.

E autoriteti që është i thirrur ta ruaj tregun nga monopolit dhe marrëveshjet për fiksim çmimesh, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nuk është funksional për shkak të mungesës së bordit.
Por, në Shoqatën e Naftëtarëve të Kosovës, thirren se Bursat Ndërkombëtare janë përcaktuese i çmimit që ndodhë në Kosovë.

Madje ata kur është në pyetje shtrenjtimi i karburanteve i përcjellin me përpikëri ato. “Çmimet e derivateve janë ngritur si pasojë e lëvizjeve në berzat ndërkombëtare dhe ne jemi shumë të vegjël si tregje që të kemi ndonjë ndikim ose të kemi mundësi të ruajmë çmimet. Çmimet e derivative të lëngëta të naftës krijohen në bazë të lëvizjeve të çmimeve të berzës edhe mund të ketë lëvizje brenda çastit”, thotë kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.

Sipas tij, çmimi i shitjes ka qenë 0.89 euro para pak ditësh por çmimi i sotshëm në Kosovë është rreth 1 euro.

Ai thotë se çdo ndryshim çmimi, çdo lëvizje në çmimet botërore ndikon edhe në Kosovë dhe është e vështirë të prognozohet nëse do të ketë ngritje apo jo të çmimit në ditët në vazhdim.
Berjani arsyeton shtrenjtimin e naftës me forcimin e dollarit krahasuar me euron. “Ka raste kur çmimet e naftës janë ulur kurse dollari ka pas ngritje ose e kundërta. Do të thotë ne nuk jemi ata të cilët mundemi të garantojmë çmime stabile të derivateve të lëngëta të naftës”.

Sikur Kosova të kishte rregullatorin e çmimit, siç e ka Maqedonia, Berjani thotë se atëherë ky treg do të ishte nën kontrollë, dhe do të menaxhohej sikur rritja e çmimit ashtu edhe zbritja e çmimit.

Gazeta Fjala,  23.02.2015