Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Eksperimenti: Matje të pasakta të energjisë

Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, zbulon “armën” amerikane me anë të së cilës do të ulë humbjet gjatë vitit 2015. “Në bashkëpunim me USAID kemi pasur mundësinë të eksperimentojmë një projekt pilot për kontrollin e fiderave”, tha Çela. “Verifikimi i konsumatorëve, konstatimi i rasteve të vjedhjeve, pastrimi i rrjetit nga lidhjet e parregullta dhe stabilizimi i ngarkesës në transformator bën që humbjet të uleshin në këtë fider nga 51% në 32%”, deklaroi Çela. Këtë projekt pilot, njoftoi Çela, do ta shtrijmë në të gjithë territorin. “Do të marrim në kontroll fiderat në çdo zonë. Do të ketë një bilanc të detajuar të energjisë së futur, asaj të faturuar dhe humbjeve”, tha Çela. Ndërkaq, kjo do të jetë baza e të dhënave të performancës në OSHEE. “Punonjës konkretë të OSHEE-së do të jenë përgjegjës për çdo fider. Do të ketë një sistem performance: kush nuk arrin objektivin për uljen e humbjeve, do t’i lërë vendin dikujt që di dhe dëshiron ta bëjë këtë punë më mirë”, paralajmëroi Çela. Ndërsa Rama deklaroi se nga ky eksperiment rezulton që ka matje të pasakta. “Ajo që provon eksperimenti i bërë në bashkëpunim me konsulencën amerikane në dy fidera është që shumë nga konsumatorët që paguanin një aforfe, konsumonin më shumë se sa aforfeja. Në këtë rast humbiste kompania, por në raste të tjera humbet konsumatori, sepse konsumon më pak dhe i vjen fatura më shumë”, deklaroi Rama. Lidhur me humbjet, administratori Çela solli shifra optimiste. “Niveli i humbjeve për janarin u ul në 36.7%, ose 10.3% më pak humbje krahasuar me vitin e kaluar. Në janar u arkëtuan 6,11 miliardë lekë. Kjo do të thotë 57% se në të njëjtin muaj të vitit 2013.

Pagesat

“Qytetarëve do t’u vihen në dispozicion forma alternative për pagesën e detyrimeve të energjisë elektrike; përmes bankës, shërbimit celular, pikave të transfertës së parave apo dyqaneve në qendrat tregtare”, u shpreh administratori Çela. Ky sistem pritet që të hyjë në fuqi këtë muaj. Rama u shpreh se “qytetarët mund të paguajnë energjinë në shumë drejtime, mund të paguajnë nëpërmjet telefonit celular, pa asnjë problem. Ju del aty fatura e detyrimeve dhe me një klik shlyhen detyrimet”, tha Rama. Gjithashtu, sipas Kryeministrit, qytetarët mund të paguajnë nëpërmjet disa agjencish, si Western Union dhe të tjera. “Qytetarët do të mund të paguajnë edhe nëpërmjet kompanive celulare, sapo edhe ata të hyjnë në operativitet”, njoftoi Rama. Kryeministri renditi si mënyrë pagese edhe internetin. Ai tha se klientët mund të përdorin edhe “portalin qeveritar e-albania, portalin e shërbimeve që është një portal që do të hyjë në funksion brenda këtij muaji”. Pra, vazhdoi Rama, nuk do të ketë nevojë as për të shkuar në radhë. “E gjitha do të jetë e liberalizuar dhe pa kosto te qytetarët”, premtoi Kryeministri.

Ankesat

Duke u angazhuar të transformojë plotësisht Shërbimin e Kujdesit ndaj Klientit, Çela tha se “do të përdorim teknologjinë për të thjeshtuar dhe bërë sa më transparente procedurat e depozitimit dhe shqyrtimit të ankesave. Përmes instalimit të një aplikacioni online, çdo qytetar do mund të ndjekë statusin e ankesës nga shtëpia, biznesi apo zyra”. Kryeministri tha se duhet një shërbim ndaj klientit i standardeve europiane. “OSHEE ka përgatitur një proces intensiv për trajnimin e të gjithë atyre që janë në sportel dhe të gjithë atyre që përballen me klientin. “Sigurisht jemi të vetëdijshëm, kujdesi ndaj klientit është mizerabël”, deklaroi Rama.

Gazeta Shqip,  12.02.2015