Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Projektligji “Për sektorin e energjisë elektrike”

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri mbajtur në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese mbi projektligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”

I nderuar kryetar,

Të nderuar deputetë,

Faleminderit që më jepni mundësinë të prezantoj këtë projektligj të rëndësishëm, i cili përbën gurin e themelit mbi të cilën do të ndërtohet i gjithë modeli i ri i tregut energjetik. Është një ligj, i cili padyshim do të ndiqet prej shumë zhvillimeve të tjera në sektorin energjetik.  Them është guri i themelit sepse vet legjislacioni evropian, direktiva evropiane, paketa e tretë e energjisë kërkon implementimin e rregullave të reja, që do të thotë ndryshime radikale në mënyrën se si është menaxhuar tregu energjetik në shumë vende të Evropës Juglindore, por edhe për vetë Evropën e bashkuar.

Ky projektligj që po sjellim është përgatitur me asistencën e USAID-it dhe të Komunitetit të Energjisë. Pra, vet Bashkimi Evropian tregon një interes të veçantë dhe në raportin e fundit të progresit, theksohej nevoja për ndryshimin e legjislacionit bazë të sektorit të energjisë elektrike. Ky ligj duhet të kishte ardhur më përpara, por priste zhvillime të tjera objektive, pa të cilat ishte e pamundur miratimi i tij. Këto zhvillime kishin të bënin me problemin e hapur të pronësisë së sektorit të shpërndarjes, i cili ishte parakushti që të mund të krijonte mundësinë e aplikimit të legjislacionit të ri. Mbyllja e konfliktit të hapur për pronësinë dhe marrja e sektorit në kontroll e pronësi të shtetit, krijon mundësinë që të ndryshojnë të gjitha rregullat e lojës, përsa i përket sektorit të energjisë elektrike.

Projektligji “Për sektorin e energjisë elektrike” përmbush mbi të gjitha angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Projektligji, ka si qëllim krijimin e një kuadri ligjor në këtë sektor, me objektivin: krijimin dhe funksionimin e një tregu konkurrues; furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike të klientëve, mbrojtje të interesave të konsumatorëve, minimizim të kostos së shërbimit të furnizimit.

Ligji për sektorin e energjisë është parakusht për reformat. Ky sektor duhet të funksionojë në përputhje të plotë me parimet e një tregu të lirë, të liberalizuar, konkurrent, të aftë për të siguruar efiçencën e tij dhe kthimin në një burim të ardhurash për Buxhetin e Shtetit.

Miratimi i këtij ligji do të pasohet dhe me një sërë ligjesh të tjera, por që në themel kanë miratimin e tij. Kështu, do kemi Ligjin për Energjitë e Rinovueshme, Plani Kombëtar për Energjitë e Rinovueshme, si dhe shumë akte të tjera që lidhen me sektorin energjetik, kryesisht me gazin, i cili edhe ky do të jetë një sektor i rregulluar. Paketa ligjore është gati, pasi të miratohet ligji për sektorin e energjisë elektrike do të vazhdohet edhe me të.

Eksperienca negative me privatizimin e shoqërisë së shpërndarjes dhe rimarrja e 76% të aksioneve të shoqërisë CEZ Shpërndarje nga Qeveria Shqiptare, ka bërë të domosdoshëm ristrukturimin e gjithë sektorit elektroenergjetik, përfshirë ndryshimin e Modelit të Tregut të Energjisë Elektrike. Për të mundësuar një ristrukturim të sektorit dhe dizenjimin e një modeli të ri të tregut duhet mbështetja ligjore, e cila do të realizohet pikërisht nëpërmjet këtij ligji.

Efektet e këtij ligji do të jenë të menjëhershme në pikëpamje të përcaktimit të qartë të funksioneve dhe përgjegjësive të operatorëve të ndryshëm në sektorin e energjisë elektrike, përfshirë liberalizimin e mëtejshëm të tij dhe përmirësimit të efiçencës së sektorit.

Çfarë parashikon ky projektligj?! Unë dua të ndalem tek pikat kryesore.

Politikat e sektorit elektroenergjetik

Ky projektligj përcakton përgjegjësitë dhe kompetencat e Këshillit të Ministrave si përgjegjës për politikat e përgjithshme të zhvillimit të sektorit të energjisë elektrike të Shqipërisë, ndërsa Ministria është hartuese dhe propozuese e këtyre politikave, si dhe vlerëson ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese. Në mënyrë të qartë, ndan politikëbërjen dhe përgjegjësitë rregullatore mes Qeverisë (Këshilli i Ministrave dhe Ministria përgjegjëse për energjinë) dhe Rregullatorit të Energjisë (ERE), i cili është një institucion i pavarur dhe është ai gardiani i rregullave të tregut. Autorizon ministrin përgjegjës për energjinë për të urdhëruar mbledhjen e të dhënave të konsumit të energjisë dhe të furnizimit nga tregu, me qëllim të përdorimit të tyre për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare të Energjisë dhe dokumentet e tjerë të politikës së energjisë. Projektligji kërkon një rregullator të fortë dhe plotësisht të pavarur që do të ketë kompetenca të plota në rregullimin e sektorit të energjisë, në veçanti në dritën e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Siguria e Furnizimit

Si një element shumë i rëndësishëm, është parashikuar detyrimi i palëve për marrjen e masave për zhvillimin, miratimin dhe zbatimin e rregullave për sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Parashikohen masat që ndërmerren për rastet kur rrezikohet siguria e furnizimit, masat që ndërmerren për raste situatash emergjente dhe rolin dhe detyrimet e pjesëmarrësve të tregut në lidhje me sigurinë e furnizimit. Këshilli i Ministrave, ERE së bashku me Operatorin e Sistemit të Transmetimit do të marrin masa për ruajtjen e balancës midis kërkesës për energji dhe disponueshmërisë të kapacitetit prodhues.

Enti Rregullator i Energjisë

Në nenin 10 të këtij ligji konfirmohet pavarësia ligjore dhe funksionale e këtij institucioni publik, që ushtron funksionet në mënyrë të paanshme dhe transparente. Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm i funksionimit të ERE-s sipas modelit më të mirë të Bashkimit Evropian është edhe pavarësia financiare që përcaktohet në nenin 17. Në kryerjen e aktivitetit të vet, ERE miraton buxhetin, i cili përballohet nga pagesat rregullatorë që paguhen nga të licencuarit në përpjesëtim të drejtë me të ardhurat vjetore, që vijnë nga objekti i veprimtarisë së licencuar.

Ky institucion në bazë të ligjit merr masa për nxitjen e krijimit të një tregu të brendshëm dhe hapjen efektive të tregut për të gjithë klientët dhe furnizuesit. Gjithashtu ERE merr të gjitha masat për heqjen e barrierave që pengojnë futjen e pjesëmarrësve të rinj dhe siguron përfitimin e klientëve prej funksionimit eficient të tregut kombëtar.

Sistemi Elektroenergjetik

Parashikohet detyrimi i përgjithshëm i operatorëve të shpërndarjes dhe transmetimit për sigurimin e lidhjes me sistemin mbi terma dhe kushte jo diskriminuese dhe mbi bazë të një pagese të lidhjes, të përcaktuar në bazë të një metodologjie të miratuar nga ERE. Po ashtu, konfirmohet parimi i aksesit të lirë të rrjetit nga gjithë klientët dhe përdoruesit e sistemit, përveç kur me vendim të ERE kjo kufizohet përsa i përket interkonektorëve të rinj dhe linjave direkte. Në seksionin 2 të kësaj pjese, përcaktohen veprimtaritë e liçencuara të cilat përfshijnë prodhimin, operimin e sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes, furnizimin me energji elektrike, tregtimin dhe operimin e tregut të energjisë elektrike.

Në nenin 45 të këtij ligji përcaktohet parimi i vendosjes së detyrimit të shërbimit ndaj një të licencuari. Detyrimi i shërbimit publik mund të lidhet me sigurinë e furnizimit, cilësinë e shërbimit, çmimin e energjisë elektrike. Prodhuesit e energjisë elektrike kanë të drejtën të shesin lirisht energjinë elektrike të prodhuar nga impiantet e tyre, por duke treguar kujdes në ruajtjen e balancës së sistemit dhe kanë detyrimin të sigurojnë shërbimet e balancimit në tregjet e energjisë elektrike.

Në bazë të këtij ligji përcaktohet se OST administron sistemin e transmetimit, që përbëhet nga linjat dhe nënstacionet 400 kV, 220 kV, linjat 110 kV. Në përputhje me Direktivën, në projektligj përcaktohet se pronësia e Operatorit të Sistemit të Transmetimit duhet të jetë e ndarë nga çdo subjekt që ushtron kontroll direkt apo të tërthortë ndaj veprimtarive të prodhimit apo furnizimit. Këto ndalime do të zbatohen në mënyrë të veçantë përsa i përket fuqisë për të ushtruar të drejtën e votës, kompetencën për të emëruar anëtarë të këshillimit mbikëqyrës apo mbajtjes së një pjese të shumicës së aksioneve.

Gjithashtu, në këtë seksion përcaktohet një koncept i ri përsa i përket caktimit dhe çertifikimit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit. ERE miraton një procedurë të hollësishme për kërkesat për aplikim dhe çertifikim të Operatorit të Sistemit të Transmetimit për të provuar pavarësinë në përputhje me parashikimet e këtij ligji.

Operatori i Sistemit të Transmetimit në bazë të këtij ligji ka të drejtë të mbledhë tarifën e rrjetit, në bazë të metodologjisë së miratuar nga ERE dhe ka të drejtën të blejë energji përsa i përket mbulimit të humbjeve në sistemin e transmetimit dhe sigurimit të shërbimeve ndihmëse që nevojiten për operimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit të transmetimit.

Në ndryshim nga legjislacioni ekzistues, që përcaktonte se aktiviteti i shpërndarjes kryhej vetëm nga një operator, me anë të këtij projektligji synohet të jepet mundësia për kryerjen e këtij aktiviteti nga disa subjekte, nëse një gjë e tillë do të rezultonte efektive nga pikëpamja energjetike dhe ekonomike. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka si detyrë të mbajë dhe operojë sistemin në gjendje të sigurt, të qëndrueshme dhe eficiente, lidh të gjithë klientët që kërkojnë të lidhen në rrjetin e shpërndarjes në baza jo-diskriminuese. OSSH prokuron energjinë elektrike të nevojshme për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes.

Në nenin 68 të ligjit përcaktohet që deri në 31 dhjetor 2017, OSSH duhet të jetë ligjërisht i ndarë dhe i pavarur nga aktivitetet e tjera që nuk kanë të bëjnë me shpërndarjen dhe duhet të mbajë një markë tregtare, e cila është e ndryshme nga emrat e aktiviteteve të tjera që nuk lidhen me shpërndarjen. Në seksionin gjashtë të kësaj pjese, përcaktohen disa risi të këtij ligji përsa i përket matjes së energjisë elektrike. Sipas nenit 72, përcaktohet që me miratim të ERE, operatorët e sistemit të transmetimit dhe të shpërndarjes mund të kontraktojnë operatorë të pavarur për kryerjen e funksionit të matjes dhe/ose shërbimeve të leximit të matësve. Ndërkohë në nenin 74, parashikohet implementimi i sistemit të matësve inteligjentë (smart meters), siç është edhe një kërkesë e direktivës për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, ku deri në një periudhë kohe duhet të shtrihet matja inteligjente. Gjithashtu ky shërbim mund të shtrihet edhe tek sistemi i billingut dhe marrjes së të ardhurave nga klientët.

Furnizimi i energjisë elektrike

Në projektligj parashikohet se tashmë furnizimi me energji elektrike i klientëve fundorë mund të bëhet nga çdo i liçencuar në bazë të çmimeve të rregulluara dhe të përcaktuara nga ERE nën detyrimin e shërbimit universal dhe me çmime të negociuara lirisht midis palëve. Garantohet që ndryshimi i furnizuesit bëhet me kërkesë të klientit fundor dhe pa kosto shtesë për klientin. Çdo ankesë lidhur me ndryshimin e furnizuesit do të paraqitet para ERE për zgjidhje.

Në seksionin e dytë të kësaj pjese, përcaktohen modalitetet e njoftimit dhe kërkesa për të paguar energjinë elektrike, si dhe masat e ndryshme që mund të marrë furnizuesi për marrjen e këtyre pagesave.

Përsa i përket parashikimeve mbi mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve të energjisë elektrike nga klientët fundorë, ku parashikohet edhe mundësia e furnizuesit për të vendosur barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme të klientit fundor, në rast se detyrimi i akumuluar kalon një vlerë të caktuar, dua të sqaroj se këto propozime mbi ekzekutimin e detyrimeve të energjisë elektrike vijnë në një situatë kur sektori energjetik ndodhet në një gjendje mjaft të vështirë ekonomike financiare. Problemet me mos pagesat dhe akumulimin e borxheve nga klientë të ndryshëm, përfshirë edhe transferimet e shpeshta mbi objektet e pronësisë edhe për të shmangur detyrimet për të paguar energjinë, kanë qenë një problem real i cili ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në sektorin e energjisë elektrike.

Për këtë arsye, aplikimi i hipotekës mbi objektet që furnizohen me energji elektrike, paraqet një zgjidhje pozitive, qoftë për interesat e blerësve të këtyre objekteve të cilët nuk do të përballen më me fatura të panjohura dhe me probleme për të lidhur energjinë elektrike, qoftë edhe për interesat e furnizuesit të energjisë elektrike. Në këtë kuptim, në rastet e tjetërsimeve të pasurive, shpesh herë pronarët e rinj të objekteve të paluajtshme janë penalizuar me ndërprerjen e energjisë elektrike, për shkak të detyrimeve  të mbartura të energjisë elektrike, që rezultojnë në një pikë të caktuar furnizimi që lidhet me objektin e paluajtshëm të përfituar mbi bazën e një kontrate shitje.

Madje për shkak të ekzistencës së detyrimeve, pronarët e rinj nuk procedojnë dot me lidhjen e kontratës së energjisë elektrike për të njëjtën pikë furnizimi, por janë të detyruar që të aplikojnë e të paguajnë tarifat e lidhjes së re, duke u ngarkuar me një detyrim financiar të tepërt. Kjo vendos në pozitë të disfavorshme blerësin, pra pronarin e ri, i cili nuk ka dijeni për detyrimet e energjisë elektrike të shitësit, për energjinë e furnizuar në objekt nga kjo pikë furnizimi dhe si rezultat, blerësi bëhet subjekt i ndërprerjeve të energjisë në këtë pikë furnizimi. Vendosja e hipotekës sjell në vëmendje të palëve çështjen e pagesës së detyrimeve të energjisë gjatë kalimit të pronësisë së pasurive të paluajtshme, pasi hipoteka do të evidentohet në kartelën e pasurisë së paluajtshme në momentin e përfundimit të kontratave. Sqarojmë se u rikonceptua edhe proçesi i mëtejshëm, duke i lënë të drejtën e ndjekjes së procedurave të mëtejshme të ekzekutimit, përfshirë edhe sekuestrimin, përmbaruesit gjyqësor konform parashikimeve të Kodit të Procedurës Civile.

Klientët dhe mbrojtja e klientëve

Në bazë të këtij ligji vendoset parimi që çdo klient ka të drejtën të zgjedhë lirisht furnizuesin e tij të energjisë elektrike me çmime të parregulluara. Ndërsa në nenin 94, parashikohet mbrojtja e posaçme e të drejtave të klientëve fundorë. Kështu, nuk lejohet sjellja diskriminuese e të liçencuarit, si dhe kushtet e ofruara për nënshkrimin e kontratës duhet të jenë transparente. Klientët fundorë kanë të drejtë të informohen paraprakisht për çdo ndryshim të kushteve të kontratës, si dhe të marrin informacion të plotë për çmimet, tarifat, termat dhe kushtet standarde në lidhje me shërbimin e energjisë elektrike. Gjithashtu klientëve u sigurohen procedura të thjeshta dhe transparente për trajtimin e ankesave të tyre.

Ndërkohë në bazë të nenit 95, përcaktohet që Ministria përgjegjëse për çështjet sociale do të përcaktojë kriteret dhe procedurat për përfitimin e statusit të konsumatorëve në nevojë, të drejtat e tyre, si dhe masat që do ndërmerren për mbrojtjen dhe trajtimin e kësaj kategorie. Masat që do të ndërmerren për dhënien e ndihmës së këtyre klientëve, do të miratohen nga Këshilli i Ministrave.

Tregu i energjisë elektrike

Në pjesën e tetë të ligjit, vendosen parashikime mbi mënyrën e funksionimit të tregut të energjisë elektrike, në bazë të kontratave dypalëshe ose si treg i organizuar i ditës në avancë, i organizuar dhe menaxhuar nga Operatori i Tregut. Çdo pjesëmarrës i tregut të energjisë elektrike ka përgjegjësi për balancimin e energjisë që kontraktohet apo konsumohet nga ana e tij në një periudhë kohore të caktuar, e cila reflektohet në kontratën me operatorin e tregut.

Të drejtat e pronësisë

Pjesa e nëntë, vendos parimet e të drejtave të pronësisë së të liçencuarve, ku përcaktohet që për sigurinë e shërbimit të energjisë elektrike, i liçencuari mund të kërkojë përdorimin e njërës prej të drejtave si, e drejta për linjat, e drejta e përdorimit, e drejta e servitutit apo e shpronësimit. Pjesa e fundit “Dispozita të tjera”, vendos rregullat për hetimin administrativ të ERE në rastin e shkeljeve të legjislacionit nga të liçencuarit. Në bazë të nenit 105, përcaktohet procedurat e vendosjes nga ana e ERE të kundërvajtjeve administrative.

Si përfundim, dua të them diçka për rrugën që ka ndjekur ky projektligj dhe diçka për tregun e pritshëm të energjisë elektrike, në momentin kur legjislacioni do të kalohet dhe do të hyjë në fuqi. Projektligji ka ndjekur një rrugë konsultimesh, është një punë e gjatë e bërë. Ky projektligj është filluar me kohë, por u intensifikua 6 muajt e fundit, sidomos pas zgjidhjes së konfliktit me palën çeke dhe marrjes së pronësisë së sektorit nga shteti.

Konsultat kanë qenë të gjera me institucionet ndërkombëtare, Bankën Botërore, USAID-in që ka qenë direkt mbështetës edhe me ekspertizë, përfshirë edhe Komunitetin e Energjisë. Të gjithë aktorët dhe institucionet financiare janë njohur dhe janë konsultuar në lidhje me hartimin e këtij projektligji. Gjithashtu janë bërë konsulta të gjëra, vetëm në Ministrinë e Energjisë janë bërë mbi katër konsulta me të gjitha grupet e interesit, qofshin këta prodhues, tregtare të energjisë. Në përgjithësi, janë marrë të gjitha komentet e tyre dhe janë reflektuar kuptohet brenda një politike të caktuar shtetërore në bazë të objektivave që qeveria shqiptare i ka vënë vetes.

Së fundi edhe javën e kaluar u bë një konsultë e gjerë me të gjithë donatorët, ku erdhi edhe vet drejtori i Komunitetit të Sekretariatit të Energjisë, kishte përfaqësues edhe nga komisioni juaj. Pati një diskutim të gjerë, një mbështetje të përgjithshme nga të gjithë donatorët në lidhje me objektivat dhe synimet që ka ky projektligj.

Projektligji, nëse miratohet në njëfarë mënyre plotëson plotësisht direktivën e Bashkimit Evropian. Pra, Shqipëria ka një legjislacion modern dhe aktualisht kthehet si një nga vendet reformatore kryesore në rajon. Vetëm Serbia është në procesin e miratimit të këtij ligji dhe e dyta është Shqipëria. Kjo do të thotë që po ecim me hapa të shpejtë drejt politikave liberalizuese, siç kërkon paketa e tretë e direktivës për energjinë elektrike.

Dua të them që me miratimin e këtij ligji do të kemi edhe një ndryshim tërësor të sistemit të tregut në Shqipëri, ose modelit të tregut. Së pari, KESH-it do ti hiqet detyrimin për furnizimin publik me shumicë. Pra, nuk do të jetë më e detyruar KESH që të blejë energjinë e prodhuesve privatë apo të importojë energji, përveç nevoja për klientët tariforë, siç janë të përcaktuar mes marrëdhënies së KESH-it me Operatorin e Shpërndarjes. Detyrimi i mbetet Operatorit të Shpërndarjes, i cili do të marrë përsipër edhe kontraktimin e energjisë nga operatorët e pavarur. Kjo do të bëjë që KESH-i të fillojë të shëndoshet dhe ti shpëtojë asaj që e kam thënë edhe herë tjetër, por pa dashur ta politizoj, që shpeshherë kaskada është përdorur për eksperimente në politikat energjetike, që çuan edhe në falimentimin totalisht të kompanisë.

Ky model i përafrohet shumë modelit evropian dhe fillimi i liberalizmit, duke filluar nga klientët e lidhur në 35 kv dhe më vonë duke vazhduar në vitet në vijim me klientë të tjerë industrialë, do të bëjë të që deri në vitin 2018, synojmë që një pjesë e madhe e tregut të energjisë elektrike të jetë e liberalizuar. Kjo besoj do të jetë në funksion të mirë edhe të rritjes së burimeve të vendit, pra të investimeve për burime të reja të energjisë, si dhe një sektor më likuid e një barrë më të vogël të shtetit për të përballuar tarifa të rregulluara apo për të ndërhyrë me politika rregullatore tarifore, gjë që e kanë ekspozuar keq buxhetin e shtetit në vazhdimësi. E pikërisht, një nga kushtet edhe të monitorimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar ka të bëjë pikërisht me ekspozimin sa më pak të Buxhetit të Shtetit ndaj sektorit elektroenergjetik që parafytyrohet që duhet të funksionojë mbi baza tregu dhe të jetë eficent nga pikëpamja ekonomike.

Me pak fjalë këta janë disa të reja që sjell ky projektligj. Projektligji është shumë i detajuar, nganjëherë edhe më gjuhë të rënduar teknike, për arsye se janë shumë terminologji teknike, të cilat janë në direktivë, janë në legjislacionet e vendeve evropiane, duam apo nuk duam ne duhet të jenë edhe tek legjislacioni jonë dhe besoj do të jenë operatorët e fushës, të cilët janë ata që i kuptojnë por edhe do ti zbatojnë më mirë këto detyrime të reja të kuadrit ligjor.

Megjithatë në vijim të asaj që u tha jemi të gatshëm që të vazhdojmë komunikimin intensiv me komisionin parlamentar. Patjetër që ekspertët e ministrisë do të jenë për t’ju përgjigjur çdo lloj pyetje, por njëkohësisht edhe për të marrë opinionet e grupeve të interesit dhe për të vazhduar këtë komunikim të dyanshëm, në mënyrë që çka kemi mundësi për të rregulluar për të përmirësuar, ta bëjmë gjatë kësaj periudhe të shqyrtimit të projektligjit.

Ndërhyrje e Ministrit pas pyetjeve të deputetëve në Komision:

Ministri Gjiknuri: Në lidhje me pyetjen e parë që ka të bëjë me liberalizimin e tregut, ky është një proces që do të marrë shumë vite. Ne thamë që do të fillojmë deri në fund të këtij viti, duke bërë edhe investimet përkatëse në sistemin e matjes të Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Do të krijohet mundësia e klientëve të parë industrial, përveç valës së parë që ka dalë në vitin 2011 në mos gaboj. Pra është një grup klientësh që ka dalë dhe sot furnizohet rregullisht, madje me cilësi më të mirë furnizimi, me çmime më të qëndrueshme, gjë që e ka bërë biznesin e tyre më të parashikueshëm. Kjo është tendenca dhe ne do të vazhdojmë hap pas hapi, vit pas viti duke shkuar në këtë drejtim. Krijimi i këtij tregu akoma më i madh, jo vetëm që ka furnizues në treg të energjisë dhe ka aktualisht, ka një treg. Nuk është ai treg që ne dëshirojmë apo që presim, sepse Shqipëria është edhe një treg i vogël dhe është shumë e vështirë që të krijojë kërkesa të tilla që të zhvillojë në mënyrë shumë dinamike tregun e energjisë elektrike. Mbase më vonë, me Kosovën, me zgjerimin e tregut të Evropës Juglindore do të kemi mundësi më të mëdha, por sot, po ta shikoni edhe vetë tarifa e Entit Rregullator për këtë vit, aksesi i industrisë, pra tarifa e aksesit është ulur, deri tek ajo kosto e përballueshme që duhet për rrjetin, për ti krijuar mundësi atyre që të dalin, të marrin energji në treg me çmime gati kompetitive që janë brenda tarifave që pak e shumë paguajnë edhe tani.

Kjo i jep përgjigje edhe një meraku që e tha z.Ruli, të cilën do ta them më vonë. Cili është synimi, me të drejtë u tha këtu, kaskada. Duhet të kuptojmë një gjë, kaskada përgjigjet maksimumi për 50% të nevojave të energjisë elektrike në Shqipëri. Kaq ka kapacitet kaskada me çmimet e lira. Edhe ca HEC-e u hoqën, nuk është më 1.4 po është ulur. Se u shitën disa hidrocentrale, unë kam pikëpamjen time për këtë. Nuk e fsheh, për mua është bërë shitja më e gabuar, e katër aseteve nga më të mirat që kishte Shqipëria, pra bëhet fjalë për Bistricën dhe për Ulzë-Shkopetin. U shitën, u pakësua kapaciteti i kaskadës, kaskada për këtë kaq përgjigjet. Kur ka kushte të mira atmosferike njëçik më shumë, kur është kohë jo e mirë edhe më pak. Do të thotë që 50% e energjisë shqiptare është e ekspozuar ndaj çmimeve të importit ose çmimeve të HEC-eve private, të cilat kanë qenë edhe më shtrenjtë se importi,10% më shtrenjtë se importi për tu nxitur. Pra, ky është bilanc energjetik dhe financiar nuk del llogaria.

Tarifa e reja marrin parasysh dhe do të marrin. Perspektiva cila është, kaskada? Pikërisht sepse janë asete të popullit, këto do të mbulojnë kryesisht klientët e lidhur në tensionin e ulur, pra që themi konsumin urban. Pjesa industriale, pak nga pak, vit pas viti, deri në vitin 2018, mundësisht të ketë dalë nga tarifat e rregulluara dhe ose ta marrë nga importi ose nga prodhuesit e pavarur të energjisë, që sa vijnë edhe do të shtohen në Shqipëri. Ke Devollin që fillon e prodhon energji në vitin 2017, ka disa hidrocentrale të tjera që po ndryshohen dhe fillon e krijohet tregu. Kështu krijohet tregu, pra ky është synimi jonë. Asetet publike do të jenë në funksion të publikut edhe për disa kohë, sepse është e vërtetë dhe unë e pranojë që nuk është kollaj liberalizmi i plotë i sistemit të energjisë elektrike. Energjia ka një specifikë që nuk e ka asnjë tregti tjetër, është e lidhur me një tel që do ta kontrollojë gjithnjë shteti, nuk e ngarkon as në kamion, as me ndonjë mënyrë tjetër që t’ia çosh konsumatorit, por do të mbash asetet, do ti menaxhosh ato dhe do të investosh tek këto asete. Në themel projektligji këtë synon, që këto asete, po i kthehem kaskadës, të funksionojnë në funksion të çmimeve të rregulluara për konsumatorin, i cili për shumë kohë do të jetë patjetër pjesë e politikave të rregulluara dhe i mbrojtur. Pjesa tjetër është mënyra më e mirë për tu liberalizuar dhe nuk e  gjeti asgjë e keqe as fabrikat e çimentove, as çelikun e Elbasanit, që dolën në treg të liberalizuar dhe furnizimin e kanë aty. Përkundrazi edhe këta klientë të tjerë që do të dalin në vitet në vijim do ta kenë furnizimin e garantuar, pasi Shqipëria po investon në interkonektorë. Pra ka mundësi marrje energjie, nuk është më si më parë. Merr energji edhe nga Mali i Zi, në 2016 hyn në fuqi ajo e Kosovës, po përmirësohet rrjeti i jugut dhe unaza e Tiranës, do të lidhet edhe interkonektori me Maqedoninë shpresojmë deri në vitin 2018-2019. Ka energji Bullgaria, ka energji Rumania, uzinat mund të gjejnë energji natën me çmime jashtëzakonisht të lira, sepse i tillë është tregu energjetik, do të thotë që mund të ulin edhe kostot e prodhimit. Pra në fund të fundit tregu energjetik, sidomos për industrinë do të jetë shumë më i favorshëm. Ky është plani shpresojmë që të shkojë gjithçka siç themi, sepse jo gjithçka që thuhet është kollaj ta bësh, por të paktën kemi disa objektiva të qarta dhe një plan sesi do të shkojmë deri aty. Kjo i jep përgjigje në njëfarë mënyre dhe aspektit pse modeli i ri i tregut shpresoj do të funksionojë, sepse edhe në tarifë janë marrë parasysh këto.  Është marrë parasysh edhe pjesa e furnizimit publik me shumicë që do i kalojë OSHEE-së, pra përballohet në tarifë dhe pjesa tjetër që patjetër do të mbulohet për klientët e rregulluar me çmimin më të lirë që prodhon Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.

Me HEC-et private jemi në një proces ristrukturimi dhe të tarifave dhe po gjejmë gjuhën me ta. Jemi në prag të një marrëveshjeje, kuptohet që marrim parasysh edhe kostot e investimeve të tyre, por njëkohësisht kjo politikë energjetike në Shqipëri do një plan të qartë. Nuk mund të jetë më që çdo licencë që jepet duhet të garantohet, sepse të gjitha këto dhe këtu nuk është kuptuar, indirekt kjo i jep përgjigje edhe z.Baraj. Pse?! Çdo burim energjie i rinovueshëm, ato solarët të gjithë i duam, janë të pastra, të gjithë ato do të paguhen nga konsumatori. Kështu funksionon një të gjithë botën, nuk ka shpikje këtu. Çdo investim privat përgjigjet publiku. Pra do të thotë nëqoftëse investitori privat bën një investim dhe ka një kosto energjia e solarit, është më e lartë sesa e ujit këtë e dimë, hidrocentralet kanë problemet e tyre, por kanë kosto më të lirë, konsumatorët shqiptarë duhet të paguajnë më shumë energji. Pra kjo është çështje zgjedhje, është politikë që duhet mbështetur edhe nga opozita edhe nga qeveria, po të ketë mundësi. Kemi pakt kombëtar, duam të jetojmë me ‘green energy’, të paguajmë më shumë. Ka forma të tjera pak më të lira, pra kjo është çështje që çdo vend heq metrin e vet dhe kjo duhet bërë e ditur që çdo investim në Shqipëri, a ka nevojë për burime të reja energjie. Ka nevojë për investime dhe ne jemi duke inkurajuar që investitorët privatë në tregun e energjisë të investojnë brenda planit kombëtar të marrinë dhe incetivat e duhura, plani kombëtar që e ka Shqipëria për energjitë e rinovueshme. Pjesa tjetër duhet të marrë incetiva të tilla që edhe i lejojnë kthimin e investimit, por mos kenë edhe tarifa gjeneroze të gjitha që shkarkohen tek publiku. Le të shfrytëzojmë ato asete që ka Shqipëria me ujë, ku kryesisht të vijnë investitorë që e shesin vetë energjinë dhe që e gjejnë vetë tregun. Për mua ky duhet të jetë synimi. Pse?! Me nga hidro Shqipëria mund të sjellë valutë të mirë për nga eksporti që mund të ketë nesër, sidomos në periudha piku këto. Dhe mund të importojë energji në periudha që mund të ketë një nevojë bazikë, siç mund të jetë industria importon natën dhe kjo e përmirëson bilancin financiar të vetë sektorit, por dhe bilancin tregtar të Shqipërisë.

Ka projekte siç është Devolli, ka edhe projekte të tjera të cilat janë të bazuara kryesisht tek tregtia e lirë e energjisë dhe politika e qeverisë kjo do të jetë. Të inkurajojë këto lloj investitorësh, pasi nuk kthehet barrë për investitorin shqiptar. Ose pastaj duhet të bëjmë një pak me të gjithë popullatën, do paguajmë pak më shumë, por do të kemi asete të brendshme. Ky është rregulli.

Së fundi në lidhje me ato që u thanë nuk dënohet njeri dhe më vjen keq se është thjesht spekulim, por nuk është dënuar njeri. Borxhliu nuk dënohet, borxhliu është proces civil. Edhe kjo masë vlen për ato vlera të mëdha të akumuluara për të mbrojtur konsumatorin. Sepse ndodh fenomeni rëndom në Shqipëri dhe këtë e dimë, që ngarkohen banesa të tëra me miliona e miliona lekë, gjoja ndërron pastaj, ia kalon vëllait dhe thotë nuk kam më borxhe unë. Kjo është një situatë e papranueshme, edhe për atë që blen pronën, edhe për çdo lloj investitori. Koncepti i hipotekës, e ke edhe tek procedurat tatimore, edhe tek legjislacione të tjera, do të thotë që unë të vë një barrë, kur ti ti shlyesh këto, ke të drejtë të bësh transaksionin e pronës. Nuk ka asgjë të keqe këtu. Nëqoftëse je banesë apo pronë që ke 10 milion në kurriz, nuk e shet dot këtë pronë dhe nesër kur ta shesësh paguaj këto detyrime, pra nuk ka asnjë blasfemike këtu. Përkundrazi, do ti vlejë zbatimit të ligjit dhe forcimit të sektorit.

Faleminderit!