Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri dhe Bushati vizitojnë Qipron

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri kryesuan një delegacion me pjesëmarrje nga të dy institucionet,ne një vizitë zyrtare në Republikën e Qipros.

Gjatë kësaj vizite, Ministrat Bushati dhe Gjiknuri realizuan një agjendë të pasur takimesh me autoritetet më të larta shtetërore të Republikës së Qipros, Presidentin e Republikës, Z. Nicos Anastasiades dhe Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve, z. Yiannakis Omirou, me homologët e tyre, Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Ioannis Kasoilides dhe me Ministrin e Energjisë, Tregtisë, Industrisë dhe Turizmit, z. Yiorgos Lakkotrypis, si dhe me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë e të Agjencisë së Nxitjes së Investimeve të Qipros.

Intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe rrugët e mundshme për përmirësimin dhe rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, ishin në qendër të takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme Kasoulides. Të dyja palët u shprehën se është e nevojshme që potencialet e të dyja vendeve të aktivizohen e angazhohen më tej për të zgjeruar bashkëpunimin.

Besimplotë se marrëdhëniet midis dy vendeve do të hyjnë në një fazë të re të gjallë bashkëpunimi në planin dy e shumë palësh, ministrat Bushati dhe Kasoulides theksuan interesin e përbashkët për thellimin e dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në ato sektorë ku potencialet dhe përvojat e ekonomisë qipriote janë të dalluara, siç është energjia, turizmi, transporti detar, financat, etj.

Në takimin me homologun e tij qipriot, Ministri Bushati vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Qipro për procesin e integrimit evropian të vendit tonë dhe mori sigurimet se kjo mbështetje do të vijojë edhe për fillimin e procesit të negociatave të anëtarësimit. Në këtë kontekst, duke vlerësuar përvojën e Qipros në anëtarësimin në BE, si dhe në respekt të Memorandumit të Bashkëpunimit midis dy vendeve për çështje të integrimit, Ministri Bushati shprehu interesin e palës shqiptare për realizimin e konsultimeve dypalëshe. Gjate konferences per shtyp me homologun Kasoilides Ministri Bushati u shpreh se: “Inkurajojme Qipron per nje qasje me fleksible ne raport me Kosoven”. Te dy Ministrat Bushati dhe Kasoulides nenshkruan “Marreveshjen per bashkepunimin ne fushen e shendetesise mes dy vende”.

Në takimet me Presidentin e Republikës, Anastasiades dhe Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve, Omirous, u theksua angazhimi i përbashkët për zgjerimin e bazës juridike të bashkëpunimit dypalësh, duke përshpejtuar punën për marrëveshjet në proces, propozimin e marrëveshjeve të reja dhe angazhimin e të dyja palëve për zbatimin në praktikë të marrëveshjeve tashmë të nënshkruara.

Me rëndësi u vlerësua intensifikimit të bashkëpunimit edhe në kuadrin shumëpalësh, në kuadër të OKB-së, Bashkimit për Mesdheun, etj. Ministrat shqiptarë theksua se Shqipëria është angazhuar të luajë një rol aktiv si vend model për bashkëjetesën ndërfetare dhe ndërkulturore, e rëndësishme kjo veçanërisht në kushtet aktuale të krizave e kërcënimeve rajonale e globale.

Gjatë takimit me Ministrin e Energjisë, Tregtisë, Industrisë dhe Turizmit Z.Yiorgos Lakkotrypis, Ministri Gjiknuri u ndal tek reformat që po ndërmerren në Shqipëri të cilat po japin rezultatet e para në drejtim të rritjes ekonomike dhe krijimit të një fryme sa më të favorshme për biznesin.

Z. Gjiknuri theksoi se Shqipëria mund të shfrytëzojë eksperiencat e Qipros në kuadër të menaxhimit të zonave ekonomike. “Shqipëria ka burime të mëdha natyrore të cilat mund të jenë me interes për investitorët tuaj. Ne po inkurajojmë kompanitë e huaja që të investojnë duke shërbyer kështu edhe në forcimin e sigurisë energjetike”, u shpreh Z.Gjiknuri.

Duke u ndalur tek projekti i gazsjellësit Transadriatik, z.Gjiknuri nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe diversifikimit të burimeve natyrore duke shfrytëzuar mundësinë që krijon ky projekt gjigand. Ministri Gjiknuri ftoi homologun Lakkotrypis dhe biznesin qipriot të marrin pjesë në Forumin “Oil and Gas 2015” që do të zhvillohet në Tiranë në mars të këtij viti.

Në takimet me përfaqësues të agjencive dhe institucioneve të biznesit vendas, Ministrat Bushati dhe Gjiknuri ftuan bizneset qipriotë të investojnë në Shqipëri dhe iu përgjigjën interesit të tyre përmes prezantimit te politikave ekonomike të qeverisë shqiptare, të cilat synojnë e garantojnë një qëndrim e mjedis dashamirës e nxitës ndaj biznesit dhe investimeve të huaja.

energjia.al 02.02.2015