Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vazhdon rënia e naftës në bursë

Çmimi i naftës Brent ka qëndruar në kuotën e 49 dollarëve për fuçi këtë fundmuaji, ndërsa nafta amerikane WTI fitoi 25 cent duke arritur kuotën 44.78 dollarë për fuçi.

Megjithatë, ky është muaji i shtatë rresht që çmimi i naftës pëson rënie, kjo falë edhe mosuljes së prodhimit nga vendet e OPEC-ut. Ndërsa të dhënat nga përtej Atlantikut treguan se rezervat amerikane ishin në nivelin më të lartë që prej vitit 1930.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë do të duhet kohë që çmimi të marrë veten, pavarësisht rritjes së kërkesës për naftë, sidomos në Amerikën e Veriut.

Për të ndihmuar në rritjen e çmimit ka ndërhyrë edhe Kina, që ka kufizuar shitësit e naftës në vend të mbajnë rezerva vetëm për 15 ditë, duke i vënë kështu nën presionin e importit afatshkurtër.

Nivelet e ulëta të çmimit të naftës kanë ndikuar edhe në ekonominë më të fuqishme të Eurozonës, atë gjermane, e cila e mbylli janarin në deflacion.

Kjo është hera e parë në pesë vjet që inflacioni në Gjermani bëhet negativ, pasi indeksi i përgjithshëm i çmimeve ra në -0,5%.

Vlera është shumë poshtë objektivit të normës së inflacionit 2% të vendosur nga Banka Qendrore Europiane.

Por më shqetësues është fakti se shifrat e gjithë Eurozonës pritet të jenë më keq se Gjermania, ekonomia e së cilës konsiderohet e fortë mjaftueshëm për të përballuar deflacionin.

Ora news,  30.01.2015