Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Posta, probleme me faturat e OSHEE

Tolerancë zero ndaj punonjësve që abuzojnë me detyrën. Kështu është shprehur Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi në reagimin e tij ndaj akuzave të ngritura për abuzimet të punonjësve të postës.

Kreu i Postës shton se abuizmet e bëra nga punonjësit e postës shqiptare i përkasin periudhës 2006-2013, dhe ato janë fakte të mbartura nga ajo periudhës. Sipas tij janë marrë të gjitha masat ligjore për të gjitha rastet abuzive në shkallë vendi nga punonjës të Postës Shqiptare, përfshirë këtu edhe rastin e Vlorës, i cili u shoqërua edhe me lirimin nga detyra të Drejtueses së këtij Filiali ditën e premte. Po ashtu të tjerë punonjës po ndiqen penalisht për dëmet e shkaktuara tek qytetari.

“Duke marrë shkas nga publikimet e ditëve të fundit në media që përfshijnë raste abuzive nga punonjës të Postës Shqiptare, dëshiroj të sqaroj opinionin publik se shumë prej tyre janë spekulative dhe se në pjesën më të madhe e vërteta qëndron ndryshe. Së pari dua të bëj të qartë se pjesa më e madhe e këtyre abuzimeve janë bërë në periudhën kohore 2006-2013. Pra fakti që këto abuzime po bëhen publike pikërisht tani, nuk do të thotë se ato janë krijuar gjatë kësaj periudhe, ne ende vazhdojmë të vuajmë barrën problematike, të mbartur nga priudha që lamë pas. Thënë këtë, dua të theksoj se janë marrë të gjitha masat ligjore për të gjitha rastet abuzive në shkallë vendi nga punonjës të Postës Shqiptare, përfshirë këtu edhe rastin e Vlorës, i cili u shoqërua edhe me lirimin nga detyra të Drejtueses së këtij Filiali ditën e premte. Gjithashtu, një sërë punonjësish janë çuar për ndjekje penale gjatë kohës që kam marrë detyrën në drejtim të Postës Shqiptare, si edhe janë ngritur padi civile ndaj atyre që kanë shkaktuar dëme ndaj qytetarëve. Prandaj, dua të siguroj publikun se nuk do të tolerojmë asnjë rast që abuzon me besimin dhe paratë e tyre. Duke filluar nga arkëtari dhe sportelisti i thjeshtë, postieri, apo deri në nivelet më të larta drejtuese të Postës Shqiptare. Nxis të gjithë qytetarët që të denoncojnë rastet abuzive në numrin pa pagesë që disponon prej kohësh drejtoria qëndrore e Postës Shqiptare 080041 41, në mënyrë që të verifikojmë rastet dhe të marrim masa të menjëhershme.” tha Majlind Lazimi

Ndërsa në lidhje me akuzat e ngritura ndaj postës për pagesat e energjisë elektrike, drejtori Lazimi saqron se qytetarët kanë bërë pagesën në Postë, e cila sipas procedurës e ka transferuar atë për tek ish CEZ, sot OSHEE, por kjo e fundit nuk e ka reflektuar pagesën në sistemin e saj, gjë që i bën ende këta qytetarë të figurojnë padrejtësisht debitorë.

“Në lidhje me akuzat e ngritura ndaj Postës për pagesat e energjisë elektrike, dua të sqaroj opinionin publik se jemi duke rakorduar me OSHEE duke qenë se shumica e atyre që rezultojnë debitorë, rezultojnë për periudhën 2006-2013. Qytetarët kanë bërë pagesën në Postë, e cila sipas procedurës e ka transferuar atë për tek ish CEZ, sot OSHEE, por kjo e fundit nuk e ka reflektuar pagesën në sistemin e saj, gjë që i bën ende këta qytetarë të figurojnë padrejtësisht debitorë. Pra, Posta Shqiptare, e mbaron detyrimin e saj ndaj qytetarit dhe partnerit të saj OSHEE, pasi bën pagesën përkatëse tek ai. Pas kësaj, Posta nuk është më përgjegjëse për veprimet e OSHEE në sistemin e saj dhe as e fuqishme për të ndërhyrë në atë sistem. Kështu, për të përmendur disa raste konkrete, në Filialin e Shkodrës, rezultojnë rreth 320 raste të qytetarëve të cilët i kanë paguar pranë postës detyrimet e energjisë elektrike, por rezultojnë debitorë. Nga këto 320 raste, për 290 raste janë xhiruar në kohën e kryerjes së arkëtimeve shumat në favor të OSHEE, e verifikuar kjo me arkëtimin përkatës, me regjistrimin në librin e Arkës, me xhirimin dhe dokumentacionin shoqërues të xhirimit. 30 raste të tjera janë në proces verifikimi dhe dokumentacioni i plotë i pagesës do ti nisen përsëri OSHEE, për të hequr nga lista e debitorëve këta qytetarë. Gjithashtu, në Filialin e Durrësit, nga muaji Tetor 2014 dhe deri tani, Zyra e Shërbimeve ka evidentuar 101 raste ku ekziston i plotë dokumentacioni i pagesës së qytetarit si dhe kalimi i shumave te arketuara në llogarinë bankare të OSHEE, por nga kjo e fundit nuk janë bërë shkarkimet në sistem. Edhe në lidhje me kamat-vonesat, ka shumë raste kur qytetarët kanë kryer pagesën mujore tek ne dhe për arsye të kamat-vonesave OSHEE i klasifikon sërish si debitorë edhe pse Posta e ka kryer detyrën e saj. Në bazë të marrëveshjes që kemi me OSHEE kjo e fundit nuk na lejon që të arkëtojmë kamat-vonesat dhe për këtë arsye qytetarët nuk mund të paguajnë pranë zyrës postare kamat-vonesat, por vetëm detyrimet mujore. Pavarësisht kësaj problematike, unë dua të qetësoj qytetarët që janë të rregullt me pagesat e energjisë elektrike dhe vazhdojnë t’i kryejnë ato pranë Postës, se pagesat e tyre kalohen në mënyre korrekte nga Posta për tek OSHEE dhe se për çdo rast ankese ne bëjmë rakordimet e nevojshme me OSHEE.

Sidoqoftë, ne kemi ngritur një grup pune bashkë me përfaqësuesit e OSHEE për rakordimin e këtyre rasteve dhe për këtë i kemi dorëzuar OSHEE të gjithë dokumentacionin që disponojmë me pagesat e qytetarëve dhe besojmë se do ta zgjidhim këtë çështje brenda një kohe të shkurtër. ” u shpreh Drejtori i Postës Shqiptare, Lazimi

Posta Shqiptare ka ngritur edhe një grup pune me përfaqësuesit e OSHEE për rakordimin e rasteve të qytetarëve debitore që kanë paguar faturat në postë dhe sipas drejtorit të postës kjo cështje do të zgjidhet shpejt.

Shqiptarja.com 11.01.2015