Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEDS, deklaratë rreth protestës së sotme

Besojmë thellë në lirinë e shprehjes së pakënaqësisë në forma të ndryshme andaj edhe me shqetësim të thellë kemi pranuar kërkesat e grupit organizativ të protestave. Nga fillimi i operimit në maj të vitit 2013, krahas aktiviteteve të shtuara me qëllim përmirësimin e rrjetit, ne kemi treguar transparencë në të gjitha proceset dhe këtë vazhdojmë ta aplikojmë edhe tani.

Duke qenë se shumica e kërkesave të grupit organizativ të protestave nuk janë pjesë e kompetencave të KEDS fatkeqësisht shumicën e kërkesave edhe nuk mund t’i plotësojmë. Disa herë kemi treguar që KEDS është kompani private që vepron në sektor të rregulluar publik. Çmimet, tarifat dhe struktura tarifore në Republikën e Kosovës përcaktohen nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. KEDS deri më 1 janar 2015 ka qenë në të njëjtën kohë distributori dhe furnizuesi i vetëm publik me energji elektrike në Republikën e Kosovës. Nga data 1 janar 2015, me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, është bërë ndarja e distribucionit dhe furnizimit dhe pronarët e KEDS kanë themeluar kompaninë KESCO, pronarë të së cilës janë prapë kompanitë Çalik dhe Limak. Nga tani e tutje, KEDS do të ofrojë shërbime të distribuimit deri sa KESCO do të ofrojë shërbime të furnizimit me energji elektrike. Për më shumë, një proces i tillë i shthurjes ka qenë kërkesë ligjore të cilën KEDS është dashur ta plotësojë.

Struktura aktuale tarifore, që përcakton edhe kohën kur aplikohet tarifa e lirë dhe e shtrenjtë e energjisë elektrike, është e përcaktuar para ardhjes së KEDS dhe prapë është në kompetencë të ZRrE. KEDS nuk ka bërë ndryshimin e strukturës tarifore dhe nuk është në kompetencë të KEDS të bëjë një gjë të tillë andaj edhe ndryshimet eventuale nuk mund të bëhen nga KEDS.

Në lidhje me shqetësimet rreth draft ligjit të ri dhe përcaktimit të tarifave. KESCO është furnizues publik me energji elektrike dhe edhe ligji i ri parasheh që është në kompetencë të ZRrE të përcaktojë çmimet për furnizuesin publik. Në rast të themelimit të operatorëve të ri privat të furnizimit, KESCO do të vazhdojë të ketë çmimin e përcaktuar të energjisë elektrike nga ZRrE deri sa operatorët e rinj mund të aplikojnë çmime tjera.

Në përgjigje të grupit organizativ të protestave:

1.KEDS nuk përcakton çmimin e energjisë elektrike dhe nuk është në kompetencë të KEDS të përcaktojë tarifat dhe strukturën tarifore. Për informatën tuaj, ERRA publikon statistika në baza vjetore rreth çmimeve të energjisë elektrike dhe në rajon Kosova rangohet si një nga vendet me çmim të ulët të energjisë elektrike. Në krahasim me vendet në rajon, vetëm Serbia ka çmime më të lira të energjisë elektrike.
2.Draft ligji i ri i energjisë elektrike assesi nuk i jep të drejtë KEDS ose KESCO të përcaktojë çmimet e energjisë elektrike. Përcaktimi i çmimeve dhe strukturës tarifore publike vazhdon të mbetet kompetencë e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe KEDS dhe KESCO si operatorë publik të distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike janë të obliguar ligjërisht ta aplikojnë atë në përpikëri.
3.Në lidhje me transparencë publike rreth KESCO, kjo kompani është në pronësi të kompanive Çalik dhe Limak. Ne tanimë kemi informuar të gjithë konsumatorët individualisht për procesin e shthurjes duke shpërndarë njoftimin me fatura të energjisë elektrike muaj më parë. Ne do të organizojmë fushatë informimi për qytetarët me qëllim që kjo shthurje dhe kërkesë ligjore të jetë më lehtë e kuptueshme nga të gjithë. Madje, ftojmë organizatorët e protestës që të konsultohen me KEDS rreth mënyrave të informimit.
4.Nëse qytetarët kanë pakënaqësi me faturimin e energjisë elektrike, statistikat tregojnë që ankesat janë minimale duke marrë parasysh veprimet e KEDS rreth minimizimit të gabimeve të mundshme në faturim gjatë gjithë vitit. Sidoqoftë, ne ftojmë organizatorët e protestës të monitorojnë shqyrtimin e ankesave dhe i ftojmë të marrin pjesë edhe në procesin e leximit dhe faturimit gjatë periudhave të faturimit. Ofrojmë transparencë të plotë në të gjitha proceset me qëllim të minimizimit të pakënaqësive.
5.Ftojmë organizatorët të marrin pjesë në takim me përfaqësuesit e menaxhmentit të lartë të KEDS me qëllim të sqarimit të të gjitha kërkesave dhe jemi të gatshëm për bisedime dhe për ofrim të të gjitha informative duke qenë se nuk kemi asgjë për të fshehur.
6.Për informatën e të gjithëve, edhe sot kur prodhimi i energjisë elektrike është minimal dhe konsumi në rritje, KEDS vazhdon të importojë sasi të mëdha të energjisë elektrike jashtë bilancit energjetik të aprovuar nga MZHE dhe të njëjtën e ka bërë gjatë gjithë vitit, me qëllim që furnizimi të jetë i qëndrueshëm dhe që problemet me gjenerim në KEK të mos ndikojnë në furnizim me energji elektrike.

Përfundimisht, duke qenë se besojmë në punën që e kemi bërë deri tani dhe besojmë në vullnetin e të gjithë punëtorëve në KEDS për të bërë ndryshime pozitive, gjithmonë jemi munduar të jemi transparent në të gjitha fushat dhe si kompani private kemi treguar që jemi operatorë serioz dhe i përkushtuar në punë. Jemi transparent dhe vazhdojmë të besojmë në fuqinë e transparencës dhe komunikimit dhe jemi të hapur të diskutojmë të gjitha shqetësimet.

energjia.al 12.01.2015