Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia dhe inkurajimi fiskal

Një nga cilësitë më të dukshme të tregut energjetik në Shqipëri, ashtu si në vendet e rajonit, është tendenca për të thithur investimet e huaja. Në katër vjetët e fundit të marrë së bashku, shuma e investimeve të huaja ka një vlerë afër gjysmës së prodhimit të brendshëm. Pjesa e investimeve që janë orientuar drejt tregut energjetik ka shkuar deri më sot në shumën 1.4 miliardë euro[1], duke zënë rreth 37% të totalit të investimeve të huaja 4-vjeçare. Ndërsa, në tregun e hidrokarbureve, vlera e investimeve të huaja, për të njëjtën periudhë kohore, zë një shumë sa 1/3 e investimeve në tregun e energjisë së rinovueshme.

Në këtë ballafaqim paraprak, duket se investitorët vendas dhe të huaj kanë krijuar siguri më të madhe në tregun e energjisë së rinovueshme për të investuar dhe për të pretenduar për rikthim të investimit, duke besuar te zhvillimet aktuale për zhvillimin e tregut energjetik, rezervat e prodhimit dhe garancia e tregut, por edhe nxitjet fiskale që kanë qenë pjesë e programeve qeverisëse.

Nga leximi i treguesve për të dy industritë kuptojmë se:

Programet qeverisëse, edhe pse kanë ngjyrime të ndryshme politike, bashkohen te strategjia kombëtare për energjinë, e cila është pjesë e politikës kombëtare për zhvillim, por edhe ura integruese me direktivën e BE-së për eficencën e energjisë dhe orientimin e gjenerimit të energjisë, duke favorizuar energjinë e rinovueshme (uji, ajri, drita). Mënyra e qasjes dhe serioziteti i partneritetit është ndryshimi midis tyre. Kontratat e rikonfirmuara të partnershipit me qeverinë për garantimin e shitjeve nga prodhimi i energjisë, një politikë elastike e financimit bankar të projekteve në energji, si dhe përfshirja e investitorëve të huaj me ndikim në tregun europian dhe më gjerë, garanton fuqimisht rikthimin e investimeve dhe një normë fitimi nga më të qëndrueshmet dhe efektivet për investimet në këtë sektor.

Industria energjetike, aktualisht nuk i kalon kufijtë e peshës prej 5% të prodhimit të brendshëm. Rezervat për gjenerim energjie të rinovueshme mbeten të larta. Nga 1.4 GW kapacitete gjeneruese në gjendje pune në të gjithë vendin, rezervat e mundshme janë edhe për të paktën 3 GW të tjera, duke përfshirë burimet aktuale. Rezerva përkthehet në vlerë të shtuar sa 2% e prodhimit të brendshëm të vitit të fundit. Aktualisht, investimet në tregun e energjisë së rinovueshme kanë një efekt shtesë me 0.13% në prodhimin e brendshëm, duke shtuar kontributin deri në 0.4% të prodhimit të brendshëm. Nëse vlera e investimeve vijon me këtë tendencë deri në plotësimin e rezervave, atëherë pesha e sektorit të energjisë së rinovueshme shkon në kufijtë e 7-8% të prodhimit të brendshëm. Kontributi fiskal i sektorit energjetik në buxhet është ende i ulët dhe shkon deri në 3% të të ardhurave nga tatimet dhe doganat.

Nxitjet

Për sa lidhet me nxitjet fiskale, politika e zbatuar për sektorin ka ndikim në rastin e përjashtimeve nga TVSH të vlerave të investuara, duke i zbritur investimit 20% të vlerës së gjithë makinerive dhe pajisjeve. Por, zbatimi i një ligji të ri për TVSH-në, pritet të zëvendësojë në shumë drejtime përjashtimet dhe nxitjet në tregun energjetik, duke lënë një hapësirë për t’u plotësuar për 2015. Në dallim nga vendet e BE-së ky sektor nuk ka akcizë. Barra fiskale, mesatarisht për industrinë e energjisë, shkon në 24%.

Në krahasim me tregun e energjisë së rinovueshme, sektori i hidrokarbureve (prodhimi, importi dhe tregtia), zë një peshë të njëjtë që shkon deri 4.8% të prodhimit të brendshëm[2]. Prodhimi i hidrokarbureve ka një histori zhvillimi dhe investimesh shumë më të hershme në ekonominë shqiptare. Ky treg, i cili ka një ndjeshmëri më të madhe në perceptimin publik nëpërmjet çmimit të karburantit për qarkullim, është përdorur si instrument për spekulim të politikës irracionale dhe aspak në dobi të zhvillimit të sektorit. Natyra e partneritetit me qeverinë, për prodhimin dhe përpunimin e hidrokarbureve, është me luhatje të mëdha dhe e mbetur peng midis tregut formal dhe informal. Lehtësia e spekulimit nëpërmjet maksimalizimit të fitimeve, duke u bazuar në luhatjet e ardhshme të çmimeve të bursave të naftës dhe në përdorimin e prodhimit vendas të naftës, si një rezervë e gatshme në varësi të luhatjeve të tregut ndërkombëtar, kanë dhënë ndikime të rëndësishme makroekonomike, si: luhatje në kursin e këmbimit, por edhe ndikim në inflacion për mallra që prodhohen në vend, duke ndikuar në kostot e tyre.

Edhe sektori i industrisë nxjerrëse, ku peshën kryesore e mbajnë prodhimi i hidrokarbureve, është në strategjinë kombëtare të energjisë. Si pjesë përbërëse e strategjisë, edhe ky treg është pjesë e politikës së integrimit të kuadrit rregullator, sipas direktivës së BE-së. Të ardhurat që përfiton buxheti i shtetit nga ky sektor zënë një peshë vjetore me 2.2% të të ardhurave nga tatimet dhe doganat.

Politikat e deritanishme fiskale

Në politikën fiskale të zbatuar për sektorin e hidrokarbureve janë ndjekur dy nivele trajtimi. Deri në vitin 2014, kërkimi dhe prodhimi kanë qenë të përjashtuar nga TVSH dhe në vite të caktuara, edhe nga tatimi mbi fitimin. Ndërsa, me zhvillimin e tregut të prodhimit dhe peshës në ekonomi nga disa kompani, faza e prodhimit tashmë është objekt i Tatimit të Vlerës së Shtuar dhe kontributit në buxhet.

Në tregtimin e karburantit, ndikimin më të madh e japin akciza dhe taksa e karbonit dhe ajo e qarkullimit. Norma e tatimfitimit mbetet e njëjtë si për prodhimin, po ashtu edhe për tregtimin. Barra fiskale, mesatarisht në industrinë e hidrokarbureve, shkon në 33%.

Inkurajimi fiskal ka vlerën ndikuese për aq kohë sa malli (energji) në treg është ende në kërkim të stabilitetit financiar dhe sigurisë për tregun në të ardhmen. Nuk ka arsye fiskale pse të ngarkohet nga qeveria me barrë shtesë. Në momentin e rritjes së investimeve dhe krijimit të një tregu të strukturuar nevojitet një barrë fiskale sa më pak ndikuese në vendimmarrjen e investitorëve. Për sa kohë, politika e tregut të garantuar, por edhe treguesit e lidhur me barrën fiskale janë lehtësuese, mbetet që të arrihen objektivat për liberalizim dhe reformim të tregut energjetik. Pasi industria të ketë krijuar një strukturë të qëndrueshme në produktin e brendshëm, politika duhet të shikojë objektivat e saj për një modelim të ri fiskal. Pema në lulëzim nuk duhet prerë, por duhet krasitur.

Revista Monitor, 11.01.2015