Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Arrestohet punonjësi, lë në kumar lekët e OSHEE

Punonjësi i shërbimit të shpërndarjes së pensioneve dhe ndihmave ekonomike, si dhe arkëtimit të energjisë elektrike për Llakatundin, lë në kumar 17,4 milionë lekë të vjetra. Policia e Vlorës njoftoi dje se pas denoncimeve të shumë qytetarëve të dëmtuar, vuri në pranga si të dyshuar 45-vjeçarin Arianit Kojdheli, me detyrë punonjës i Postës së Llakatundit. Hetimet e kryera prej disa ditësh nga policia vendore dhe prokuroria, zbuluan se i dyshuari kishte tërhequr 12 milionë lekë të pensionistëve dhe ndihmës ekonomike, por nuk i kishte shpërndarë. Kurse nga bilanci i dytë rezultonte se edhe 5,4 milionë lekë të tjera mungonin në arkë, ku qytetarët kishin paguar faturat e energjisë elektrike, por figuronin debitorë. Nga hetimi u zbulua gjithashtu se me këto para, Kojdheli kishte shlyer borxhet që kishte në pikat e basteve dhe kazino, ku kishte luajtur shuma të konsiderueshme.

Pensionet dhe ndihmat ekonomike

Kojdheli ishte prej shumë kohësh punonjës i shërbimit të Postës së kësaj komune, por dhe arkëtar për faturat e energjisë elektrike. Sipas burimeve zyrtare të policisë rezulton se më 24 dhjetor, 45-vjeçari ka marrë 1,2 milionë lekë nga filiali për t’ua shpërndarë pensionistëve, por kur këta të fundit kanë shkuar të marrin lekët e tyre, janë përballur me mungesën të parave. I dyshuari ka nxjerrë pretendime të ndryshme, derisa ka ndërhyrë policia dhe prokuroria. Menjëherë është bërë denoncimi në Komisariat, duke çuar dhe në arrestimin e punonjësit të Postës, nën akuzën e “vjedhjes, me anë të shpërdorimit të detyrës”.

Faturat e OSHEE-së

Por nuk përfundon këtu. Sepse të paktën 15 banorë të tjerë të fshatit Risili, të cilët rezultonin debitorë në Zyrat e OSHEE-së Vlorë, kanë bërë kallëzim penal ndaj personit në fjalë, pasi lekët e faturave të energjisë elektrike që ata i dorëzonin Kojdhelit, nuk janë derdhur në arkë. Task-Forca e OSHEE-së i kishte vënë në dijeni debitorët se rrezikoheshin dhe kjo ka sjellë ankesën e tyre në polici. Nga hetimi deri tani rezulton se ka përvetësuar rreth 5,4 milionë lekë të vjetra, që i shtohen dëmit të mësipërm. Policia njoftoi publikisht qytetarët e zonës së Llakatundit, që të paraqiten për të denoncuar raste të tjera abuzimi të punonjësit të Postës. Verifikimet e kryera deri tani, duke pyetur edhe pronarët e pikave të basteve dhe kazinove në këtë zonë, rezulton se 45-vjeçari ka lozur me shuma të mëdha dhe madje prej muajsh u kishte borxhe të konsiderueshme, që i ka larë ditët e fundit. Ndaj ka dyshime të forta se paratë e pensioneve, ndihmave ekonomike dhe faturat e energjisë janë lënë peng tek pikat e kumarit.

Gazeta Dita, 27.12.2014