Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Arkëtimet në fshatra, OSHEE plan për veriun

Mbledhja e detyrimeve të papaguara për energjinë elektrike në zonat rurale do të bëhet sipas një plani që synon, jo vetëm arkëtimin e faturave të debitorëve, por edhe të bëjë një furnizim më cilësor ndaj klientëve. Kompania e Shpërndarjes së Energjisë (OSSHE) ka tashmë gati planin e biznesit për vitin 2015. Burimet nga Ministria e Energjetikës dhe Industrisë pohuan se, në themel të këtij plani është futja në sistemin e pagesës së zonave rurale. Në fokus do të jenë rajonet e Shkodrës dhe Kukësit, për shkak edhe të problematikës më të madhe në kulturën e pagesës së faturave të energjisë që këto zona kanë. Por OSHEE në të njëjtën kohë do të ndjekë një plan të posaçëm investimesh në këto zona. Rrjeti tashmë i amortizuar i energjisë në të gjithë vendin, në zonat veriore, sidomos në rajonet e thella është thuajse tërësisht i dëmtuar. Situata është e ngjashme në të gjithë zonën rurale, e cila aktualisht furnizohet me energji me rrjet 6 kv, i cili nuk garanton cilësi furnizimi, si për sa i përket qëndrueshmërisë, ashtu edhe cilësisë së energjisë elektrike. Duhet që i gjithë sistemi të transformohet nga 10 e 6 kv në 20 kv në mënyrë që të ulen humbjet teknike të cilat në zonat rurale janë në nivele shumë të larta. OSSHE ka vlerësuar se dëmi në rrjet është shumë i lartë në këto zona edhe për shkak të ndërhyrjeve abuzive. Me qëllimin e rritjes së qëndrueshmërisë financiare të sektorit, OSHEE ka nevojë për të futur një program realist për reduktimin e humbjeve. Skenari bazë, i cili ka dakordësinë edhe të Bankës Botërore, supozon një plan për reduktimin e humbjeve për të arritur nivelin e 30% në vitin 2016. Megjithatë, kjo masë, sipas Bankës Botërore, është e pamjaftueshme për të përmirësuar sistemin, nëse nuk do të shoqërohet me ristrukturimin e çmimeve. Sipas Bankës Botërore, sektori energjetik po përballet me sfida të mëdha financiare dhe operacionale në Shqipëri, që manifestohet me një deficit të pafinancuar prej rreth 550 milionë USD dhe një nivel të lartë humbjesh teknike dhe tregtare prej rreth 42% – më i larti në rajon – për shkak të mospagesës së faturave të energjisë elektrike nga konsumatorët, si dhe nga niveli i ulët i arkëtimeve. Prodhimi i energjisë mbështetet pothuajse plotësisht tek energjia e prodhuar nga hidrocentralet, kështu që shpeshherë nevojitet importi i energji në mënyrë urgjente gjatë periudhave të thatësirave.

Gazeta Shqip, 18.12.2014