Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEDS përmirëson rrjetin në Gllarevë

Vendosja e 45 shtyllave të betonit dhe e 5.7 kilometrave rrjet, ka rritur sigurinë dhe kualitetin e shërbimeve për një nga fshatrat më të mëdha të komunës së Klinës

Gllareva e Klinës tashmë ka rrjet të ri. Nga ky investim i KEDS-it konsumatorët kanë përfituar direkt shërbime më kualitative. “Falënderoj KEDS-in për këtë investim. Gjendja ka ndryshuar dukshëm për të mirë. Rrjeti i ri e ka rritur edhe sigurinë, sidomos për fëmijët”, tha Rexhep Abazi, banor i fshatit.

Investimet janë bërë sipas planit dhe dinamikës së paraparë. Falë investimit në të gjitha hallkat e rrjetit të shpërndarjes qendra e një prej fshatrave më të mëdha të Klinës, tashmë ka pamje të re. “Në TS 10/0,4 kV Gllareva V te Shkolla janë investuar 5.7 kilometra kabllo dhe janë vendosur 45 shtylla të betonit. Rrjedhimisht është punuar komplet rrjeti i ri duke zëvendësuar kështu rrjetin tejet të vjetruar”, tha Adem Hajdini, inxhinier mbikqyrës në KEDS.

Rrjeti i ri pos që ka përmirësuar shërbimet për konsumatorë, ka ndikuar direkt edhe në zvogëlimin e humbjeve teknike dhe komerciale.

Ky projekt është pjesë e 112 projekteve anekënd vendit për përforcimin e rrjetit dhe dislokimin e njehsorëve në shtylla elektrike sipas strategjisë së KEDS-it i cili projekt është në finalizim e sipër për këtë vit. Ky projekt është i shtrirë në tërë vendin dhe përfitues direkt janë 20 mijë konsumatorë në të gjitha distriktet. Projektet kanë si synim kryesor rritjen e kualitetit të shërbimeve për konsumatorët dhe zvogëlimin e humbjeve. Investimet janë të fokusuar në zonat me prioritet, ku ka nevojë më të madhe. Në Distriktin e Prishtinës që është edhe distrikti me numrin më të madh të konsumatorëve, janë 30 projekte që përfshin mbi 5200 konsumatorë. Në Distriktin e Pejës për shkak të gjendjes që mbizotëron atje janë në finalizim e sipër 27 projekte që përfshin mbi 5000 konsumatorë, mbi 3500 konsumatorë në Distriktin e Mitrovicës, në atë të Prizrenit 1700, Ferizajt mbi 1500 dhe në Distriktin e Gjilanit mbi 800 sosh.

Vendosja e njehsorëve në ormanë metalikë në shtylla elektrike kishte nisur si pilotprojekt vitin e kaluar në Nëndistriktin e Drenasit. Në fshatin Orllat të Drenasit humbjet komerciale kishin rënë nga 70 në 5 për qind.

energjia.al 16.12.2014