Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çmimi i naftës trondit rublën ruse

Nafta dhe Rubla ruse vazhdojnë të marshojnë drejt rekordeve të reja minimale.

Të dy këta faktorë janë të lidhur ngushtë me njëri tjetrin për shkak se 68% e të ardhurave nga sektori i eksporteve në Rusi vijnë pikërisht nga industria e naftës dhe gazit. Për pasojë dobësimi naftës reflektohet menjëherë në shkëmbimin e monedhës vendase.

Kuotimet e arit të zi vazhdojnë në rënie të lirë çdo ditë. Kontratat për naftën bruto amerikane të cilat skadojnë në muajin janar të vitit të ardhshëm shkëmbehen me 59,46 dollarë për fuçi. Ndërsa nafta Brent e Londrës ka zbritur në nivelin e 63 dollarëve për fuçi. Vetëm këtë javë nafta bruto amerikane ka humbur thuajse 10%, dhe rreth 45% që prej muajit qershor të këtij viti, kohë kjo kur nafta shkëmbehej me rreth 107 dollarë për fuçi.

Këtë javë organizata e vendeve eksportuese të naftës uli pritshmëritë e saj në nivelin më të ulët dhjetë vjeçar , për kërkesën ndaj lëndës së parë gjatë vitit të ardhshëm . Ndërkohë Rubla ruse regjistron rekordin negativ të rradhës përkundrejt dollarit dhe monedhës së përbashkët europiane. Gjatë kësaj jave dollari amerikan është këmbyer me 56.83 rubla , ndërsa euro me 70.45 rubla.

Pavarsisht faktit se Banka Qëndrore Ruse ka shpenzuar deri më tani rreth 80 miliardë dollarë për të mbajtur monedhën vendase në binarët e duhur, si dhe ka rritur normën bazë të interesit me 100 pikë, monedha kombëtare vazhdon të humbasë kuota të frikshme ndaj valutave të huaja për shkak të naftës në rënie dhe sanksioneve të vendosura nga Perëndimi si pasojë e konfliktit në Ukrainë.

Monedha ruse ka humbur thuajse 40% të vlerës së saj që prej fillimit të këtij viti. Gjithashtu edhe bursa e kryeqytetit është në rënie për shkak të çmimit të arit të zi.

Scan TV, 13.12.2014