Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Faturistët e OSHEE abuzojnë në Gërdec

Me energjinë elektrike nuk kanë abuzuar vetëm qytetarët të cilët nuk e kanë paguar ose vjedhur atë, por edhe faturistët e OSHEE kanë bërë çudira. Avni Cani, një banor nga Marqineti, i cili në vitin 2008 humbi shtëpinë nga shpërthimet në Gërdec, është faturuar edhe për ato muaj kur ndodhi tragjedia. Nga ai moment ai u largua na fshati për të jetuar në komunën Farkë, por edhe pse shtëpia e tij u shkatërrua nga shpërthimet dhe ai vetë nuk jetoj aty, përsëri u faturua për energjinë elektrike. Në mungesë të energjisë elektrike, ai së bashku me bashkëshorten e tij janë detyruar të mbledhin shkarpa në mal për t’u ngrohur dhe për të gatuar.

“Mua më ka ardhur faturimi 3 mln e 200 mijë lekë tani. Shtëpia ka qenë zero, është dëshmitar gjithë fshati këtu. Kam paguar 4 muaj, më erdhën vetëm dy fatura dhe faturisti nuk ka ardhur fare më. As nuk njohin sahatin, (matësin) se sa shënon. Mua duhet të më rikthejnë energjinë, çfarë detyrimi të kem në sahat i jam borxhli shtetit t’ia paguaj kam apo s’kam”, shprehet Avni Cani.

Nelsoni, është fëmijë i këtij fshati, ai na tregon se sa të vështirë e ka të bëj mësimet nën dritën e qiririt.

Si ja bën për të mësuar tani që nuk ke drita?

“Me qiri. Por nuk arrij të shikoj mirë”, shprehet Nelsoni.

Në fshatin Marqinet dhe Gërdec këtë të enjte banorët protestuan, pasi prej ditësh vuajnë mungesën e energjisë elektrike. Sipas tyre në disa raste janë faturuar edhe shtëpi ku nuk banon askush, apo familjarët kanë emigruar, e në raste të tjera mbifaturimi i lartë, është bërë shkak për mospagimin në kohë të energjisë elektrike.

Kryeplaku i fshatit Jakup Duka, bën thirrje për zgjidhjen e kësaj situate, pasi në të kundërt banorët do të dalin serish në protestë.

“Siç duket vetëm këto tela paskan qenë në rregull dhe ka vazhduar faturimi, pjesa me e madhe e banorëve që iu është rrafshuar dhe shtëpia dhe gjithçka i ka vazhduar faturimi i energjisë elektrike. Kërkojmë që të paktën të merren parasysh se janë mbifaturime ose faturim kot”, thotë Avni Jakupi, kryeplaku i fshatit Marqinet.

Shqiptarja.com 11.12.2014