Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çela: I drejtë shkarkimi i punonjësve

Deklarata për media e Administratorit të Përgjithshëm të OSHEE-së:

Dëshiroj të ndaj me publikun informacionin më të fundit në raport me operacionin e nisur nga OSHEE kundër vjedhjes së energjisë elektrike.

Reagimi i qytetarëve ka qenë tejet inkurajues dhe vetëm në tre ditët e fundit janë lidhur 4131 aktmarrëveshje për pagimin me këste të detyrimeve.Në këto ditë, kanë përfituar edhe 1122 familje të tjera, të cilave pas pagesës së menjëhershme të detyrimit të tyre të prapambetur, u është zbritur me 80% detyrimi i kamatëvonesës.

Nga ana tjetër, pas një verifikimi që kemi kryer me punonjësit e operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, kemi vënë re se janë plot 234 punonjës të OSHEE debitorë me më shumë se 2 muaj fatura të papaguara.

Është e pafalshme që individë, të punësuar në OSHEE, që për vite me radhë kërkonin nga qytetarët pagesën e rregullt të energjisë elektrike, janë vet vjedhës të saj.

Të tillë punonjës nuk kanë as moralin, por as të drejtën për të vazhduar punën pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë dhe pikërisht sot kam kërkuar ndërprerjen e marrëdhënies me të 234 punonjësit debitorë.

Duke filluar nga java e ardhshme, i bëj thirrje të gjithë inxhinierëve, elektricistëve, specialistëve të mesëm e të lartë në fushën e energjisë elektrike, mbi të gjitha njerëzve të ndershëm që e fillojnë zbatimin e ligjit nga vetja dhe familja e tyre, të aplikojnë për tu bërë pjesë e strukturave të OSHEE. Për këtë qëllim, në ditët e ardhshme do të vihet në funksion një portal special online përmes të cilit mund të bëhen aplikimet.

Përfitoj nga rasti për të falënderuar edhe njëherë të gjithë qytetarët shqiptarë që po përgjigjen pozitivisht duke paguar detyrimin e tyre për energjinë elektrike të harxhuar, njësoj siç ndodh në çdo vend normal. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi në gjendje tu ofrojmë shqiptarëve një shërbim më të mirë e më cilësor.

energjia.al 07.12.2014