Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE fiton në arbitrazh ndaj ‘Debt International’

Gjyqi i Arbitrazhit Ndërkombëtar nuk është i pakalueshëm. Kompania OSHEE tregon se mund të fitohet në këtë gjykatë, madje “pa luftë”. Burime nga kompania OSHEE tha në për gazetën “Shqip” se është arritur marrëveshje me shoqërinë “Debt International Advisory” sh.p.k. duke i shpëtuar shtetit 109 milionë euro që i kërkoheshin si dëmshpërblim. Kompania që ishte pajtuar nga CEZ Shpërndarje për mbledhjen e detyrimeve, u ankua në Arbitrazh për prishjen e kontratës. Tashmë, kompania private ka deklaruar se do të tërhiqet duke hequr dorë nga kërkesa për dëmshpërblim financiar. Nuk dihen detajet e bisedimeve disamujore mes një grupi negociator të OSHEE-së me këtë kompani, por njoftohet se është arritur marrëveshje pozitive. Ndërprerja e kontratës në mënyrë të njëanshme nga CEZ Shpërndarje kundrejt kompanisë së pajtuar për mbledhjen e debive të energjisë, mund t’i kushtonte arkës së OSHEE 109 milionë euro. Enti Rregullator i Energjisë në një raport për ecurinë e aktivitetit të kompanisë CEZ Shpërndarje në janar 2013 e përmend me shqetësim këtë fakt. Ndërkaq, ish- administratori Dollapi kishte kontraktuar për të bërë përfaqësimin ligjor para Gjykatës së Arbitrazhit, një studio ligjore që kishte shërbyer edhe si konsulent i CEZ a.s. në procesin e privatizimit të OSSH (sot OSHEE). Më 6 shkurt 2013, nga ana e shoqërisë CEZ Shpërndarje ERE është njoftuar mbi një kontratë të lidhur me shoqërinë “Debt International Advisory” sh.p.k, për mbledhjen e debive të klientëve që kishin më shumë se 90 ditë pa paguar energjinë elektrike. Shoqëria ka informuar ERE se kjo kontratë, që kishte vlefshmëri deri më datë 31.01.2013 është zgjidhur në mënyrë të njëanshme nga ana e CEZ Shpërndarje përpara përfundimit të këtij afati. Si rrjedhojë e kësaj, shoqëria “Debt International Advisory“ ka paditur shoqërinë CEZ Shpërndarje në Qendrën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, në Vjenë dhe kërkon shpërblim dëmi si rezultat i zgjidhjes së njëanshme të kontratës në masën 108,483,739 euro. Sa më sipër, nga ana e CEZ Shpërndarje (në administrim të përkohshëm) është kërkuar miratimi i një studioje ligjore të specializuar dhe me eksperiencë për përfaqësimin në arbitrazh në një afat kohor sa më të shpejtë, duke qenë se afati për të kthyer përgjigje në Qendrën Ndërkombëtare të Arbitrazhit është jo më vonë se data 26.02.2013. ERE i është drejtuar Avokaturës së Shtetit për një mendim të specializuar, kjo e fundit (Avokatura e Shtetit) rekomandoi që nga ana e shoqërisë CEZ Shpërndarje të procedohej me marrjen e një mendimi të aksionerëve të shoqërisë (CEZ a.s dhe ministrisë) si dhe të kontraktohej një studio ligjore në bazë të parimeve të konkurrueshmërisë, përvojës dhe çmimit me konkurrues. Megjithatë, në praktikë nuk u bë asgjë për ta zgjidhur çështjen. Vetëm para disa ditësh, u arrit që të gjendej rrugëzgjidhja dhe të shmangej një dëm i madh financiar.

Gazeta Shqip, 04.12.2014