Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sektori po formalizohet, 5000 kontrata të reja

Prononcimi i Ministrit Gjiknuri në terren gjatë operacionit të OSHEE-së

Po ndjekim nga afër të gjithë punën që po bën Operatori i Shpërndarjes së bashku me Policinë e Shtetit. Këtu po bëhet një krehje e të gjithë zonës, ku janë konstatuar shumë debitorë. Po shihet për lidhjet e paligjshme në të gjithë zonën. Ky operacion do të vazhdojë, nuk është thjesht një aksion i rastit, por do të jetë një qasje e vazhdueshme që do të ketë shteti ndaj të gjithë debitorëve të energjisë dhe ndaj të gjithë hajdutëve të saj.

E kemi thënë që kjo reformë është jashtëzakonisht e nevojshme, këto masa janë jashtëzakonisht të nevojshme. Në qoftë se do të duam që në të ardhmen të kemi çmime të qëndrueshme të energjisë elektrike, kyçi i suksesit është stabiliteti financiar i sektorit. Do të thotë që të gjithë njerëzit duhet të paguajnë, mos të krijojnë më debi, që sektori të ecë me këmbët e veta. Qeveria për këtë po punon dhe realisht jemi në një rrugë të mbarë, kemi shumë raste konstatimesh të paligjshmërisë, kemi procedime penale dhe ka një ndërgjegjësim të publikut. Disa të dhëna që ju interesojnë edhe njerëzve, shohim një fillim të formalizimit të sektorit, ka mbi 5 mijë kërkesa për kontrata të reja.

Së fundi korporata ka blerë edhe sahatet e nevojshme, pra pajisjet matëse për të filluar instalimin tek njerëzit që u mungojnë ato. Po krijojmë lehtësirat e nevojshme për ata debitorë të cilët kanë akumuluar në vite debi, për ti shtrirë pagesat në kohë. Një gjë duhet të jetë e qartë, ne nuk tërhiqemi pasi kjo është për të mirën e ekonomisë shqiptare, për shëndoshjen e sektorit energjetik, por mbi të gjitha për stabilitetin e çmimeve tek njerëzit. Kjo është gjëja më e rëndësishme për tu kuptuar.

Pyetje: Sa para keni grumbulluar nga ky aksion? Pra, si kanë ndryshuar arkëtimet?!

Ministri Gjiknuri: Arkëtimet janë rritur në një nivel 50%, janë formalizuar shumë kontrata. Ka shumë debitorë të cilët kanë bërë marrëveshje për shlyerje me këste. Të gjithë këto elementë janë pozitivë, por mbi të gjitha janë dy faktorë të dukshëm, të rëndësishëm; kemi një ulje të kërkesën për konsum 15%, çka do të thotë që njerëzit kanë filluar të tregohen më të kujdesshëm, si dhe një rritje të faturimit mbi 11% mesatare. Do të thotë që rezultatet e para janë shumë të mira dhe ky trend do të vazhdojë. E shoqëruar kjo edhe me reforma të tjera, do të bëjë që sektori të shëndoshet, por mbi të gjitha qytetarët shqiptarë të jenë të sigurtë për të ardhmen e tyre energjetike dhe mos të ngopen me lugë të zbrazur demagogjie për superfuqi.

Pyetje: Ju thatë që do të ketë lehtësira në pagesa, mund të na e bëni më konkrete skemën, për sa vite do të shtrihet, meqenëse nesër do të miratohet në qeveri, besoj e keni gati?

Ministri Gjiknuri: Jo, nuk do të miratohet në qeveri. Korporata po zgjedh skemat e saj. E thashë, shumë shpejt këto do të jenë publike në zyrat e konsumatorit dhe besoj që është e tepërt për mua të them të gjitha skemën. E rëndësishme është që po mendojmë edhe për t’ju ardhur në ndihmë atyre njerëzve që kanë akumuluar debi. Përsa i përket humbjeve, humbjet po reduktohen në mënyrë masive, në tetor të këtij viti ato u ulën në 34%. Do të thotë një reduktim radikal të humbjeve dhe shpresojmë të mbajmë të njëjtin trend për ta sjellë sektorin në parametrat e duhura.

Pyetje: Sa para janë grumbulluar?

Ministri Gjiiknuri: Këtë vit janë grumbulluar mbi 70 milion dollarë më shumë sesa vitin e kaluar. Mjafton ky fakt për të kuptuar se çfarë hopi është bërë përpara për stabilitetin financiar të kompanisë.

Pyetje: A ka nisur Task Forca nga puna?

Ministri Gjiknuri: Njësia Speciale Operacionale ka nisur nga puna, ka rekrutuar njerëzit e parë dhe ka filluar edhe ajo veprimet në terren për të identifikuar në mënyrë të pavarur, sidomos edhe rolin që kanë nganjëherë punonjës të papërgjegjshëm të shoqërisë.

Pyetje: Kemi identifikuar raste kur familje tepër në nevojë, familje edhe jetimësh, ju është ndërprerë energjia. Për këto familje nuk ka një klauzolë lehtësimi?

Ministri Gjiknuri: E kam thënë, amnisti dhe falje nuk do të ketë. Amnistitë dhe faljet në Shqipëri kanë nxitur ilegalitet, kanë nxitur mosbindje. Është fakt se kur u bë amnistia në vitin 2012 nga qeveria e Sali Berishës, arkëtimet vajtën në masën 64%. Njerëzit duhet ta kenë të qartë, e vetmja mundësi që do t’ju ofrohet dhe do t’ju ofrohen mundësi jashtëzakonisht lehtësuese është pagesa e shtrirë në kohë dhe patjetër që i shërben të gjithë familjeve në nevojë.

energjia.al 25.11.2014