Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bie çmimi i naftës, “alarmohen” qeveritë

Rënia e çmimit të naftës dhe sanksionet e Perëndimit i kushtojnë Rusisë plot 140 miliardë dollarë.

Pohimin e bëri ministri rus i Financave, Anton Siluanov, gjatë një forumi ndërkombëtar financiaro-ekonomik. Ka raporte në media, që lënë të kuptohet se në përpjekje për të mbajtur çmimin në nivelet ekzistuese, Moska mund ta reduktojë prodhimin e naftës me rreth 300.000 fuçi në ditë.

Anëtarët e OPEK-ut mblidhen këtë javë në Vjenë, për një takim që nuk do të lërë jashtë fokusit edhe rënien e kuotimit të arit të zi. Rrudhja e vazhdueshme e çmimit, që prej muajve të verës, i faturohet furnizimit të bollshëm global, i cili nga ana e tij vjen si pasojë e një bumi shitjesh të naftës amerikane dhe një tkurrjeje të kërkesës në Europë e Azi.

Nafta bruto “Brent” e Londrës ka humbur mbi një të tretën e vlerës dhe në 14 nëntor shënoi çmimin më të ulët të katër viteve, kur një fuçi u shit për 76.76 dollarë. Ekspertët presin që karteli i naftës të bjerë dakord me një ulje të prodhimit, në mënyrë që të frenohet e tatëpjeta e çmimit.

Sa për Moskën, javën që shkoi, ministri rus i Energjisë Alexander Novak e pranoi se edhe ajo po e mendon mundësinë e uljes së prodhimit, megjithatë nuk është marrë ende një vendim përfundimtar.

Rënia e kuotimit të arit të zi mund të ketë ndikim të jashtëzakonshëm mbi kompanitë dhe konsumatorët rusë. Me sanksionet e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, situata ekonomike e vendit është vështirësuar.

Rubla ruse këtë vit ka humbur gati 30% të vlerës kundrejt dollarit amerikan dhe, për të frenuar zhvlerësimin e saj, Banka Qendrore shpenzoi miliarda dollarë, por në fillim të këtij muaji deklaroi se është e detyruar ta kufizojë ndërhyrjen.

Top Channel, 24.11.2014